Pjesës hebraike të varrezave vjeneze iu vu zjarri, u vizatuan svastika

[01 nëntor, 2023]
Autorë të panjohur u vunë zjarrin objekteve në pjesën hebraike të varrezave qendrore në Vjenë të mërkurën mbrëma dhe gjatë procesit pikturuan simbole antisemite, përfshirë svastika, transmeton Hina.
“Një pjesë e sallës për ceremonitë e varrimit u dogj dhe svastika u pikturuan në muret e jashtme,” tha Oskar Deutsch, president i Komunitetit Kulturor Izraelit të Vjenës, pas një vizite në varreza.
Sipas informacioneve nga Zjarrfikësja e Vjenës, një pjesë e objektit është djegur gjatë natës dhe zjarri është shuar në momentin që kanë mbërritur zjarrfikësit. Për momentin nuk dihet se si kanë hyrë autorët në varrezat e mbyllura gjatë natës dhe për shkak të dyshimeve për sfondin politik të krimit, në hetim është përfshirë edhe Zyra Krahinore për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues.
Pas shpërthimit të konfliktit në Izrael, niveli i mbrojtjes kundër terrorizmit në Austri është rritur dhe mbrojtja në veçanti përfshin objektet e komunitetit hebre. Pavarësisht kësaj, numri i krimeve antisemite u rrit ndjeshëm.
Politikanët austriakë kanë mbështetur masat që synojnë mbrojtjen e hebrenjve në Austri. “Numri i sulmeve antisemite në Austri është rritur ndjeshëm. Kësaj duhet t’i jepet fund”, tha presidenti austriak Alexander von der Bellen, duke reaguar ndaj sulmit në varrezat hebraike. Kancelari austriak Karl Nehammer dënoi ashpër sulmin e mbrëmshëm dhe shprehu shpresën se autorët do të gjenden shpejt.
Edhe para përshkallëzimit të konfliktit, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor dhe kundërsulmimit izraelit, komuniteti kulturor izraelit regjistroi një rritje të vazhdueshme të sulmeve me sfond antisemitik. Në vitin 2022, në Austri u regjistruan 719 incidente me sfond antisemitik, që është numri i dytë më i lartë që nga futja e statistikave. [GD/ISHGJ]