Takimi i avionëve ushtarakë amerikanë dhe rusë në Sirinë lindore

Prishtinë, 16 shkurt – Avionët luftarakë amerikanë “shoqëruan” tre avionë rusë në Sirinë lindore dje kur rusët fluturuan në hapësirën ajrore të kontrolluar nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA, sipas dy zyrtarëve amerikanë që kanë dijeni drejtpërdrejt për incidentin, raportoi CNN.
Një aeroplan mallrash rus, i shoqëruar nga dy bombardues Tu-22, fluturoi mbi Irak dhe hyri në të ashtuquajturën zonë të sigurisë në Sirinë lindore, pa informuar më parë koalicionin e udhëhequr nga SHBA se po lëviznin nëpër atë zonë. Kur amerikanët i paralajmëruan rusët se kishin nevojë për njoftim më herët, rusët thanë se po vazhdonin fluturimin, thanë zyrtarët. Si rezultat, avionët amerikanë F-16 dhe aeroplanët e koalicionit fluturuan për pak kohë së bashku me ata rus derisa avionët rusë u larguan nga zona.
Avionët rusë besohet se kanë zbritur në Latakia në brigjet siriane të Mesdheut. Edhe pse incidenti nuk u konsiderua një kërcënim i madh, rusët e përsëritën veprimin rreth gjashtë orë më vonë, kur një tjetër nga aeroplanët e tyre për mallra dhe një avion ushtarak fluturuan në të njëjtën zonë. Rusët nuk kanë fluturuar me avion bombardues nëpër zonë që nga maji 2021, tha një zyrtar. Ushtria amerikane ka caktuar një zonë sigurie nga qyteti i Deir ez-Zor deri në kufirin me Irakun në lindje dhe po kërkon që ata të njoftohen paraprakisht për fluturimin. Shtetet e Bashkuara kanë rreth 900 trupa në Sirinë lindore për të ndihmuar në luftën tutje kundër ISIS. [GN/ISHGJ]