Një kompani australiane gjeti sasi të reja ari në pjesën qëndrore të Bosnjë-Hercegovinës

Bosnjë-Hercegovinës
Zagreb/Prishtinë, 8 qershor 2023 – Në zonën e komunës së vogël Jezero në pjesën qendrore të Bosnjë-Hercegovinës, janë gjetur rezerva të reja të konsiderueshme ari gjatë hetimeve të kryera nga punëtorët e Lykos Balkan Metals, njoftoi dega boshnjake e kompanisë australiane. e cila kryen kërkime në disa lokacione në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, transmeton Hina.
Në lokacionin Zekilova kosa është zbuluar ari dhe analizat e fundit të bëra në laboratorë kanë vërtetuar ekzistimin e sasive më të mëdha të arit, i cili në disa pjesë përmban deri në 4.89 gramë ar për ton.
Këto hetime, të cilat po zgjasin disa muaj, qenë shtrirë në një sipërfaqe prej 1.2 kilometra katrorë. Në funksion të zbulimit të vendburimeve të arit, paralajmërohet zgjerimi i kërkimeve në pjesën veriperëndimore të lokalitetit.
“Monitorimi i mëtutjeshëm i këtyre rezultateve të shkëlqyera është padyshim i justifikuar dhe presim që të marrim pëlqimin e vetëqeverisjes lokale për vazhdimin e hulumtimeve gjeologjike sa më shpejt të jetë e mundur”, tha shefi ekzekutiv i Lykos Balkan Metals Mladen Lujiq. Njëkohësisht ai theksoi se kjo kompani i kushton rëndësi të veçantë ruajtjes së mjedisit gjatë hulumtimeve.
Kjo komunë ndodhet jo shumë larg Jajces, në pjesën qendrore të BeH, në kufirin ndër-entiteteve politike – Federatës së BiH dhe Republika Srpska-s.
Kompania australiane deklaroi se depozitat e konsiderueshme të arit u konfirmuan në fillim të këtij viti. Lykos Metal Balkan nga BiH është në pronësi të kompanisë australiane Lykos Metals Limited, e cila kryen kërkime të rralla xeherore në katër lokacione në Bosnje dhe Hercegovinë. [GN/ISHGJ]