I mandatuari malazez sërish negociata me të djathtën proserbe

Zagreb/Prishtinë – 7 tetor 2023 – Përfaqësuesi për krijimin e qeverisë së re malazeze, Milojko Spajiq, do të negociojë sërish me koalicionin pro-serb dhe pro-rus “Për të ardhmen e Malit të Zi”, pasi humbi mbështetjen për formimin e një qeverie pro-evropiane me subjektin e tij “Evropa tani”. Lëvizja Tani (PES), njoftuan mediat e Podgoricës të shtunën.
Sipas Vijestit, ky vendim është marrë të shtunën nga klubi parlamentar i PES, pasi partneri i tyre i koalicionit, Mali i Zi Demokratik hodhi poshtë mundësinë që vota vendimtare për mbështetjen e qeverisë të vinte nga lideri i Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve, Mehmed Zenka.
Zenka hyri në parlament si një partner koalicioni i Partisë Demokratike të Socialistit Milo Gjukanoviq dhe PES nuk dëshiron që “mbështetja vendimtare të vijë nga lista e atyre që plaçkitën Malin e Zi për 30 vjet”.
Sipas informacioneve jozyrtare nga mediat malazeze, Spajiq duhet të nisë negociatat edhe me lëvizjen civile URA të kryeministrit aktual Dritan Abazovic, ndonëse mandatari në fjalimin e tij të parë pas fitores së zgjedhjeve ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me Abazovic.
Sipas informacioneve të Vijestit, një raund i ri negociatash duhet të nisë në ditët në vijim. “Është e qartë se Mali i Zi Demokratik ka dalë nga historia e një qeverie që do të mbështetej nga 41 deputetë. Jemi të vetëdijshëm se kemi kapacitetin më të madh të koalicionit dhe prandaj duhet të përcaktojmë se kush dëshiron të jetë në pushtet me ne”, tha një zyrtar i lartë i PES.
Mediat raportojnë se Spajiq beson se kundërshtimi i partnerëve ndërkombëtarë për hyrjen e së djathtës pro-serbe në qeverinë malazeze nuk do të jetë problem nëse aleanca politike e mbledhur rreth dukës çetnik Andrija Mandiq tregon se ai dëshiron të punojë për interesa të qytetarëve dhe se nuk janë të interesuar për politika “ekstreme”. Gjithashtu theksohet se PES është e vetëdijshme se në rast të një marrëveshjeje me koalicionin për të ardhmen e Malit të Zi, marrëveshja e arritur me Partinë Boshnjake (BS), e cila kundërshton fuqishëm bashkëpunimin me të djathtën pro-serbe, do të dështonte.
Nga ana tjetër, Spajić nuk ka folur deri më tani me partinë e Abazivić-it, sepse PES akuzoi kryeministrin aktual për krijimin e një afere parazgjedhore për lidhjet e supozuara të biznesit mes Spajić-it dhe “mbretit të kriptomonedhave” të arrestuar të Koresë së Jugut, Do Kwon, kujton Vijesti.
Spajiq humbi mbështetjen brenda partisë menjëherë pasi përjashtoi të djathtën serbe nga qeveria. Ndonëse një muaj më parë deklaroi se kishte shumicën për zgjedhjen e qeverisë, d.m.th se mbështetej prej 44 deputetëve nga gjithsej 81 përfaqësues në parlament, ai filloi të humbiste mbështetjen menjëherë pasi deklaroi se planifikonte të formonte një qeveri pa të djathtën ekstreme pro-serbe.
Spajić mori mandatin për të formuar qeverinë më 10 gusht dhe afati ligjor për të përfunduar atë punë skadon më 8 nëntor. Nëse qeveria nuk formohet, zgjedhjet e reja parlamentare duhet të mbahen jo më vonë se 18 shkurti i vitit të ardhshëm.
Pas zgjedhjeve të 11 qershorit, Spajiq negocioi me krerët e së djathtës pro-serbe, por nuk u arrit marrëveshje sepse ai koalicion refuzoi ofertën e tij, e cila përfshinte ndër të tjera postet e zëvendëskryeministrit, ministrit të Arsimit, Turizmit, sportit dhe rinisë dhe postin e nënkryetarit të Kuvendit. [GN/ISHGJ]