Analistët: Lufta në Ukrainë ndikoi në përshpejtimin e dialogut Kosovë-Serbi

Prishtinë, 24 shkurt – Lufta Rusi-Ukrainë e filluar një vit më parë, pati efekte politike e të sigurisë edhe në Kosovë. Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se lufta në Ukrainë e shtyu BE-në dhe SHBA-në që të shtojnë përpjekjet në normalizimin e marrëdhënieve dhe përfundimin e dialogut Kosovë-Serbi. Ekspertë të sigurisë ndërkaq, përmendin rreziqet për mundësinë e zgjerimit të konfliktit edhe në Ballkan.
Sot bëhen një vit nga fillimi i agresionit rus të paprovokuar në Ukrainë, çka ndikoi shumë në rendin gjeopolitik evropian e më gjerë. Fillimi i luftës Rusi-Ukrainë, ndikoi edhe në rizgjimin e Bashkimit Evropian, i cili dikur sigurinë e kishte lënë në plan të dytë. Kështu thotë për Radio Kosovën profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, teksa flet edhe për efektin politik që lufta në Ukrainë pati në rastin e Kosovës.
“Në rastin Kosovë-Serbi, lufta e atjeshme përshpejtoi zgjidhjen e problemit, sepse tash, Bashkimi Evropian ka kuptuar se problemet që janë politike apo territoriale duhet të zgjidhen, që të mos vijë deri te konflikti. Marrë parasysh ndikimin rus në Serbi, vërehet se është riaktivizuar në mënyrë të fuqishme interesi evropian dhe i SHBA-së, për t’i dhënë fund problemeve Kosovë-Serbi’, tha ai.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuq Kuqi, po ashtu thotë lufta Rusi-Ukrainë, ndikoi në përshpejtimin e dialogut me Serbinë.
“Lufta atje ka shtyrë perëndimin të marrë hapa për përshpejtimin e përfundimit të dialogut Kosovë-Serbi dhe të mos lejojë që të bëhen hapa që do ta dërgonin drejt ndonjë konflikti eventual, për shkak se kjo do të lejonte hapjen e vatrave të reja të luftës dhe në këtë mënyrë Rusia do të fitonte terren edhe në Ballkan”, tha Kuqi.
Ashtu si në vendet e tjera të Ballkanit, lufta Rusi-Ukrainë ka pasur efekte edhe në sigurinë e vendin tonë, thotë eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.
“Po, lufta atje ka pasur ndikim edhe në Kosovë, në kuptimin e rritjes së rreziqeve për mundësinë e zgjerimit të konfliktit. Ka pasur kërcënime të vazhdueshme që vinin nga lidershipi rus, por edhe serb, në drejtim të Kosovës, Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi. Por, SHBA-ja dhe vendet e Bashkimit Evropian u kujdesën që të parandalojnë zgjerimin e konfliktit”, tha Ibishi për Radio Kosovën.
Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, në vazhdimësi kanë kërkuan vigjilencë nga Perëndimi, për ruajtjen e sigurisë në vend si dhe domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO. [Radio Kosova]