Recension për librin: “Bazat e menaxhimit, ndërmarrësia dhe menaxhimi i biznesit – Koncepte, aplikime dhe praktika në akonominë moderne”
Nga Dr. Agim KRASNIQI
Ky libër përfaqëson një udhërrëfyes të rëndësishëm për të gjithë ata që janë të interesuar për menaxhimin, ndërmarrësinë dhe biznesin, duke ofruar një kombinim të koncepteve themelore, analizave praktike dhe shembujve konkretë. Qëllimi i tij është të trajtojë në mënyrë gjithëpërfshirëse parimet dhe praktikat kryesore që përbëjnë bazën e këtyre fushave, duke ndihmuar lexuesit të kuptojnë rëndësinë e menaxhimit, ndërmarrësisë dhe inovacionit në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.
Nëpërmjet trajtimit të temave si historia dhe evolucioni i menaxhimit, funksionet kryesore të tij, lidershipi dhe vendimmarrja, komunikimi në organizatë dhe etika, pjesa e parë e librit shpjegon bazat teorike të menaxhimit modern, duke adresuar edhe sfida të tilla si menaxhimi i ndryshimeve dhe ndikimi i kulturës organizative. Autori përshkruan mënyrat se si liderët dhe menaxherët mund të përmirësojnë performancën organizative dhe të trajtojnë me sukses krizën apo transformimin në tregjet globale.
Në pjesën e dytë, fokusi zhvendoset tek ndërmarrësia si një motor i zhvillimit ekonomik, duke theksuar rëndësinë e saj për inovacionin dhe krijimin e vendeve të punës. Përmes kapitujve të tij, libri analizon konceptin e ndërmarrësisë, rolin e ndërmarrësve në ekonomi dhe tiparet që i karakterizojnë ata, si dhe rëndësinë e ndërmarrësisë sociale.
Një pjesë e veçantë i kushtohet procesit ndërmarrës, duke përfshirë identifikimin e mundësive, minimizimin e rreziqeve dhe menaxhimin e suksesshëm të risqeve financiare dhe operacionale. Ekosistemi i ndërmarrësisë, duke përfshirë mbështetjen institucionale, financimin dhe rrjetëzimin, është një tjetër temë kyçe, duke theksuar rolin e inkubatorëve dhe akseleratorëve në zhvillimin e startupe-ve. Libri nuk lë pa trajtuar as inovacionin, duke theksuar rëndësinë e strategjive inovative dhe përdorimin e teknologjisë në ndërmarrësi, si dhe mënyrat për të ndërtuar një kulturë inovative brenda organizatave.
Pjesa e tretë i kushtohet menaxhimit të biznesit, duke përfshirë temat si menaxhimi strategjik, operacional, marketingu dhe menaxhimi i rreziqeve. Kapitujt për menaxhimin strategjik ofrojnë udhëzime për planifikimin strategjik, analizën SWOT dhe zbatimin e strategjive të cilat përputhen me tregjet në ndryshim.
Menaxhimi operacional thekson rëndësinë e optimizimittë proceseve, përdorimin e teknologjisë dhe përmirësimin e cilësisë për të rritur efikasitetin dhe qëndrueshmërinë. Në fushën e marketingut, libri trajton strategjitë e marketingut, menaxhimin e marrëdhënieve me klientët dhe përdorimin e marketingut dixhital për të ndërtuar marka të fuqishme dhe konkurruese.
Menaxhimi i rreziqeve dhe përputhshmëria me rregulloret zënë një vend të rëndësishëm, duke ofruar strategji për identifikimin dhe minimizimin e rreziqeve, si dhe për mbrojtjen e reputacionit të kompanive.
Pjesa e fundit e librit është e pasur me studime rasti dhe shembuj praktikë që nxjerrin në pah praktikat më të mira dhe mësimet e nxjerra nga suksesi dhe dështimi i bizneseve. Shembujt përfshijnë raste të ndërmarrësve të suksesshëm nga sektorë të ndryshëm, si teknologjia, energjia e rinovueshme dhe shëndetësia, si dhe analiza të kompanive që kanë përfituar nga dixhitalizimi dhe kanë ndërtuar kultura organizative të forta. Përmes këtyre rasteve, autorja demonstron rëndësinë e adaptimit ndaj ndryshimeve dhe inovacionit për mbijetesën dhe suksesin në një botë gjithnjë e më konkurruese.
Përfundimisht, libri përmbyllet me një përmbledhje të koncepteve kyçe, duke ofruar një vizion të qartë mbi sfidat dhe mundësitë e ardhshme në menaxhim dhe ndërmarrësi. Sugjerimet për lexuesit që dëshirojnë të fillojnë bizneset e tyre janë një shtesë e vlefshme që e bën këtë libër një udhëzues praktik dhe inspirues për të gjithë ata që kërkojnë të jenë pjesë e botës së menaxhimit dhe ndërmarrësisë. Libri përfshin gjithashtu një hulumtim të detajuar mbi tema kyçe në menaxhim dhe ndërmarrësi, duke përdorur të dhëna nga pesë kompani në Kosovë, përfshirë ndërmarrje të vogla, të mesme dhe të mëdha.
Ky hulumtim, i realizuar përmes platformës Google Forms dhe i bazuar në 650 respondentë, trajton aspekte të rëndësishme si dixhitalizimi, ndikimi i kulturës organizative dhe sfidat kryesore që përballen ndërmarrësit. Gjetjet e hulumtimit pasurojnë përmbajtjen e librit duke ofruar një qasje të balancuar midis teorisë dhe praktikës, dhe rekomandimet e nxjerra nga analizat e të dhënave ofrojnë udhëzime të vlefshme për lexuesit të cilët dëshirojnë të zhvillojnë bizneset e tyre ose të avancojnë në karrierën menaxheriale. Kjo pjesë e librit reflekton përkushtimin e autorit për të ndërtuar një vepër që është e bazuar në evidenca dhe e dobishme për audiencën e gjerë të lexuesve.