Nga Bedri HALIMI
Luljeta Selimi – Berisha, është ndër autoret e para që në shkrimet e saj e ka trajtuar temën e dhunimit të femrave në luftën e fundit në Kosovë. Qysh para vitit 2003 (kur u botua ky libër), ajo ka arritur që të hulumtoj dhe të bie në kontakt me një numër të konsiderueshëm të femrave të dhunuara.

Rrëfimet që i ka dëgjuar nga ato, Luljeta i ka inkorporuar në një libër të karakterit publicistik, duke e finalizuar kështu materialin e mbledhur me botimin e librit me titull “Rrëfimet tronditëse (Femrat e dhunuara gjatë luftës së Kosovës)”.
Ndonëse libri për nga volumi nuk duket shumë i madh, megjithatë, për nga përmbajtja e argumenteve që sjellë, përmbajtja e librit është shumë e madhe, duke sjellë kështu ngjarje, copëza kujtimesh, përjetimesh për fatin e shumë femrave që e kanë përjetuar dhunimin gjatë luftës nga forcat ushtarake dhe policore serbe.
S’ka dyshim, se një ngjarjet e tilla, përderisa janë shumë tronditëse në njërën anë, por edhe shumë masovike në aspektin e shtrirjes gjeografike në tërë territorin e Kosovës, të bën të kuptosh, se një veprimtari e tillë kriminale nga forcat serbe, si dhunimi i femrave, ishte jo spontanitet i individëve të shfrenuar dhe të pa kontrolluar, por padyshim ishin veprime të paramenduara e koordinuara mirë dhe të dirigjuara përmes zinxhirit komandues që nga udhëheqja qendrore e të ashtuquajturës Jugosllavi me në krye Sllobodan Millosheviqin duke u përcjellur përmes vijës komanduese deri tek ushtarët më të thjeshtë.
Kështu që edhe përdorimi i termit paramilitar që në nja dy-tre raste përmendet nga autorja në rrëfimet e caktuara, e mjerisht edhe në një vështrim rreth dhunimeve në fund të librit, nga autori Mentor Neziri, ku po ashtu e përmend termin paramilitar, është i pa qëndrueshëm profesionalisht dhe juridikisht. Këtë lëshim në shprehje, mjerisht e kanë bërë edhe autorë të tjerë, në vështrimet, apo edhe në librat e tyre, duke mos e analizuar mirë përmbajtjen e termit “paramilitar”.
Praktika e veprimit të forcave serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, dëshmon se askund nga Serbia nuk ka pasur njësi paramilitare. Termi paramilitar është implantuar nga propaganda serbe, përmes politikës serbe, për ta shfajësuar juridikisht gjenocidin serb të kryer në Kosovë dhe jo vetëm. Siç e kam thënë edhe në një rast, dëshmi për këtë është vet paraqitja e dëshmitares së familjes Berisha nga Suhareka në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit, ku pas dëgjimit të rrëfimit të saj, të cilës i janë vrarë mbi 50 anëtarë të familjes së gjerë, Sllobodan Millosheviqi nuk parashtron pyetje për dëshmitaren, por “shpreh keqardhje”, duke marrë guximin për t’i shprehur madje edhe ngushëllime, me arsyetimin se veprime të tilla kanë mundur të bëjnë vetëm njerëzit që kanë qenë jashtë komandës institucionale të forcave ushtarake të Serbisë. Dhe për këtë, sipas tij, organet kompetente të Serbisë, duhet t’i gjejnë fajtorët dhe t’i sjellin para drejtësisë, ngase këta kanë mundur të jenë vetëm individ jashtë strukturave ushtarake. Prandaj, dihet mirëfilli, se te forcat serbe, çdo gjë ka qenë militare, pra e komanduar dhe e dirigjuar që nga niveli qendror, dhe asgjë nuk ka qenë dhe nuk ka mund të ketë qenë jashtë institucionale, apo paramilitare. Çështja e shamijave të kuqe apo të zeza, çështja e ngjyrës së uniformave etj., ka qenë vetëm çështje taktike e strukturës organizative të të gjitha njësive të forcave serbe. Këtu hyjnë edhe policia, edhe ushtria e rregullt, edhe njerëzit e mobilizuar, e madje edhe të burgosurit serb për dënuar për krime ordinere, me të cilët kanë udhëhequr komandant të caktuar si: Arkani, Dragani, etj., në kuadër të formacioneve serbe.
Përmes 20 rrëfimeve, sa prezantohen në këtë libër, lexuesi por edhe hulumtuesit e ndryshëm mund të njihen me të bëmat gjenocidale të fashizmit serb në Kosovë, ku në këtë aspekt, përmes dhunimeve, tregohen edhe disa nga format e torturave që kanë përjetuar të dhunuarat, duke ua dëmtuar pjesët e ndryshme të trupit; duke ua prerë lëkurën në trup, në fytyrë, e veçmas në gjoks; duke ua vizatuar kryçin serb në gjoks, duke ua dëmtuar organet gjenitale qoftë përmes prerjeve me thikë pas dhunimit, apo edhe duke u futur rërë në organet gjenitale, me qëllim që te të dhunuarat, traumat e përjetshme të jenë sa më të mëdha.
Njëkohësisht në rrëfimet e prezantuara në këtë libër, paraqiten format e dhunimit që janë bërë në prezencë të antarëve të familjes, në prezencë të fëmijëve të vegjël, në prezencë edhe të njerëzve të tjerë. Pastaj paraqiten edhe forma të torturave duke ua hequr thonjtë, madje edhe duke i rrahur me kondak automatiku barkut, sidomos të dhunuarat të cilët kanë qenë shtatëzëna. Të gjitha këto veprime të forcave serbe, flasin për domosdoshmërinë që institucionet tona shtetërore duhet të jenë në nivel më të lartë të detyrës, duke u marrë më seriozisht me këtë kategori të viktimave të luftës në Kosovë.
Ndërkaq përmendja e shifrave të ndryshme që bëhet në këtë libër, ato duhet të merren si të dhëna empirike për kohën kur janë shkruar. Prandaj këtu nuk mund të flitet për saktësi të shifrave të dhëna, ndonëse edhe autorja nuk e pretendon se i ka mbledhur të dhënat e tërësishme.
Me rastin e ribotimit të librit, sigurisht që autorja ndonjë term të ndonjë fjalie do ta rishikonte së bashku edhe me çështjen e shifrave të prezantuara.
Natyrisht se për kohën në të cilën është shkruar libri, kjo temë, në vetëdijen e shumë viktimave dhe familjeve të tyre, ka qenë tabu për të biseduar për opinionin e gjerë.
Me kalimin e kohës, sigurisht që nga ndihma e psikologëve dhe psikiatërve, është arritur që të ndikohet sadopak te çështja e deklarimit publik, sa që ky numër tashmë është dukshëm më i madh, por mjerisht akoma jo në shkallën sa të duhej të ishte.
Dhe kjo gjë në rradhë të parë për fajin e institucioneve të Kosovës që kanë bërë shumë pak në këtë drejtim.
Autorja Luljeta Selimi – Berisha, meriton respekt për guximin e saj dhe durimin që të arrij deri te këto të dhëna që i ka prezantuar, gjë që ka bërë, që këtë rrugë më vonë ta ndjekin edhe autorë të tjerë si: Naxhije Doçi, Arben Kondi, Lola Shehi – Çela, Ramize Murtezi – Shala, që të merren me këtë temë duke e trajtuar në mënyra të ndryshme qoftë në libra publicistik, qoftë edhe në romane siç kanë bërë Arben Kondi, Lola Shehi – Çela e Ramize Murtezi – Shala.
Dhe e tërë kjo punë e madhe e Luljeta Selimi – Berishës së bashku me autorët tjerë të përmendur, janë shumë pak për ta ndriçuar një plagë kaq të madhe kombëtare siç është dhunimi i femrës shqiptare në luftën e fundit në Kosovë.
Të shpresojmë se do të ketë edhe të tjerë që do të ndjekin rrugën e Luljeta Serlimi – Berishës lidhur me ndiçimin e kësaj plage të rëndë që akoma është prezente te shumë gra të dhunuara në Kosovë.