Koloneli sovjetik Stanislav Petrov, Cari Putin dhe kriza e Ukrainës
Nga Ilir Gjini
Koloneli sovjetik Stanislav Petrov ishte në shërbim natën e 26 shtatorit 1983, në bazën ushtarake Sepukhov-15, kur në kompiuterin e tij të shërbimit u lajmërua një sulm atomik mbi Bashkimin Sovjetik që vinte nga një bazë amerikane.
“Sirena filloi të bërtasë. Shkronja të mëdha të kuqe digjen nga lart në ekran: “Fillo”. Pra, raketa atomike u nis. Shikova për një çast ekuipazhin tim. Ata dukeshin si të ngrirë. Madje dikush kërceu përpjetë. Të gjithë prisnin vendimin tim. Disa sekonda gjykimi që vendosën fatin e botës. Kontrollova sistemet dhe të gjitha dukeshin në gjendje të mirë, ndërsa kompiuteri me insistim tregonte “deuce” – kodi se një sulm raketor atomik po ndodhte. Sipas rregullores ushtarake duhet t’i raportoja Gjeneralit Yuri Votisev dhe udhëheqësit sovjetik Yuri Andropov. Ky i fundit duhet të vendoste brenda 10 minutave një kundërpërgjigje me raketa atomike, që do shkaktonte një katastrofë njerëzore” – tregon në kujtimet e tij Koloneli Petrov.
Koloneli po hezitonte të ngrinte telefonin, ndërsa i dukej sikur këmbët i kish të futura në çizme të hekurta. Kompiuteri paralajmëroi edhe tre sulme me raketa nga e njëjta bazë. Koloneli ngriti telefonin dhe raportoi: “sulm i rremë”! Mendja e tij e ftohtë gjykoi drejt: nëse do kishte sulm real, ai do fillonte nga shumë baza njëherësh. Kishte patur të drejtë.
Sot, miliona njerëz në të gjithë botën, ukrainas dhe jo vetëm, po mbajnë frymën dhe janë gjithë sy e veshë se çdo të ndodhë në Ukrainë. Zjarret e luftës janë gati të shpërthejnë si një vullkan që po zgjohet nga gjumi, për të përmbytur me llavën përvëluese Ukrainën, madje dhe Europën. Ushtritë e Carit të sotëm të Rusisë Vladimir Putin, kanë rrethuar si në darë Ukrainën duke i mbyllur edhe daljen në Detin e Zi.
Stafet e trupit diplomatik të Amerikës dhe Europës po e braktisin anijen ukrainase duke marrë me urgjencë varkat e shpëtimit. Oreksi i Car Putinit sa vjen e shtohet. Pasi pushtoi Abhazinë dhe Osetinë nga Gjeorgjia dhe Krimenë në 2014 përmes ushtrisë së rregullt, më pas rajonet e Donetsk dhe Luhansk, përmes furnizimit me armë të grupeve separatiste, tani Car Putini kërkon të testojë USA dhe Perëndimin duke gllabëruar gjithë Ukrainën. Deri tani reagimi i USA dhe Europës ka qenë i vakët. Europa e sidomos Gjermania e varur nga gazi rus, po hezitojnë të ndihmojnë Ukrainën me armatim të nevojshëm. 5 mijë helmetat gjermane të ofruara si “ndihmë”, më shumë duken si buzëkuq për ushtrinë ukrainase.
Amerikanët pas dështimit spektakolar në Afganistan, kanë deklaruar se nuk do përfshihen direkt, duke u mjaftuar me disa batalione shtesë në Poloni e Rumani. Car Putini po kalkulon me sy të ftohtë situatën. Nëse reagimi do jetë njësoj si me Krimenë, radhën më pas do ta kenë Republikat Balltike, çka do të fuste në konflikt edhe NATO-n. Në këtë rast lufta atomike do ishte e pashmagshme edhe nëse në komandë do ishte sërisht koloneli Stanislav Petrov.
Dikur Europa e përçarë nga konfliktet, i injoroi sinjalet SOS që vinin nga Kostandinopoja, duke e lënë në mëshirën e Sulltan Mehmed pushtuesit. Vetëm tre anije gjenoveze u nisën për ndihmë, nga të cilat vetëm njëra mbërriti në Kostandinopojë.
A do ta lejojë sot Europa dhe SHBA Carin rus Putin që si ari polar po pret të sulet mbi prenë e tij? [FlasShqip.com/ISHGJ]