Nga Dr. Gurakuç KUÇI [Instituti për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”; bashkëpunëtor i ISHGJ]
Me ndryshimet e fundit në Kodin e Procedurës Penale, Republika e Kosovës ka hapur rrugën që gjykimet në mungesë të aplikohen edhe për veprat penale më të rënda, përfshirë terrorizmin dhe krimet e luftës. Ky është një mjet i rëndësishëm për të luftuar mosndëshkueshmërinë që ka mbizotëruar për shumë vite ndaj krimeve të rënda të kryera në territorin e Kosovës.
Rasti i Millan Radojiçiqit është emblematik: një figurë përfaqësuese e strukturave politike dhe paraushtarake në veri të vendit, organizator i sulmit terrorist në Banjskë dhe zbatues i urdhërave të Aleksandër Vuçiqit. Ai përfaqëson një ndër hallkat më të dukshme të lidhjes mes krimit të organizuar dhe politikës destabilizuese të Serbisë në Kosovë.
Në prill të vitit 2023, Radojiçiq u pa në paradën ushtarake në Batajnicë, ku Serbia shfaqte fuqinë e saj ushtarake në një vend që për shumë familje shqiptare është simbol i dhimbjes, aty janë zbuluar trupat e 744 shqiptarëve të vrarë e të varrosur fshehurazi gjatë luftës.
Edhe në politikë, ndikimi i tij është i padiskutueshëm: ai është udhëheqësi real i Listës Serbe. Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, kryetari formal i saj, Zlatan Elek, ndonëse mori mandatin e deputetit (i shtati me vota edhe pse kryetar), u detyrua të japë dorëheqje, një lëvizje që e zbulon strukturën e vërtetë të kontrollit dhe frikës që mbizotëron në këtë subjekt politik.
Gjykimi në mungesë nuk është vetëm një instrument ligjor i vonuar, por edhe një mundësi që i jep sistemit të drejtësisë në Kosovë forcën për të vepruar përtej pengesave politike. Kjo do të krijonte një kornizë të fuqishme juridike për të vendosur përfundimisht faktet historike të krimeve të luftës kundër shqiptarëve duke i dhënë drejtësi viktimave dhe duke dokumentuar të vërtetën për brezat e ardhshëm.
Së fundmi, edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i ka kërkuar Serbisë llogaridhënie për ngjarjen në Banjskë. Kjo është dëshmi e qartë se ngjarjet janë kristalizuar edhe ndërkombëtarisht kuptohet qartë se kush është agresori dhe kush viktima.
Drejtësia duhet të veprojë, jo të presë. Uniteti ynë në tema të tilla nuk është vetëm moral, është obligim qytetar dhe patriotik. Është një domosdoshmëri ekzistenciale për një shtet të drejtë dhe demokratik.
