Nga Astrit Sahitaj
Në Kosovë, situata politike aktuale mund të shihet si një pasqyrë e një opozite donkishoteske, e cila, pavarësisht se i ka dhënë vetes misionin e luftës për drejtësi dhe mirëqenie, në realitet, vepron pa një kauzë të qëndrueshme dhe pa një vizion afatgjatë për shtetin. Flasin për një drejtësi që ende nuk ka mbërritur, ndërkohë që kanë heshtur kur ajo po dhunohej përmes praktikave politike dhe institucioneve të dobëta.
Populli nuk ka nevojë për fjalë të mëdha dhe retorikë të zbrazët, por për përfaqësim të thellë dhe të vërtetë. Shumica e qytetarëve kërkon një opozitë që jo vetëm që t’i artikullojë nevojat dhe kërkesat e tyre, por ta përkrahë dhe ta mbrojë interesin publik duke vepruar si një forcë që e njeh dhe e ndan barrën me popullin. Përfaqësimi nuk mund të mbetet në nivelin e retorikës politike, pasi përfaqësimi i vërtetë kërkon integritet, përkushtim dhe veprime konkrete për zhvillimin e shoqërisë.
Përplasja mes fjalëve dhe veprimeve ka krijuar një hendek të thellë ndërmjet opozitës dhe pozitës, dhe ky hendek, për fat të keq, është i paqartë dhe pa mundësi për t’u kapërcyer nëse nuk ka një angazhim të sinqertë dhe të përgjegjshëm nga të dyja palët. Politikën e opozitës e karakterizon një përpjekje e vazhdueshme për të luftuar “hijet” e pushtetit, që shpesh janë krijuar nga vetë ata që tani kërkojnë ndryshim. Ky paradox krijon një atmosferë të ngjashme me një teatër farsë, ku ata që shihen si “luftëtarë” janë shpesh të papërgatitur dhe pa një plan të qartë.
Kosovarët kërkojnë më shumë se fjalë – ata kërkojnë njerëz që mund të ndërtojnë një shtet të vërtetë. Përpara nesh është një mundësi për të kuptuar se drejtësia, demokracia dhe zhvillimi i shtetit nuk janë arritje që mund të mbahen vetëm me retorikë – ato kërkojnë veprime të qarta dhe të përgjegjshme nga ata që kanë mundësinë dhe detyrën të udhëhiqen në këtë proces.
Drejtësia dhe e vërteta nuk janë të mjaftueshme vetëm në formën e betejave publike, ato kërkojnë implementim të përditshëm dhe kërkojnë një opozitë që të jetë një forcë për të përmirësuar, jo për të përçarë. Dhe kjo është ajo që Kosova ka nevojë: jo më shumë luftëtarë për të goditur pasqyrat e pushtetit, por udhëheqës që dinë të ndërtojnë një shoqëri të drejtë dhe të qëndrueshme.