Nga Dr. Selim IBRAIMI
Ngjarjet e fundit në Bosnje dhe Hercegovinë (B-H) janë shenja jo të mira. Pasi gjykata njoftoi se Millorad Dodiku, (lideri separatist serb i Republika Srpska), i ka shkelur ligjet e federatës, situata etnike dhe e sigurisë është përkeqësuar deri në shkallën e shkëputjes së serbëve nga B-H. Ditë më parë, prokurorët urdhëruan arrestimin e tij, por Dodik ka kërkuar ndihmë nga Rusia për të vënë veton ndaj EUFOR-it. Forcat paraushtarake dhe qeveria e serbëve atje, ka punuar shumë që ndarja nga federata të mbetet vetëm çështje kohe. Duke marrë parasysh situatën e favorshme të serbëve në Ballkan dhe të Rusisë në skenën ndërkombëtare e sidomos pas ndryshimit të qëndrimit të SHBA-së, shpërbërja e B-H është e afërt, thonë disa analistë. Presidenti i serbëve Millorad Dodik që nga viti 2008 ka minuar ligjet dhe kushtetutën e B-H me idenë për t’iu bashkuar Serbisë. Këto janë vlerësuar si projekte ku të gjithë serbët duhet të jetojnë në një shtet.
Komuniteti ndërkombëtar, SHBA dhe BE kanë shprehur shqetësime prej vitesh, por Dodiku i ka injoruar kërkesat ndërkombëtare pa asnjë pasojë. Ai ka hyrë në listën e zezë të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Kohëve të fundit ai ka lëshuar disa kritika të ashpra ndaj Departamentit të Shtetit. Por duhet pranuar se përpjekjet për arrestimin e tij kanë ndryshuar dinamikën me gjasa të mëdha që ngjarjet të marrin forma të ndryshme që tregojnë për aksione konkrete për shkëputje përfundimtare nga federata. Siç deklaroi Sekretari i Shtetit Marco Rubio, veprimet e Millorad Dodikut janë të papranueshme dhe cenojnë sovranitetin e B-H. Veprimet e presidentit të Republika Srpska, Millorad Dodik, po minojnë institucionet e B-H, dhe po kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj.
“SHBA inkurajon liderët politikë që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon që të bashkohen me ne për të kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe destabilizuese”-nënvizoi në një postim në X Marco Rubio. SHBA-ja duhet të punojë me BE-në në hapa konkretë, veçanërisht në atë ushtarak nëse duan që Bosnja e Dejtonit të mbetet e njëjta. Në këtë linjë, paqeruajtës shtesë të BE-së janë parë në BeH si pjesë e mbështetjes së paqëndrueshmërisë që ekziston në B-H. Realisht as arrestimi i Dodikut nuk do të ndihmojë gjendjen aktuale në B-H, nëse nuk përcaktohet qartë e ardhmja e federatës në këtë kohë ku vetë faktori ndërkombëtar, pavarësisht deklaratave nuk ka vizion të qartë për të ardhmen e B-H.
Për sa i përket rikonfigurimit të gjeopolitikës, B-H mund të luftojë për të ruajtur unitetin, mirëpo pjesa myslimane e federatës është e paaftë ta bëjë këtë. Si zgjidhje do të vinte opsioni i ndarjes së serbëve nga boshnjakët. Të qëndrohet së bashku pa dëshirën e politikës dhe qytetarëve serbë, është humbje kohe me asnjë përfitim për federatën. SHBA dhe BE, nuk kanë mbështetur plane të tilla hapur për shembjen e federatës, por e ardhmja ka gjasa të lëvizë proceset në atë drejtim. Pavarësisht dilemave ndërkombëtare dhe frikës së brendshme, NATO ka shfaqur shqetësime rreth zhvillimeve të fundit, gjithnjë duke mbështetur integritetin e B-H. Sekretari i aleancës Mark Rutte theksoi se NATO mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit të rajonit dhe ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së B-H.
“Marrëveshja e Paqes e Dejtonit është gur themeli i paqes në këtë vend dhe duhet respektuar; dhe ne mbështesim Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë; çdo veprim që cenon Dejtonin, rendin kushtetues ose institucionet kombëtare është i papranueshëm” “Retorika dhe veprimet inflamatore janë të rrezikshme; ato përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe sigurinë e B-H.” Sekretari Rutte nënvizoi gjithashtu nevojën që liderët politikë në B-H “të bëjnë pjesën e tyre” dhe “të marrin përgjegjësi” për përparimin dhe stabilitetin e vendit të tyre.
“Ky nuk është viti 1992 dhe se NATO dhe partnerët e saj ndërkombëtarë të pranishëm dhe të angazhuar në BeH nuk do të lejojnë të shfaqet një vakum sigurie”- tha Rutte. Por nga ana tjetër, për të minuar politikat dhe veprimet e Perëndimit, Millorad Dodiku ka luajtur një rol të rëndësishëm në udhëheqjen e aksioneve për një shtet të pavarur. Kështu, parlamenti i Republika Srpska, ka miratuar një draft të një kushtetute të re që synon shkëputjen, duke i dhënë Republika Srpskës kompetenca të plota kombëtare, duke përfshirë këtu krijimin e ushtrisë dhe gjyqësorit.
Në këtë kohë kur SHBA po përballet me sfida të brendshme dhe ndërkombëtare dhe me një BE të paaftë, do të jetë shumë e vështirë të mbahet federata e bashkuar dhe të ndëshkohen serbët për tendencat për shkëputje. Me pak fjalë e ardhmja e federatës është dorën e boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve që përfundimisht duhet të vendosin për të ardhmen e federatës pa pasur nevojë për një konflikt tjetër.