Nga Dr. Selim IBRAIMI
Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar për të hapur kapitujt me BE-në, jo vetëm për shkak të kërkesave të Sofjes, por edhe për shkak të inatit të Shkupit zyrtar. Ndërsa BE-ja ka ndarë 6 miliardë euro për të mbështetur integrimin dhe zhvillimin ekonomik të Ballkanit, qeveria e kryeministrit Hristijan Mickoski si duket mbështetet në retorikë dhe mosveprim. Zgjidhja e mosmarrëveshjes me Bullgarinë përmes ndryshimeve kushtetuese dhe diplomacisë aktive është çelësi për hapjen e dyerve të BE-së. Parashtrohet pyetja se pse Shkupi zyrtar duhet të veprojë tani?
“Nëse Ukraina do të priste aq gjatë sa Maqedonia e Veriut për të filluar negociatat, ajo do t’i fillonte negociatat e pranimit në vitin 2045. Maqedonia e Veriut është një histori e trishtueshme në Ballkan, së bashku me Kosovën dhe Bosnjën dhe Hercegovinën”, tha Komisionerja e Zgjerimit Marta Kos në një intervistë me Radion Evropa e Lirë.
Çështja e hapur midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut ka pasoja afatgjata për anëtarësim në BE të Shkupit zyrtar dhe në përgjithësi ndikon në sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit. Por që nga viti i kaluar, qëndrimi i ashpër i qeverisë së kryeministrit Hristijan Mickoski ndaj kërkesave bullgare ka ngritur shqetësime se pasiviteti dhe blerja e kohës kanë zëvendësuar angazhimin e marrë për të bërë ndryshimet dhe për të ndjekur procesin e BE-së. Koha tregon se kjo mund të jetë në dritën e politikës në Shkup. Për shkak të mungesës së angazhimit të drejtëpërdrejtë me qeverinë në Sofje, qeveria në krye me Hristijan Mickoskin, nuk ka arritur të gjejë një mënyrë për të zbutur armiqësitë me Bullgarinë. Disa qëndrime politike të shprehura në korrik të vitit 2024 në lidhje me ndryshimet kushtetuese dhe paqëndrueshmërinë në Bullgari janë tregues i diplomacisë së ngecur. Qëndrimi publik dhe diplomatik tregon një strategji vonese dhe rezistence.
Përkundër shpresës së qeverisë se çështja do të lëvizë në favor të Maqedonisë së Veriut, një gjë e tillë deri më tani nuk ka ndodhur. Qeveria në Shkup së pari priti që administrata amerikane e presidentit Donald Trump të hapte një derë të re për një pozicion të fortë ndaj Bullgarisë. Në pamundësi për të gjetur një zgjidhje me Bullgarinë, faji tërthorazi i është atribuar BE-së. Edhe pse BE-ja nuk e ka ndryshuar qëndrimin në lidhje me hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, për fat të keq, qeveria po vazhdon të qëndrojë në një pozicion të vdekur pa opsion për ta zgjidhur çështjen ose për ta zhvendosur nga statusi zero. Këtu Maqedonia e Veriut po tregon së e ka vështirë të bëjë më shumë e të tregohet se është një anëtar serioz për në familjen evropiane.
BE-ja, pavarësisht ndarjeve të brendshme ndaj zgjerimit me anëtarë të rinj nga Ballkani, ka qenë bujare dhe i ka ndihmuar vendet e Ballkanit. Për të vërtetuar se BE-ja ka qenë e interesuar në suksesin e shteteve të Ballkanit dhe të Maqedonisë së Veriut në procesin e saj të pranimit në BE, unioni ka ndarë 6 miliardë euro, një shumë e të cilave shkon edhe për Maqedoninë e Veriut. Tani, ku qëndron problemi? Eurodeputeti austriak Thomas Waitz, raportuesi i Parlamentit Evropian (PE) për Maqedoninë e Veriut, në fillim të marsit të 2025-ës tha se do ta përqendrojë kryesisht punën e tij për të bindur Bullgarinë që të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut. “Mendoj se është shumë e qartë se çështjet dypalëshe duhet të diskutohen midis vendeve, por jo të kenë ndikim vendimtar në procesin e negociatave”. “Po, duhet të kesh marrëdhënie të mira fqinjësore për anëtarësim në BE, por procesi i negociatave nuk duhet të pushtohet nga shtetet anëtare për të zgjidhur çështjet dypalëshe”, tha Waitz. “Deklarata të qarta nga Këshilli Evropian, Komisioni Evropian dhe qeveria në Sofje janë të nevojshme për të ofruar garancitë që kërkon Maqedonia e Veriut për t’u siguruar që nuk do të përballet me kërkesa shtesë të paparimshme përgjatë rrugës”. Megjithatë, duket se problemi është më i ndërlikuar.
Politika aktuale në Shkup dhe në Sofje po shfaq mungesë të vullnetit politik për raporte të mira bashkëpunimi. Për shembull, nëse Maqedonia e Veriut do të dëshironte të ndërmerrte hapa të rëndësishëm, për të zgjidhur problemin me Bullgarinë e të afrohej shumë më shpejt se të tjerët me BE-në, këtë do të kishte mundur ta bënte. Meqenëse çështjet kombëtare kanë marrë kahje nacionaliste, dhe inati është rritur në Shkup dhe Sofje, do të jetë sfiduese të zgjidhet çdo çështje, sepse qeveritë e kaluara të Maqedonisë së Veriut kanë shfaqur me dekada vështirësi për t’i menaxhuar marrëdhëniet ndërshtetërore. Zyrtarë të qeverisë e re e thonë të kundërtën se janë të hapur. Kjo qasje mund ta çojë qeverinë e Mickoskit të gjykojë gabimisht raportet e saj me Bullgarinë, si dhe në sfidat e saj të brendshme. Se çfarë kemi dëgjuar nga viti 2017 mund të vlerësohen si vetëm fjalë dhe shumë pak hapa konkretë për të lëvizur nga gjendja aktuale. Akuza dhe deklarata të pamatura nuk do t’i përmirësojnë marrëdhëniet.
Në aspektin e aspiratës për anëtarësim në BE, veprimet tregojnë se çështjet janë drejtuar në drejtim të gabuar. Ajo çfarë duhet të ndërmarrë qeveria në Shkup, është kreativiteti diplomatik duke propozuar zgjidhje të pranueshme si krijimi i një komisioni të ri të jashtëm për sa u përket çështjeve historike dhe identitare. Këtu duhet të shihen disa qasje të ndryshme për të rruajtur identitetin dhe ecur përpara në BE. Nëse jo, status quo-ja do të çojë në pazare të ndryshme pa rezultate. Për të parandaluar rrëshqitjen drejt humnerës, qeveria në Shkup qoftë me ndihmën e BE-së dhe SHBA-së do të duhej të provonte se është e përkushtuar në vepër për hekurudhën që lidh Maqedoninë e Veriut me Bullgarinë. Akuzat Shkup- Sofje rreth Korridorit-8 tregojnë se njëra prej palëve nuk po tregohet e sinqertë. Që të jemi të qartë, të gjitha partitë në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht se kush ka qenë në qeveri, kanë luajtur politikë me emocione. Dhe ja ku jemi tani, çështja e hapur pret zgjidhje deri në hapin e parë që duhet ta bëjë Maqedonia e Veriut me ndryshimin e kushtetutës, e cila do t’i vendoste bullgarët si grup minoritar në Maqedoninë e Veriut. Një veprim i tillë do të pritej mirë nga BE-ja dhe Bullgaria që nënkupton integrim i shpejtë i Maqedonisë së Veriut në BE. Gjatë katër viteve të fundit, problemi ishte mungesa e shumicës për të miratuar ndryshimet kushtetuese, por pas formimit të qeverisë nga VMRO-ja, me VLEN -in dhe ZNAM-in në qershor të 2024-ës, pengesa nuk ka për t’i arritur numrat e nevojshëm për t’i bërë ndryshimet kushtetuese. Numrat janë por nuk ka vullnet politik. Mirëpo, që nga qershori i 2024-ës nga qeveria e Mickoskit nuk kemi parë asnjë aksion diplomatik për të angazhuar Sofjen në bisedime të gjithëanshme.
Arsyetimet e Shkupit zyrtar kanë qenë të shumtat, duke filluar nga droja për kërkesa të reja e deri në kërkesa për një qasje të re të BE-së ndaj procedurës së negociatave të Brukselit me Maqedoninë e Veriut. Qeveria e Mickoskit apo çdo qeveri e ardhshme pa dyshim se nga Sofja apo nga jashtë duhet të marrë garanaca se nuk do të ketë kërkesa të reja. Megjithëse qeveria e Mickoskit mbështetet në supozimin se qytetarët e kanë të qartë se ai dhe qeveria nuk e kanë aq lehtë të rrumbullaksojnë çështjen e identitetit maqedonas, prapëseprapë, përfundimi apo nisja e një projekti ekonomik me Bullgarinë ka gjasa të vërtetojë se qeveria pret kohën e duhur për të bërë ndryshimet kushtetuese dhe filluar bisedimet. Disa skeptikë të tjerë thonë se është e vështirë që Maqedonia e Veriut të lëvizë nga politikat e së kaluarës të grindjes me fqinjët. Për rastin me Bullgarinë duhet një balancë në mes shqetësimeve të brendshme, kërkesave të Bullgarisë dhe të BE-së. Dështimi për të arritur një marrëveshje me Bullgarinë rrezikon ringjallje edhe ashtu të nacionalizmit në rritje. “Traktati i miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit” midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut i gushtit të vitit 2017 duhet të kthehet në një miqësi të vertetë e jo një traktat që prodhon armiqësi midis dy shteteve. Maqedonia e Veriut është vend kandidat për në BE që nga viti 2005. Ishte fillimisht Greqia e cila në vitin 1991 vendosi veto- një çështje që përfundoi në gusht të vitit 2018 me nënshkrimin e “Marrëveshjes së Prespës” dhe ratifikimin në vitin 2019. Në nëntor të 2020-ës Bullgaria vendosi veto ndaj Maqedonisë së Veriut e cila vazhdon të mbetet pengesë deri më sot. Ndërkohë që qytetarët janë në pritje se çfarë do të ndodhë, çështja më Bullgarinë nuk do të zgidhet vetëvetiu.
Qeveria e Mickoskit duhet të niset nga fakti se marrëveshja do të ishte më mirë të arrihej tani, sepse e ardhmja mund të shtrihet në një situatë të ndryshme, e cila mund të ketë pasoja jo vetëm për identitetin. Nëse do të vazhdohet me të njëjtën dinamikë, shumë analistë kanë shfaqur drojë se politika e inatit mund të mos sjellë asgjë. Zvarritja e problemit me Bullgarinë pritet të vështirësojë rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së dhe më shumë. Pasojat e politikave të tilla mund të thellojnë emigrimin në rritje dhe të nxisin tensione ndëretnike, duke ndikuar në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut. A mund t’i shmangë qeveria skenarët e tillë? Vjeshta e këtij viti dhe 2026-ta, ka të ngjarë të zbulojë më shumë rreth çështjes së hapur me Bullgarinë, integrimin në BE dhe euroskepticizmin.