”Për ngritjen e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare”

GJENERAL PIRO AHMETAJ
Paraprakisht falënderoj me mirënjohje median për publikimin gjerësisht të një pakete me vlerësime dhe rekomandime strategjike rreth domosdoshmërisë kritike për të përditësuar dhe modernizuar sistemin e peshimit të rreziqeve si dhe të mbrojtjes dhe zhvillimit të interesave kombëtare.
Në vijim, po insistoj fort për një nga shtyllat me peshë thelbësore në suksesin e reformave të Sistemit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare. Më konkretisht rekomandoj: “Ngritjen e një mekanizmi zyrtar për të integruar të gjitha hallkat e sistemit, të agjencive, të kapaciteteve, rregullave të angazhimit, si dhe kulturës së bashkëpunimit ndërinstitucionale në këtë fushë”. Kjo, pasi:
Në 30 vitet e fundit, koncepti dhe strukturat/mekanizmat e Sistemit të Sigurisë Kombëtare janë projektuar, planizuar, drejtuar dhe menaxhuar në mënyrë të fragmentuar, pra, secili institucion apo agjenci vetë, sipas fushës së misionit, përgjegjësive dhe detyrave respektive.
Megjithë përpjekjet dhe përmirësimet, në shumicën e rasteve mbeten ende dublikime, struktura paralele si dhe veçanërisht “kompeticion/konkurrencë dhe qasje otomane” (midis institucioneve dhe agjencive shtetërore të sigurisë), jo për zbatimin e përgjegjësive, por sidomos për të mbajtur kompetencat reciproke.
E thënë edhe më qartë, eficienca e parashikimit dhe e peshimit të kërcënimeve, vendimmarrjeve, veçanërisht aftësitë operacionale në këtë fushë janë zhvilluar mbi koncept, model dhe traditë të çintegruar.
Për një vend të vogël si vendi ynë, kjo përqasje (e çintegruar) përbën një barrë të rëndë, por edhe me kosto shumë të lartë. Thënë këto, ka ardhur, (në mos i ka kaluar) koha për të ndërtuar një koncept, qasje, mekanizëm/ strukturë si dhe masa shtetërore të integruara.
Përtej dhe përfshi RSH, rendi i sigurisë globale është tronditur nga riciklimi i frikshëm i luftërave tradicionale, si rasti i sulmit neonazist të Rusisë putiniste jo vetëm kundër sovranitetit të Ukrainës, por edhe si sfidë ndaj rendit të sigurisë globale, kohezionit, fuqisë ushtarake, si dhe interesave gjeopolitike të Aleancës Transatlantike (NATO/USA/BE)!
Nga ana tjetër, prej më shumë se 20 viteve të fundit, bota po vijon të përballet me kërcënimet terroriste, rreziqet kibernetike, fatkeqësitë natyrore, pandemitë, emergjencat natyrore, krizat financiare etj.
Për edhe më tepër, pasojat e shteteve/ demokracive të dështuara, korrupsionit shtetëror, krimit të organizuar, tërmetet dhe Covid-19, sulmet kibernetike ndaj sistemeve dhe infrastrukturave dixhitale, kanë shkundur jo vetëm arkitekturën dhe themelet/gravitetin e sistemit të Sigurisë globale, Kontinentale, Rajonale, por edhe Sistemin e Sigurisë Kombëtare.
Prej 14 vitesh, Republika e Shqipërisë është pjesë e sistemit të mbrojtjes kolektive (artikulli 5 i NATO-s), jo vetëm me përfitime të jashtëzakonshme, por edhe kontribute më shumë se dhe detyrimet respektive.
Megjithë përpjekjet dhe arritjet, RSH mbetet larg nga modelet dhe eficienca e ushtrimit të balancuar të pushteteve. Kjo, pasi mungon një mekanizëm/institucion zyrtar për të peshuar rreziqet si dhe planizuar masa shtetërore të integruara ndaj kërcënimeve te sigurisë së qytetarëve, shoqërisë, standardeve demokratike, si dhe interesave kombëtare.
Po ashtu, do doja të isha gabim, por në fakt Strategjitë e Sigurisë Kombëtare (SSK -2004/ 2014) kanë mbetur si dokument në letër, pak në mos aspak të zbatueshme në praktikë, ose edhe për më keq, vetëm si inventar në sirtarët e zyrave të qeveritarëve të radhës.
Prandaj, me përulësinë e një eksperti, me eksperiencë më shumë se modeste në fushën e reformave të sigurisë kombëtare, rajonit, NATO-s, e përsëris se mbetet emergjencë kombëtare transformimi i Sistemit, me qëllim: “modernizimin e konceptit zyrtar, strukturave, pajisjeve dhe kapaciteteve; aftësive operacionale edhe i kulturës së bashkëpunimit mes strukturave/ agjencive përgjegjëse, në interes të sigurisë së jetës, shëndetit, pronës dhe mirëqenies së qytetarëve; zhvillimin e interesave kombëtare si dhe forcimin e besimit të shqiptarëve në vlerat e shoqërive euroatlantike dhe përmbushjen e detyrimeve të RSH në NATO”.
Thënë këtë, si prioritet Nr. 1 të kësaj reforme, mbetet aplikimi i një modeli të integruar ose me fjalë të tjera: “Ngritjen e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ASK). Në vijim po paraqes një “Concept Paper”:
1. Fusha e Veprimit dhe Misioni: ASK do t’i sigurojë, Ekzekutivit/Kryeministrit dhe autoriteteve të larta shtetërore: “Pamje në kohë reale dhe të integruar për peshën e kërcënimeve dhe vendimmarrjet respektive; do të luajë një rol thelbësor në formulimin e Strategjisë së Mbrojtjes dhe Zhvillimit të Interesave Kombëtare si dhe në përgatitjen e
paketës ligjore, monitorimin e realizimit të objektivave sipas matricës së detyrimeve ndërinstitucionale në këtë fushë”.
ASK është projektuar të luajë një rol iniciues edhe për formulimin e strategjive sektoriale (SSK, RSM, SU, PAZH, etj.), si dhe do të koordinojë dhe monitorojë realizimin e objektivave nga institucionet respektive.
Për me tepër, ASK do të shërbejë si strukturë qendrorë për të harmonizuar përgatitjen e (draft) vendimmarrjeve në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit të interesave kombëtare për 3 pushtetet (Kryeministër, Kuvend, President), si dhe për ato në kuadrin e mbrojtjes kolektive të Aleancës, etj.
Po ashtu, ASK do të shërbejë për përgatitjen e axhendës së mbledhjeve të Komitetit Ndërministror të Politikave të S&MbK. Si e tillë do t’ju sigurojë në mënyrë periodike dhe rast pas rasti (para takimeve) të gjithë anëtarëve të KNPSK, një pamje të integruar dhe të njëjtë për çështjet e kërcënimeve dhe respektivisht të vendimmarrjeve strategjike.
Edhe pse një strukturë e vogël (që mundet të zgjerohet në varësi të vizionit të Kryeministrit), nëpërmjet qasjes së integruar, ASK do të shërbejë edhe si mekanizëm për të përditësuar dhe transformuar të gjithë arkitekturën dhe eficiencën e mekanizmave të sigurisë kombëtare.
Për sa i përket barrës financiare, ASK është po ashtu një qasje racionale dhe gjithsesi nuk do të ketë rritje të numrit personelit. Kjo, pasi ASK do të ngrihet si rezultat i reduktimeve (duke shmangur dublikimet) të disa strukturave të analizave strategjike në MM, MB, MJ, SHISH dhe disa Agjenci të Inteligjencës etj.
Për të përmirësuar rrënjë-sisht dimensionin aplikativ, e çmoj si një gjetje eficiente që ASK të jetë në vartësi të Kryeministrit, si dhe në përbërje të ketë dy shtylla kryesore: (a) vlerësime strategjike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe zhvillimit të interesave kombëtare, si dhe (b) koordinimin dhe monitorimin e përgjegjësive ndërinstitucionale në përmbushjen e objektivave të SSK, detyrimeve në NATO, BE, etj.
Duhet thënë se, përveç rëndësisë dhe rolit në nivelin mbarëkombëtar, ky projekt do të ketë peshë dhe do të shërbejë si një nga shtyllat e besimit të bashkëpunimit strategjik midis RSH dhe SHBA dhe NATO-n.
Gjithsesi, si për të gjitha çështjet me rëndësi kombëtare, edhe për ASK do duhet: ”Gjithëpërfshirje dhe konsultim shterues” me aktorët, faktorët dhe personalitete brenda vendit, aleatët strategjikë USA, NATO. Ndërsa më tej do duhet të ngrihet një
grup “ad-hoc” për të finalizuar konceptin, misionin, strukturën si dhe rregullat e angazhimit dhe vartësinë të kësaj Agjencie.
2. Lista e përgjegjësive/detyrave kryesore:
a) Planizimi, zhvillimi dhe drejtimi i procesit të Rishikimit Strategjik të Sigurisë Kombëtare (SDR). Mbi gjetjet e saj, inicimi dhe koordinimi i procesit të formulimit të SSK 2024- 2035.
b) Monitorimi dhe raportim periodik për Kryeministrin mbi përmbushjen e objektivave të sigurisë (sipas matricës ndërinstitucionale), skenarët e emergjencave civile si dhe përmbushjen e angazhimeve të RSH në kuadër të NATO-s, BE, UN etj.
c) Përgatitja e axhendës së takimeve të Komitetit Ndërministror të Politikave të Sigurisë pranë Kryeministrit, si dhe ndihmesë sipas vullnetit të Presidentit për rastet e mbledhjeve të KSK.
d) Rekomandimi i qëndrimeve për Kryeministrin mbi vendimmarrjet në fushën e sigurisë kombëtare dhe interesave gjeopolitike, për në NATO, BE, UN, etj.
e) Përfaqësimi në forume, konferenca, kolegje, qendra studimi strategjike (kombëtare dhe ndërkombëtare) për çështje të sigurisë kombëtare, rajonale, NATO, BE dhe ato globale. 3. Struktura: Theksoj se struktura e ASK nuk do të jetë kurrsesi një shtojcë personeli dhe as barrë shtesë financiare. Përkundrazi, krahas adoptimit të një qasje të integruar në menaxhimin e përgjegjësive/detyrave shtetërore, ASK do të “kursejë personel dhe para” pasi ajo do të ngrihet mbi reduktimin/reformën e strukturave paralele të analizës, vlerësimit dhe monitorimit në institucionet dhe Agjencitë e sigurisë që merren me misione të ngjashme, siç mund të jenë Instituti/Qendra e Sigurisë në MM, të Policisë, strukturat e mbledhjes dhe analizës së informacioneve të hapura në MJ, MB, SHISH, Emergjencat Civile, si dhe Agjenci të tjera. Po ashtu, ASK mund të zgjerohet rast pas rasti (në varësi të rrethanave) më të komanduar (&paguar) nga struktura të tjera të fushës së sigurisë për nevojat e kësaj agjencie. ASK mund të ngrihet në nivelin e një sekretariati të përbërë me disa drejtori kryesore, si për vlerësimet strategjike dhe peshimin e kërcënimeve, monitorimin e realizimit të objektivave; përfshi atë të Situatës Operacionale (ZOS) si dhe Sektori i Mbështetjes me Shërbime. Kjo Agjenci do duhet domosdoshmërisht të ketë ekspertë me eksperiencë strategjike brenda vendit dhe strukturat ndërkombëtare, diplomaci, inteligjenca, ushtarakë të lartë në rezervë, Policia e Shtetit etj.
Në shtesë, duhet ta nënvizoj se ngritja e ASK është në përputhje me hapësirat kushtetuese, si dhe përbën një përqasje aktive dhe të përgjegjshme të institucioneve shtetërore në
fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së interesave kombëtare. Po ashtu, duhet nënvizuar se, koncepti, përqasja dhe struktura e integruar (ASK) është një eksperiencë e aplikuar me sukses në SHBA, Slloveni, Kroaci, vendet baltike, etj.
Nga ana tjetër, ngritja e ASK është një projekt dhe një ndërmarrje e vështirë, që lidhet me paketën ligjore, ndryshimet strukturore, veçanërisht me mentalitetin e “vartësisë”, traditën dhe problematikat e bashkëpunimit në ekzekutimin e përgjegjësive shtetërore. Prandaj, pasi/nëse kjo “Projekt-Ide” do miratohej në parim, për zbatimin në praktikë do të duhet të ngrihet një grup i përbashkët ndërinstitucional, i cili përveç modernizimit të konceptit të integruar do duhet të identifikojë edhe një paketë ndryshimesh ligjore, strukturore, administrative dhe rregullat e angazhimit deri në ngritjen dhe funksionimin e ASK.
Së fundmi, e përsëris fort se në reformat e sistemit të sigurisë, nuk kontribuon fare, as protagonizmi, as privatizimi politik dhe as rambo-delirantët, por dashuria dhe përulësia për atdheun, vizioni, përkushtimi ndaj detyrës, përgjegjësia e lartë ndaj interesave kombëtare, besimi në vlerat demokratike si dhe ndaj partneritetit strategjik me SHBA, NATO-n.
*Gjeneral ® Piro AHMETAJ Senior Expert për SK, Rajonin dhe NATO-n, Zv/President i Këshillit të Atlantikut. Anëtar i Bordit të Izrael House Albania, Ish: Këshilltar Ushtarak i Presidentit të RSH, ZV/SHSHPFA & Përfaqësues në SHAPE/NATO