Nga Dr. Jorgji KOTE
Duke përjetuar “tersin“ në raundin e parë të zgjedhjes paraditen e datës 6 Maj në Bundestag, shumë i japin akoma më të drejtë Friedrich Merz-it kur Aleancën e re qeveritare të qendrës së djathtë CDU/CSU-së me social – demokratët e SPD-së, nuk e quan më si deri tani “ Koalicioni i Madh” por “ Koalicioni i Punës”. Se do jetë plot punë dhe përpjekje për kapërcimin e sfidave madhore dhe realizimin e ndryshimeve epokale. Madje puna filloi qysh në mbasditen e datës 6 Maj, me mobilizimin mbarëpartiak dhe zgjedhjen e tij si Kancelar në raundin e dytë të asaj date; natyrisht mes një lumi dyshimesh, hamendësimesh dhe hipotezash lidhur me ” 18 tradhëtarët” deputetë. Një akt i pashembullt që dëmtoi imazhin e Kancelarit të ri, të CDU/CSU-së dhe SPD-së me liderët e tyre dhe të demokracisë gjermane, duke i dhënë qysh ditën e parë goxha municion politik AfD-së ekstremiste.
Duke e kaluar këtë ” sy të keq” siç e quajnë ”për ngushëllim” dhe përpara se të shtjellojmë titullin e këtij shkrimi, po pëmendim disa veçori dalluese të këtij koalicioni të madh pune, i katërti i këtij lloji mbas vitit 2005 , mbasi prej aty mund të nxirren mësime të vyera dhe për politikën tonë, sidomos atë në Prishtinë, etj.
Kancelari i 10 gjerman i paslufte, 69 vjeçari Friedrich Merz ( Fridrih Mer) theu rekord në historinë gjermane të 80 viteve të fundit, duke e krijuar koalicionin e Madh qeveritar të Punës brenda 75 ditëve, përfshirë procedurat e shumta për miratimin e tij dhe të programit nga forumet dhe anëtarësitë e këtyre dy partive!
Dhe bëhet fjalë për një program të hartuar nga 16 grupe të mëdha pune me 256 ekspertë partiakë dhe profesionistë vërtet të kyçur për një muaj rresht! Këtu ndikoi kryesisht trysnia politike pas trashëgimisë negative të qeverisë së Scholz-it, më jetëshkurtëri me as 3,5 vjet si Kancelar dhe sidomos dinamikat e reja tronditëse të shkaktuara nga qëndrimet e Presidentit Trump ndaj BE-së, NATO-s, Rusisë, Ukrainës, demokracisë dhe rendit ndërkombëtatar. Ky ”rekord” politik u thye dhe falë frymës së kompromisit që CDU-ja tregoi ndaj SPD-së. Ndonëse e para kishte fituar dy herë më shumë vota popullore në zgjedhjet e parakohshme të 23 Shkurtit, u ra dakord që të dyja partitë të kenë nga 7 portofole ministrore secila!
Çfarë kontrasti i madh me Prishtinën zyrtare, e cila tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare dhe pas 10 raundesh ende nuk po zgjedh dot Kryetarin e Kuvendit!
Fredrich Merz u rikthye në politikën aktive 10 vjet pas shkëputjes në vitin 2008, kur u largua për shkak të papajtueshmërive me ish Kancelaren Merkel. Gjatë asaj kohe ai pati një karriere të suksesshme në biznesin e madh privat dhe në 7 vitet e fundit konkuroi në instancat e hierarkisë partiake të CDU-së. Vitin e kaluar ai bëri dhe pajtimin historik me Merkelin, duke qetësuar dhe fituar mbështetësit e saj të shumtë. Edhe Merkel iu përgjigj, duke e nderuar dhe me praninë e saj në tribunën e nderit në Bundestag më 6 Maj, ditën e ” shugurimit” të Kabinetit të tij.
Merz është Euro-Atlantist i shquar, deputet, ish Nr. 2 i CDU/CSU deri në vitin 2005, avokat dhe afarist me përvojë, polemist brilant dhe familjar shembullor.
Një e re tjetër e rëndësishme është se për herë të parë pas pothuajse 6 dekadash, ministri i ri i Jashtëm, zoti Johann Vadephul vjen nga CDU/CSU bashkë me zëvendësin e tij, Ministrin e Shtetit Gϋnther Kirchbraun. Nga viti 1965 e deri më sot, atë post e kanë mbajtur liderë të SPD-së, Partisë Liberale dhe të Gjelbërve. Me emra të mëdhenj – Ëilly Brand që më vonë u bë Kancelari nobelist, emblematiku liberal Hans Dietrich Genscher për 17 vite rresht, Klaus Kinkel, Joschka Fischer, Frank Walter Steienmeier ( 2 herë), Guido Westerëelle, Sigmar Gabriel, Heiko Maas dhe në tre vitet e fundit e Gjelbëra Analena Baerbock, Ministrja e parë gjermane grua por dhe më jetëshkurtëra në këtë post të lartë.
Të gjithë këta kryediplomatë kanë qenë aktivë dhe në Ballkan e sidomos në vendin tonë; duke e vizituar mëse një herë dhe si promovues të Paktit të Stabilitetit, Stabilizim – Asociimit dhe Procesit të Berlinit. Madje, gjatë vizitës së tij të parë në Tetor 1987 në Tiranë, Genscher vuri “ gurin e themelit“ të Ambasadës gjermane.
Kësisoj, Merz tani do ta ketë “ nën hyqmin “ e vet diplomacinë në kushtet e reja të ndërlikuara ndërkombëtare. Ca më tepër se për herë të parë, Gjermania do të ketë një Këshill Kombëtar Sigurie pranë Kancelarisë. Vadepuhl( Vadeful) i ka të gjitha kapacitetet politike dhe ekspertizën e nevojshme; deputet në Bundestag nga viti 2009, Zv.Kryetar i Grupit Parlamentar, ekspert i mirënjohur i çështjeve europiane dhe sigurisë ndërkombëtare. Ka treguar përherë vëmendje dhe interesim për rajonin dhe vendin tonë, përfshirë qëndrimet e tij kritike në vitet 2019 – 2021, kur propozonte 9 kushte për çeljen e negociatave të anëtarësimit tonë në BE.
Po ashtu, për herë të parë, Ministër i Mbrojtjes nuk do të jetë nga CDU-ja, por do të vijojë Ministri i deritanishëm Boris Pistorius i SPD-së; politikani më popullor gjerman në tre vitet e fundit. Për më tepër kur mbrojtja ka dalë në pah dhe në krye të axhendës europiane. Sa për ekonominë e sëmurë gjermane, shpresat janë te ministrja e re, Katherina Reiche, e cila vjen nga zona lindore e Brandenburgut, kimiste me profesion, e mirënjohur si drejtuese biznesi dhe ish sekretare shteti.
Në dritën e sfidave të vështira në fushën e sigurisë, rendit, policisë, Ministër i Brendshëm është emëruar sekretari i Përgjithshëm i CSU-së bavareze, Aleksandër Dobrindt, i cili ka përvojë të mëparshme qeveritare dhe në sektorë të tjerë federalë.
Veçoria tjetër e madhe dalluese e këtij koalicioni qeveritar ka të bëjë me sfidat vërtet mamuthiane të brendshme, e sidomos ato gjeopolitike me të cilat ndeshet Gjermania; ku spikat roli i saj i ri në realizimin e një paqeje të qëndrueshme në Ukrainë, funksionimin dhe reformimin e brendshëm të BE-së dhe veçanërisht ruajtjen, sa të jetë e mundur të kohezionit politik dhe institucional me SHBA-të.
Nisur nga këto faktorë, në Gjermani ka një konsensus i gjerë politik se ndryshimi që pritet të bëhet tani do të jetë më epokal se Ostpolitika e Willy Brandt e viteve 70 apo dhe ribashkimi gjerman në vitin 1990, i realizuar nën Kancelarin Kohl.
Personalitete të larta politike gjermane, ndërmjet tyre dhe ish Ministri i Jashtëm Joschka Fischer shkojnë dhe më larg, duke pohuar se sot gjendja dhe problematikat gjermane ngjasojnë më shumë me vitin 1949, kur u zgjodh Kancelari i parë , ” babai” i Gjermanisë së re, Konrad Adenauer po i CDU-së. Mirëpo, krahas ngjashmërive, midis këtyre dy epokave ka shumë dallime dhe kontraste të mëdha.
Kështu, 75 vite më parë Adenauer mori drejtimin e një shteti të shkatërruar nga Lufta e II Botërore; ndërsa tani dhe pse më mirë, prapë Gjermania vjen e dërmuar pas krizave në BE, COVID – 19 dhe humbjeve nga agresioni rus ndaj Ukrainës.
Vetëm 10 vite mbas Luftës, Gjermania Perendimore krijoi “ mrekullinë sociale” me mirëqenie për të gjithë” që duket kujtim i largët, mbasi tani ajo duhet të sigurojë kërkesat më minimale sociale dhe ekonomike, kur 14 milionë gjermanë janë të varfër dhe shteti social tingëllon luks i paarritshëm.
Ndaj kërkohet urgjentisht rimodelimi tërësor i ekonomisë gjermane, të mbështetur kryesisht në industrinë e automjeteve në krizë, si pasojë e rritjes së tarifave të energjisë mbas agresionit rus kundër Ukrainës. “ Zemreku” i ekonomisë dhe eksportit gjerman, siç njihet, ajo është bërë viktimë e makinave elektrike kineze dhe tarifave. Tejet shqetësuese janë gjendja e shëndetësisë, kostoja e jetesës, etj.
Atëhere, për shkak të trashëgimisë së Luftës së II Botërore, Gjermania përqafoi pacifizmin si ideologji dhe politikë, i cili kulmoi në vitet 70 – 80, për t’u rikthyer fuqishëm vitet e fundit. Ndërsa tani, ajo ka hequr dorë përfundimisht nga pacifizmi, me synimin për t’u bërë fuqi e madhe ushtarake me karakter mbrojtës. Kjo sepse deri tani vonë mbrojtjen dhe sigurinë e Perendimit i garantonte NATO e udhëhequr nga SHBA-të; ndërsa tani po kërkohet “ Europianizimi” i NATO-S, që Europa dhe Gjermania të veprojnë e të mbrohen në çdo rast, qoftë dhe pa garancitë amerikane.
Për këtë qëllim, Merz bëri ”revolucion” ende pa hyrë në Kancelari, duke ndryshuar më 18 Mars në konsensus me social-demokratët dhe të Gjelbërit Kushtetutën gjermane, që frenimi i borxhit të mos bëhet pengesë për shtimin e ndjeshëm të shpenzimeve për mbrojtjen. Për këtë qëllim u miratua fondi special prej 500 Miliard Euro. Po ky buxhet u miratua dhe për modernizimin e infrastrukturës së vendit.
Më tej, 75 vite më parë filloi lulëzimi i shtetit të së drejtës dhe demokracisë liberale, pa asnjë kundërshtar armiqësor të brendshëm; ndërsa sot demokracia liberale është vënë në dyshim; në shumë vende ajo po luftohet dhe zëvendësohet me oligarkinë, autokracinë dhe ektremizmin e djathtë; ky i fundit “është ulur këmbëkryq” dhe në Gjermani e në Berlin, me AfD-në, si partia e dytë më e madhe në Bundestag; këto ditë Zyra e Mbrojtjes së Kushtetutës e shpalli « Atlernativën për Gjermaninë ose siç e quajnë « agresioni për Gjermaninë» si ekstremiste të djathtë.
Ca më keq akoma, veç mbështetjes së madhe nga brenda, tani AfD-ja gëzon dhe nga jashtë jo vetëm simpatinë e Rusisë por dhe të diplomacisë amerikane; kështu, Sekretari i Shtetit Rubio e konsideroi vendimin e mësipërm «tirani të maskuar» !
Ndërkohë, shtimi i krimit dhe pasigurisë së jetës pas shumë akteve terroriste nga azilantë të paligjshëm kanë kohë që ushtojnë si kambana alarmi në të 16 landet gjermane, për të ulur në minimum azilin e paligjshëm, si aksion madhor federal.
Këto dallime dhe kontraste janë akoma më të mëdha në politikën e jashtme. Kështu, atëhere Gjermania kishte SHBA-të si aleaten më të madhe perendimore; ndërsa tani, siç pohon dhe filozofi më i madh gjerman Jϋrgen Habesman “ Perëndimi ka perënduar bashkë me Pax amerikana”. Atëhere kundërshtar i Gjermanisë ishte vetëm BS-ja, sot janë Rusia, Kina, Irani, ekstremizmi, etj. Adenaueri bëri pajtimin historik me ish Bashkimin Sovjetik çlirimtar, ndërsa sot Gjermania ka përballë një Rusi armiqësore, e cila ka sulmuar ushtarakisht një shtet sovran, dhe po kërcënon deri dhe me armë bërthamore dhe Gjermaninë.
Në fundin e viteve 40 dhe fillimin e viteve 50, bashkë me Francën, Gjermania krijoi KiE-në dhe BE-në, me gjashtë bashkëthemeluese, fituese dhe humbëse të luftës, të mëdha dhe të vogla; ndërsa sot, vërtet që BE-ja është zgjeruar me 27 anëtare, por ajo po has në shumë dilema, kundërshti dhe ndarje, nga brenda dhe nga jashtë, mungesës së koherencës dhe kohezionit politik, ku lidershipi gjerman peshon shumë me Francën, si «motorri/boshti » i BE-së por me shumë ndasi.
Atëhere ato krijuan BE-në si Bashkim ekonomik dhe projekt paqeje kundër luftës; ndërsa sot kërkohet që BE-ja të kthehet brenda 4 – 5 viteve dhe në një Bashkim të Madh Ushtarak dhe Mbrojtës sërish kundër luftës.
Gjithashtu, në kohën e Adenauerit, u hodhën bazat dhe konturet e diplomacisë shumëpalëshe dhe rendit të ri ndërkombëtar, të mbështetur në forcën e të drejtës. Ndërsa sot, ato janë tronditur nga themelet. Për fat të keq, duke filluar nga SHBA-të, po bëhet gjithçka për ta zëvendësuar “forcën e ligjit me ligjin e forcës”, me sferat e influencës, pse jo dhe me sundimin e një trinomi superfuqish, duke kërcënuar seriozisht paqen, sigurinë dhe stabilitetin në botë.
Këto dhe të tjera dallime, pengesa, ngjashmëri dhe kontraste përbëjnë shanse por dhe rreziqe dhe kërcënime të mëdha, komplekse dhe tejet të vështira në të gjitha frontet, politike, diplomatike, ekonomike, sociale dhe ushtarake. Përballimi dhe kapërcimi i tyre me sukses nga Gjermania, çka do të shënonte kapërcime epokale kërkon besueshmëri, vision dhe guxim të madh politik nga kabineti Merz.
Ja pse, besohet që nëse do ketë sukses në zbatimin e këtyre reformave madhore, Kancelari Merz do të ketë shansin historik të bëhet ”Adenaueri” i dytë gjerman.