Europa Juglindore ndodhet buzë një gremine të re. Vetëm ultimatumi i SHBA-ve përmes shefit të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, me vizitën e tij të fundit në rajon, parandaloi shpërthimin këtë vjeshtë dhe po ruan paqen përballë agresionit kriminal të Serbisë.
Nga Dr Sadri RAMABAJA
Virtyti real serb dhe shuma zero
Serbia, përmes fjalimit të presidentit të saj autoritar, Aleksander Vuçiq, e përkufizoj veten në terma me shumën zero. Miti i saj kombëtar – le të kënaqim për një çast arrogancën e kotë të turbonacionalistëve serbë – se kombi serb është i jashtëzakonshëm në historinë moderne të Europës Juglindore, ka reflektuar madje edhe në historinë botërore! Nëse Rusia pretendon të jetë lideri i sllavëve gjithandej, Serbia është ajo që, për më shumë se një shekull, ka pretenduar se është lideri i sllavëve të Europës Juglindore, një shembull i virtytit ortodoks dhe se tani zotëron forcën ushtarake përmes së cilës mund t’i imponohet fqinjëve të saj, para së gjithash armiqëve të saj strategjik: shqiptarëve dhe kroatëve.
Fatmirësisht, jo pak qytetarë të denjë serbë e dinë se, kjo është vetëm një propagandë e lloit gebelsian, që shërben për shpërlarje të trurit të ndjekësve të Vuçiqit. Megjithatë, klasa politike e Serbisë, në masën më të madhe të saj, por edhe masmedia e kontrolluar nga oligokratët dhe Shteti, si të vetëkënaqur që janë, e shohin Serbinë si një-fuqi supreme rajonale. Sipas kësaj logjike, e vetkuptueshme, të gjithë kombet për-rreth duhet t’i nënshtrohen politikave ekspansioniste serbe dhe t’ia mundësojnë Serbisë, pa farë rezistence të theksuar, ekspansionin që do të kurorëzohej me krijimin e “Botës serbe”, nëse jo edhe t’i bëjnë homazhe këtij hegjemonit të përsosur Aleksandar Vuçiq.
Por, pikërisht te kjo logjikë, qëndron një kontradiktë fatale. Ky përkufizim i paqëndrueshëm është thelbësor për të justifikuar privilegjet që ai gëzon sot nga SHBA-të dhe BE-ja! E megjithatë, duke e bërë këtë, Perëndimi nuk po arrinë dot t’ia prishë asnjë iluzion ideologëve dhe gjeneralëve të “Botës serbe” lidhur me rirreshtimet e reja gjeopolitike dhe pozicionin real të Serbisë në këtë momentum historik. Serbia gjykon se është pikërisht Shteti Serb që duhet të jetë tutje violina e parë në rajon, për secilin grupim të ri gjeopolitikë që pretendon ta dominojë Europën Juglindore.
Ky do të mund të ishte një përkufizim i imperializmit modern serb. Bashkëshoqëruesit e tij janë fjalimet agresive, ultimatumet e një pas njëshme, paligjshmëria dhe mungesa e plotë e moralit politik dhe dyfytyrësia karakteristike serbe natyrisht.
Në këtë linjë të frymës neoimperialiste serbe kryeministri aktual, Millosh Vuçeviç, duke akuzuar qeverinë e Kosovës se gjoja po terrorizon popullin serb në veri të Kosovës, sot përcolli edhe një kërcnim të lloit të vetë:
“Beogradi nuk do të rrijë duarkryq; “nuk ka dorëzim të Kosovës dhe Metohisë, nuk ka tërheqje dhe se Serbia nuk heq dorë nga mbrojtja e synimeve shtetërore, kombëtare dhe interesave të
saj”.[1]
Të gjitha këto tok, të fshehura me retorikë jashtëzakonisht të virtytshme, ose me pak fjalë, propagandë tipike gebelsiane. Në këtë rast, për ironi të momentumit politik, një lagje shtetesh të BE-së, me theks ca diplomatë shetitës që vijnë nga këto shtete, në emër të antiamerikanizmit të fshehur , sidomos në raport me Kosovën, janë shndërruar thjesht në funksionarë servilë të Serbisë, duke provokuar kështu ambiciet ekspansioniste serbe. Ndërkaq qëndrimi zyrtar, vetkuptohet vazhdon ta ruaj ekuilibrin transatlantik edhe në fushën e interesave nacionale në raport me Ballkanin. Prandaj, kur Perëndimi nuk përputhet me nocionet mitike të Serbisë, rrjedhimisht ka një krizë ekzistenciale të pashmangshme. Kërkesat me shumën zero dhe mbizotëruese të hegjemonisë së mundshme nuk janë të arritshme. Në këtë situatë, pushteti hegjemonik serb sillet si një i dehur në një lokal të cilit i refuzohet një pije tjetër. Kjo u pa sidomos nga fjalimi i presidentit serb.[2]
Narcizmi serb pretendon tutje ta promovojë Serbinë si një perandori. Beogradi vazhdon të preferojë dhe pretendojë se arsenali i armatimit që ka grumbulluar për një dekadë rresht [të fundit janë 12 rafaelët francez që i ka akaparuar] është i destinuar vetëm për mbrojtje! Le ta lëmë mënjanë një shaka të pakripë të kësaj propagande serbe. Serbia është një fuqi ushtarake rajonale që po i ipmopnohet kryesisht Republikës së Kosovës, duke përqëndruar rreth e prëqark kufijve të saj 49 kazerma e baza ushtarake e të xhandarmërisë për të imponuar aneksimin e veriut qoftë edhe në tavolinat e diplomacisë, pasi në terren dështoi më 24 shtator 2023.
Në fjalimin e tij të paralajmruar me burbujë, fill pasi u publike aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës për aktin e agresionit ushtarak të 24 shtatorit 2023, vihet re përpjekja e ish ministrit të propagandës të satrapit të Ballkanit [Milosheviqit] për ta shmangur arsyen reale të pozitës së serbëve të veriut të Kosovës sot.
Agresioni ushtarak është përdorimi i forcës nga një shtet kundër sovranitetit, integritetit territorial ose pavarësisë politike të një shteti tjetër. Ky term përdoret për të përshkruar një akt të hapur të dhunës, ku një shtet kryen veprime ushtarake kundër një shteti tjetër pa ndonjë justifikim të ligjshëm ndërkombëtar. Sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, agresioni ushtarak konsiderohet si një krim kundër paqes dhe është rreptësisht i ndaluar.
Shembull klasik i agresionit ushtarak është mbështetja e grupeve të armatosura. Kur një shtet mbështet grupe të armatosura që veprojnë brenda territorit të një shteti tjetër për të destabilizuar qeverinë ose për të kryer akte dhune. Një shembull është mbështetja e dhënë nga Rusia për separatistët në lindje të Ukrainës. Ky model u ndoq edhe në rastin e agresionit më 24 shtator 2023 në veriun e Republikës.
Në të drejtën ndërkombëtare precizohet qartë roli i shtetit në veprime të kësaj natyre.
Shtetet veprojnë nëpërmjet organeve, respektivisht përmes strukturave ekzekutive brenda këtyre instancave shtetërore. Nëpërmjet ligjit të tij organizativ, shteti përcakton se kush çfarë roli luan në një konflikt të armatosur. Në rastin konkret konflikti kishte për objektiv aneksimin e veriut të Kosoëvs, siç e dëshmojnë provat materiale dhe informacionet që tashmë posedon Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, përdorimi i forcës është i ndaluar, përveç dy përjashtimeve:
- Vetëmbrojtja (Neni 51 i Kartës së OKB-së): Një shtet ka të drejtën të mbrohet nga sulmet e një shteti tjetër deri në momentin që Këshilli i Sigurimit merr masa.
- Mandati i Këshillit të Sigurimit të OKB-së: Këshilli i Sigurimit mund të autorizojë përdorimin e forcës ushtarake për të mbrojtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.[3]
Agresioni ushtarak përfaqëson një akt të drejtpërdrejtë shkeljeje të ligjit ndërkombëtar dhe mund të sjellë sanksione ose dënime për shtetin agresor.
Ky konflikt do të përfshinte së paku dy shtete: Serbinë dhe Kosovën. Konflikti ishte inicuar nga pjestarë të një strukture të armatosur, të uniformuar dhe me një hierarki komanduese, që kishte depërtuar nga Serbia dhe pati si strehë kur u tërhoq sërish territorin e Serbisë. Siç dëshmojnë provat, ajo strukturë ushtarake kishte shfrytëzuar të njejtën skemë, si simotrat e saj ruse në Donbas dhe Krime. Këta ushtarë serb [jo rastësisht kishin po të njejtat uniforma si sivllezërit e tyre rus në Krime dhe Donbas!] për kohë të gjatë kishin shërbyer edhe në struktura të ashtuquajtura “çlirimtare” me emrin “Brigadat e Veriut” dhe “Rojet e Uërs”, që tashmë janë shpallur nga Qeveria e Republikës së Kosovës si struktura terroriste.
Kjo strukturë që ushtroi agresion më 24 shtator 2023 ka qenë e autorizuar të marr pjesë drejtpërdrejt në luftë për aneksimin e veriut në emër të shtetit serb. E drejta ndërkombëtare ashtu si edhe e drejta nacionale e secilit shtet, edhe e Serbisë në këtë rast, e përcakton se kush është një luftëtar për një shtet.[4] Shpallja tri ditë zie në Beograd për pjestarët e rënë në këtë betejë, flet qartë se ata janë trajtuar si ushtarë të Armatës serbe, ndërkaq trajtimi I tyre si “kryengritës” e “çlirimtar” nga ana e presidentit serb edhe në fjalimin e tij bombastik më 13 shtator 2024, e bën edhe më të qartë faktin se kishim të bënim me agresion të organizuar mirë nga ana e shtetit serb.
Asnjë komb nuk ka zhvilluar aq shumë luftëra sa ai serb në historinë e tij për ekspansion dhe asnjë shtet nuk ka pushtuar aq shumë hapësirë, sa ka pushtuar Serbia që prej njohjes së saj si shtet i pavarur [1878].
Paralajmrimi i aksioneve subversive në emër të masave që i deklamoi presidenti serb, që kryekreje cenojnë sovranitetin e Kosoëvs, e bën kaosin dhe dhunën pothuajse të pashmangshme.
Ndërkaq shfrytëzimi i aleatëve të saj brenda BE-së, sidomos tani kur kemi një rritje të frymës antiamerikane edhe në Perëndim, është një mekanizëm tjetër që po e shfryëtzon diplomacia serbe në dëm të fqinjëve të saj.
Megjithatë, këtij ekspansioni serb dhe iluzionit që ka rrth përfshirjes së veriut të Kosovës brenda “Botës serbe” po i vjen një fund drithërues dhe katastrofik. Më shumë se fjala në këtë rrafsh dëshmi kruciale ishte gjuha e trupit që u shpërfaq gjatë fjalimit të Vuçiqit më 13 shtator në Beograd. Edhe në përmbajtjen e këtij fjalimi, vërehet hapur fenomeni i “gërryerjes së autoritetit moral” serb. Ky lloj autoriteti i shpifur, sidoqoftë, edhe kësaj radhe, nuk iu largua dot ishte fenomenit të mendjemadhësisë neokolonialiste që e karakterizon doktrinën serb mbi sigurinë dhe paqen në rajon! Sidoqoftë, nuk ishte vështirë të venerohet një lloj paralajmrimi ogurzi se “Perandoria serbe” mund t’i shkërmoçet në duar Vuçiqit, si Millosheviqit Jugosllavia e Titos.
Ishte një kohë kur Serbia dhe aleatët e saj mund të diktonin kushte dhe të përdornin forcën ushtarake për të detyruar qendrat e vendimmarrjes që të lshonin pe në raport me objektivat dhe dëshirat e Serbisë në dëm të gjeografisë dhe interesit jetik shqiptar.
Duke dëgjuar ekspozenë e presidentit serb më 13 shttaor, një njohës i historisë së Ballkanit nuk do ta kishte të vështirë të konkludonte se, mos vallë lideri serb gëzon mbështetje për politikat e tij ekspansiniste si dikur pararendësit e tij?!
T’ia hedhim një sy kërkesave të tij të proklamuara me këtë rast, në dukje “të urta” e të “arseshme”.
Shtatë kërkesat ultimative të Serbisë – status quo ante
Në një adresim para kombit, më 13 shtator, Vuçiq u shpreh jo pa arrogancë, se Serbia beson që përmbushja e kërkesave përbën “parakushtet e domosdoshme për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ai në fakt po kërkon rikthimin e historisë aty ku ai dështoi – në nëntorin e vitit 2022, kur Vuçiqi urdhëronte policët serb të zhvishnin uniformat e Policisë së Kosovës; kur ai u kërkonte gjykatësve dhe prokurorëve serb, të linin institucionet e drejtësisë… dhe të hidheshin në barrikada. Natyrisht këta hapa ai i bënte duke i cilësuar si hallka të planit të tij për aneksimin e veriut, që do të pasonin me përplasjen e ashpër të “ushtarëve pa uniformë” me njësitë e KFOR-it më 29 maj 2023 dhe me “ushtarët e gjelbërt” pa simbole, që imitonin trupat ruse në Donbask, që do të sulmonin Kosovën më 24 shtator 2023. Gjithë këto veprime Vuçiqi i bënte gjatë kohës sa dialogonte në Bruksel dhe vetëm disa muaj pasi ishte akorduar për Marrëveshjen e shkurtit 2023 në Brusel! Jemi në kohën pra, kur presidenti serb po pregadiste terrenin për pushtimin faktik të veriut të Kosovës [më 24 shttaor 2023], kur ai pësoi fiasko me agresionin e sprovuar.
Prandaj status quo ante për të cilin pledon Vuçiqi do të shërbejë më shumë si përpjekje për blerje kohe, për aq sa lufta në Ukrainë po vazhdon.
Në fakt ai do të donte ta shpallte Kosovën si territor të okupuar, ashtu si i kishin sugjeruar qarqet më ekstreme dhe Kisha. Por, ja se si arsyetohet ai ps enuk e ndërmori këtë hap:
“Ekspertët tonë ligjorë ishin absolutisht kundër”, u ankua presidenti serb, duke ju referuar këtij plani të paralajmruar si hapi më real i pritshëm, siç njoftonin mediat e afërta me pushtetin .
“Okupimi, ose okupimi ushtarak, është i mundshëm vetëm në konflikte të armatosura ndërkombëtare. Kjo do të thoshte që ne e njohim territorin e Kosovës si territor të një shteti tjetër. Prandaj edhe nuk shkuam me masën e deklarimit të okupimit.”[5]
Prandaj ai ka parashtruar kërkesa, që de fakto i parasheh Marrëveshja e Brukselit dhe ishin në proces të realizimit. E qartë, ato në këtë trajtë taksative i ka imponuar përveç ndryshimi real në terren, respektivisht kontrolli i terrenit nga mekanizmat shttëror dhe ushtrimi i sovranitetit të plotë kudo e kurdo, edhe ultimatumi i drejtorit të CIAs që duket se ia ka lënë në tavolinë gjatë vizitës së tij në rajon.
Le t’jua hedhim një sy kërkesave të presidentit serb:
- shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian;
- kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun, dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre;
- tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga “bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme” në veriun e Kosovës;
- tërheqjen e policisë nga të gjitha institucionet “të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët”;
- formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe;
- zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë”, të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe
- kryerjen e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbe, në dinar.[6]
Zgjedhjet lokale edhe ashtu do të mbahen në vjeshtën e vitit 2025. Rrjedhimisht jemi në fazën kur parashtrimi I kësaj kërkese nuk ka sens.
Serb ka edhe sot në Policin e Kosovës. Ata i kanë kuotat e tyre. Urdhërin për lëshimin e Policisë e kishte dhënë vet Vuçiqi. Rikthimi i tyre në paket, është çështje pa sens. Ata do të rikthehen konform ligjit, natyrisht duke aplikuar secili sipas meritave qoftë në Polici, qoftë në Drejtësi.
Kërkesa për tërheqjen e Policisë Speciale, pikërisht nga zona ku Vuçiqi kishte ushtruar agresion dhe kishte pësuar fiasko, merrë ngjyresa të humorit politik ala serb, vajit politik, plotësisht të pakuptimtë!…
Në një intervistë për televizionin ndërkombëtar ‘Al Jazeera’, kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, ndërkohë ka ripohuar se nuk është “kryeministër vetëm i shqiptarëve”, por i të gjithë komuniteteve etnike që jetojnë në Kosovë.
Ndërkaq në pyetjen direkte se: “Asociacioni, po apo jo?”, Kurti në dokumentarin e ‘Al Jazeera’ s me titullin “Kosova: Krijimi i një shteti”, shefi i Qeverisë së Kosovës tha se e ka pranuar themelimin e tij, por në kuadër të paketës së Marrëveshjes së Ohrit.
“Natyrisht që Asociacioni i komunave me shumicë serbe është diçka që e kam trashëguar nga paraardhësit e mi. Megjithatë kjo është pjesë e marrëveshjes bazike tash. Neni 7 thotë se komuniteti serb duhet të ketë vetëmenaxhim. Nga ana tjetër, neni 10 thotë se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më parë duhet të zbatohen. Kështu që unë nuk e mohoj këtë. Megjithatë, vetëm si pjesë të pakos së normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohje të ndërsjellë”,[7] nënvizon Kurti.
Pse Bashkësia e Komunave Serbe shihet si Kali i Trojës?
A po e kamuflon Serbia kërkesën për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë si hap paraprak për ndarjen e Kosoëvs në rrethana më të mira historike?
Kërkesa ultimative e Serbisë për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe (BKS) në Kosovë konform Marrëveshjes së Parimeve të vitit 2013 dhe asaj të përgjithshme të gushtit 2015, që e kishte hedhur poshtë verdikti i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës,[8] ka qenë dhe mbetet një çështje shumë e diskutuar dhe e ndjeshme. Modeli i Bashkësisë Së Komunave Serbe në Kroaci, i propozuar nga ana e Qeverisë së Kosëvës për Beogradin rezulton i papranueshëm! Disa diplomatë perednimor e shohin këtë kërkesë të Vuçiqit si një përpjekje për të forcuar të drejtat e serbëve në Kosovë dhe për të garantuar autonominë lokale, ndërkaq të tjerët e shohin atë si një strategji të kamufluar për të përgatitur terrenin për një ndarje të mundshme të Kosovës në të ardhmen.
Argumentet se Serbia e përdor BKS-në si një hap drejt ndarjes së Kosovës:
- Krijimi i strukturave autonome serbe në Kosovë: Krijimi i një entiteti të tillë mund të shihet si një përpjekje për të krijuar një zonë me një autonomi të lartë për serbët, duke krijuar një entitet paralel brenda Kosovës. Ky model është krahasuar me situatën në Bosnje dhe Hercegovinë, ku Republika Srpska ka një nivel të lartë autonomie dhe luan një rol të ndjeshëm në mosfunksionimin politik të Bosnjës. Ka paralele të plota të rrugëve që janë ndjekur për themelimin e Republikës Serbe në Bosnjë dhe atyre që Beogradi ka ndjekur për themelimin e simotrës së saj në Kosoëv me emrin Bashkësia e Komunave Serbe. Asaj I ëshët hapur porta përmes Pakos së Ahtisarit dhe dialogut në Vjenë në prag ët shpalljes së pavaërsisë së Kosoëvs, ndërkaq me marrëveshjen e ashtuquajtur të parimeve të vitit 2013 dhe asaj të vitit 2015 të nënshkruara në Bruksel, de fakto i janë vu themelet kësaj Bashkësie. Ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe protestat masive gjithëpopullore ato që pamundësouan realizimin e saj. Shqetësimi është se një strukturë e tillë do të forconte një ndarje etnike dhe do të minonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
- Strategjia e fazave: Serbia mund të përdorë BKS-në si një hap të parë drejt ndarjes. Në rrethana më të favorshme historike, Serbia mund të përpiqet të kërkojë që zonat me shumicë serbe, të cilat do të kishin marrë një autonomi të lartë përmes BKS-së, me theks veriu I Kosoëvs I cili fill pas luftës, në shkurt të vitit 2000 I ishte nënshtruar një spastrimi të ri etnik nga elementi shqiptar, me ç’rast ishte përmbysur përbërja demografike e veriut, ajo territor I pasur me pasuri minerare e ujore, të shkëputet nga Kosova dhe t’i bashkohet Serbisë. Në këtë mënyrë, krijimi i BKS-së mund të jetë një strategji afatgjatë për të siguruar pozicionin serb në Kosovë dhe për të kërkuar më vonë ndryshime territoriale.
- Ndarja faktike në veri të Kosovës: Zona veriore e Kosovës, sidomos mbi lumin Ibër, ku tashti shumica e popullsisë është serbe, pretendohet edhe në kërkesat e Vuçiqit t’i kthehet de facto kontrollit serb, siç ishte para vitit 2021. Krijimi i BKS-së mund të institucionalizojë dhe forcojë këtë ndarje, duke përforcuar statusin e veçantë të zonave me shumicë serbe dhe duke i afruar ato më shumë me Beogradin sesa me Prishtinën.
- Presioni i Serbisë për ndryshime territoriale: Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka lënë të hapur diskutimin për një kompromis territorial midis Kosovës dhe Serbisë. Në të kaluarën e afërt, politikanë të papërgjegjshëm shqiptarë nga Tirana dhe Prishitna, ishin në prag të nënshkrimit të një marrëveshjeje ku përfshihej ideja serbe për gjoja “shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, ku zona veriore e Kosovës do t’i bashkohej Serbisë, ndërsa disa fshatra shqiptare në jug të Serbisë mund t’i bashkoheshin Kosovës. BKS-ja mund të jetë një hap në drejtimin e realizimit të një plani të tillë, natyrisht në rrethant kur në pushtet do ët mund të vinin në Prishitnë marionetat e shërbimeve serbe, siç ishin katapultuar fill pas lufëts së viteve 1998/99.
5. Roli i bashkësisë ndërkombëtare: Fuqitë perëndimore, veçanërisht SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, e mbështesin krijimin e BKS-së si pjesë e një zgjidhjeje afatgjatë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Megjithëse ekzistojnë shqetësime rreth një autonomie të madhe për BKS-në, bashkësia ndërkombëtare është kundër çdo forme të ndarjes së Kosovës apo ndryshimeve të kufijve. Produkt I këtij qëndrimi është marrëveshja franko-gjermane që u mbështet nga BE-ja dhe SHBA-të dhe u tumir si Marrëveshje e Brukselit.
Kjo marrëveshje ishte de fakto një zbrapsje e Perendimit në favor të Serbisë. Nëse më parë qëndrimi i SHBA-ve i shprehur në letrën e presidentit J.Biden-it dhe në qëndrimin e ish kancelares së Gjermanisë, zonjës A.Merkel, në qendër të marrëveshjes ishte njohja reciproke. Në tekstin e marrëveshjes së Brukselit, ky akt zbret në nivelin e njohjes faktike, duke e obliguar Serinë që ajo të mos e pengojë Kosovën në procesin e integrimit të saj në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, madje edhe në OKB.
Trajtimi i Serbisë nga diplomacia perendimore me butësi e “mirëkuptim të tepruar”, edhe pas akordimit për marrëveshjen e Brukselit dhe aneksit të saj në Ohër, duke mos e detyruar që ta nënshkruaj atë dhe duke anashkaluar faktin se përmes një letre zyrtare që kishte dërguar kryeminsitrja e Serbisë Brukselit, ku potenconte se nuk njeh pikat qendrore të marrëveshjes, e trimëroi Beogradin për veprime subverzive në raport me Kosovën. Këtij veprimi subversiv të Serbisë ndërkohë ju bashkua edhe Franca, duke insistuar dhe penguar pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës, pavaërsisht se Asambleja e saj e kishte votuar këtë akt duke e mbështetur me shumicë absolute të votave. Ky qëndrim përveç Kosovës, dëmton jo vetëm imazhin e BE-së, por edhe demokracitë liberale përgjithësisht. Shih për këtë, konkluzioni i politologut austriak Florian Biber se “fuqizimi i dikujt si Vuçiq në rajon është i rrezikshëm, sepse ai nuk është vetëm i lumtur që është një njeri i fortë në Serbi, por ai gjithashtu ka ndikim negativ në Bosnjë, në Mal të Zi, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut”[9] ndërkohë, kur po ristrukturohet arkitektura e re e sigurisë europiane, merrë peshë specifike dhe duhet të trajtohet me shumë seriozitet.
Çka na mëson historia?
Ekspansioni serb në dëm të shqiptarëve që nga viti 1844 është tashmë i faktuar nga studimet serioze të historiografisë shqiptare dhe asaj perendimore; ai ndërlidhet me faktorë historikë, politikë dhe gjeostrategjikë. Ky proces është drejtuar nga një kombinim i politikave nacionaliste, krizave të Perandorisë Osmane, dhe interesave të fuqive të mëdha.
Disa nga arsyet kryesore për lejimin e ekspansionit serb në dëm të shqiptarëve janë:
1. Plani “Naçertanija” i Ilija Garashaninit (1844)
Ky dokument përbën një platformë nacionaliste që formoi bazën e politikës së jashtme të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe fqinjëve të tjerë. “Naçertanija” synonte zgjerimin e Serbisë për të krijuar një shtet të madh serb, duke përfshirë territoret ku jetonin shqiptarët, sidomos në Kosovë dhe rajonet përreth. Në këtë periudhë, Serbia ishte një shtet i ri dhe në procesin e konsolidimit të pavarësisë nga Perandoria Osmane. Pjesë nga kjo platformë politike u aplikuan nga Shtatmadhoria e Ushtrisë Serbe fill pas njohjes së pavarësisë së Serbisë më 1878. U pushtuan kështu 8 qytete dhe 998 katunde në Sanxhakun e Nishit dhe Toplicës, ku shumicë e popullsisë ishin shqiptarët.
Ja se si I raporton konsulli britanik qendrës së tij në Londër më 26 shkurt 1879:
“Si një hap paraprak në drejtim të organizimit të rregullit administrativ të territoreve që I janë dhënë kohët e fundit, Qeveria Serbe ka parashikuar hartimin e një liste ku do ët renditen fshatrat e përfshirë në secilën nga të katërta provincat, mes ët cilave ndahen këto fshatra.
Sipas kësaj liste, janë 248 fshatra në krahinën e nishit, 189 në atë të Pirotit, I njejti numër [248- SR] në atë të Vrajës, dhe 372 në atë të Toplicës, ose të gjitha bashkë 998 fshatra në të katër provincat e sipër-përmendura…”[10]
2. Rënia e Perandorisë Osmane
Me dobësimin e Perandorisë Osmane në Ballkan, kombet e ndryshme filluan të formojnë shtete të reja kombëtare, duke pretenduar territore që ishin nën sundimin osman. Shqiptarët, megjithëse ishin një popullsi e madhe në Ballkan, pakrahasimisht më e madhe se ajo serbe dhe greke, nuk arritën të krijojnë një shtet kombëtar në mënyrë të efektshme deri në vitin 1912. Ndërkohë, Serbia dhe shtete të tjera ballkanike (si Greqia dhe Mali i Zi) përfituan nga situata duke kërkuar të zgjerojnë kufijtë e tyre. Fuqitë e kohës, atbotë përmbushën kërkesat e fqinjëve ët shqiptarëve në dëm të interesit jetik shqiptar!
Në këtë rindarje territoresh mes fqinjëve ët Shqipërisë kishte luajtur rol qenësor mungesa e një shteti shqiptar të konsoliduar dhe të fortë.
Duke qenë të përfshirë në Perandorinë Osmane pa as minimumin e mundshëm të një autonomie politike që të ndikonin në proceset e vendimmarrjes ndërkombëtare në atë kohë, shqiptarët do ët pësonin shumë. Kjo i dha mundësi Serbisë dhe fqinjëve të tjerë të shtrijnë ndikimin e tyre mbi territoret e banuara nga shqiptarët.
3. Luftërat Ballkanike dhe Konferenca e Ambasadorëve (1912-1913)
Pas Luftërave Ballkanike (1912-1913), fuqitë ballkanike (Serbia, Greqia, Mali i Zi, dhe Bullgaria) arritën të pushtojnë dhe ndajnë territoret e mbetura të Perandorisë Osmane në Ballkan, përfshirë Kosovën e Sanxhakun [diku mbi 18.000 km2] dhe pjesë të tjera në Maqedonin e Veriut me shumicë shqiptare. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), fuqitë e mëdha vendosën për kufijtë e Shqipërisë së re, duke lënë jashtë më shumë se gjysmën e territoreve të banuara nga shqiptarët. Kosova dhe Sanxhaku, për shembull, iu dha Serbisë, ndërkaq pjesë të tjera shqiptare si Çamëria iu dhanë Greqisë.
4. Politikat e Fuqive të Mëdha
Fuqitë e mëdha evropiane, sidomos Rusia, Austro-Hungaria, dhe më vonë Franca dhe Britania, kishin interesa të veçanta në Ballkan. Rusia mbështeste ambiciet territoriale të Serbisë si pjesë e strategjisë së saj për të pasur aleatë në Ballkan dhe për të pasur dalje në Mesdhe. Ndërsa Austro-Hungaria mbështeste idenë e një Shqipërie autonome, fuqitë e tjera shpesh e panë këtë si më pak prioritare se stabiliteti i rajonit dhe interesat e tyre strategjike.
5. Jugosllavia dhe politika e asimilimit
Pas Luftës së Parë Botërore dhe krijimit të Jugosllavisë, shqiptarët në Kosovë dhe territoret përreth u përballën me politika asimiluese dhe shtypëse nga ana e shtetit jugosllav. Serbia u përpoq të ndryshojë demografinë e Kosovës dhe rajoneve tjera shqiptare përmes procesit të kolonizimit – sjelljes së serbëve nga gjithë hapësira e ish Jugosllavisë dhe shpërnguljes së shqiptarëve, me theks për në Turqi. Janë të njohura marrëveshjet mes Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene e më pas Jugosllavisë dhe Turqisë, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, si rezultat i të cilave u shpërngulën për Turqi mbi 250.000 shqiptarë.
6. Mungesa e mbështetjes ndërkombëtare për shqiptarët
Në periudha të ndryshme historike, shqiptarët shpesh nuk gëzonin mbështetjen e duhur ndërkombëtare për të mbrojtur interesat e tyre kombëtare. Kjo i dha mundësi Serbisë të forcojë kontrollin e saj mbi territoret me shumicë shqiptare. Për shembull, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe regjimit të Titos në Jugosllavi, shqiptarët në Kosovë dhe rajone të tjera vazhduan të përballen me presione dhe represion.
Ekspansioni serb në dëm të shqiptarëve u lejua për shkak të një kombinimi të politikave nacionaliste serbe, krizave të Perandorisë Osmane, mungesës së një shteti të fortë shqiptar dhe interesave strategjike të fuqive të mëdha. Shqiptarët për një kohë të gjatë u gjendën në një pozitë të vështirë, duke mos pasur mbështetje të mjaftueshme për të penguar zgjerimin serb në territoret e tyre.
Përfundim
Kërkesa e Serbisë për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë mbetet një çështje e ndërlikuar që interpretohet në mënyra të ndryshme. Nga njëra anë, disa e shohin si një strategji të Serbisë për të përgatitur një ndarje të mundshme të Kosovës në të ardhmen, veçanërisht duke shfrytëzuar rrethanat e favorshme në kohë. Nga ana tjetër, përkrahësit e BKS-së argumentojnë se ajo synon të integrojë më mirë komunitetin serb në Kosovë dhe të sigurojë paqen dhe stabilitetin afatgjatë.
Serbia ka kohë që ka investuar në promovimin dhe mbajtjen në jetë të “konfliktit të ngrirë”, me theks në veriun e Kosovës. Por çdo konflikt, edhe ai i ngrirë i gjakuar, përfundoi me agrsionin serb të 24 shtatorit 2023 në Banjë të Albanikut [Banjskë/Leposviq]. Me këtë akt Serbia, de fakto, e ka varrosur Marrëveshen e Brukselit [2023] e me këtë edhe Bashkësinë e Komunave Serbe.
Përballja e Kosovës me Serbinë, edhe në këtë periudhë, kur arkitektura e sigurisë europiane ka gjasa reale të pësojë ndryshime të ndjeshme, merrë konotacione të një përballje realisht mes Lindjes e Perednimit. Shih për këtë, Perëdndi nuk do të duhej të lejonte asesi që Serbia sërish ta shpjerë Ballkanin në greminën e historisë, siç kishte vepruar në fillim të shekullit 20-të, duke shkaktuar Luftën e Parë Botërore.
___________
1. https://www.oslobodjenje.ba/vijesti/region/vucevic-necemo-ostaviti-svoj-narod-na-kosovu-nema-predaje-983804
2. https://www.evropaelire.org/a/vuciq-del-me-masa-te-serbise-per-kosoven/33119185.html
3. https://www.mpil.de/files/pdf1/vrz.gewaltverbot.pdf
4. https://www.bmvg.de/de/themen/friedenssicherung/humanitaeres-voelkerrecht
5. Po aty
6. Po aty
7. Shënim: Duke reflektuar në 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ky dokumentar eksploron peizazhin e rajonit pas konfliktit, nga konteksti historik deri te sfidat e sotme.
[https://www.youtube.com/watch?v=XCnCNs_JjHA&t=9s]
8. Shënim – Sipas atij vendimi, lidhur me vleresimin e perputhshmerise se parimeve qe permban dokumenti i titulluar “Asociacioni/Bashkesia i komunave me shumice serbe ne Kosove -Parimet; jane elaboruar ne “Asociacioni/Bashkesia i komunave me shumice serbe ne Kosove -Parimet e pergjithshme/Elementet kryesore”, nuk jane teresisht ne perputhshmeri me frymen e Kushtetutes, me nenin 3 [Barazia para Ligjit] , paragrafi 1, me Kapitullin II [Te Drejtat dhe Lirite Themelore] dhe me Kapitullin III [Te Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesetareve te tyre] te Kushtetutes se Republikes se Kosoves.
Shih dokumentin: https://gjk-ks.org/wp-content/uploads/vendimet/gjk_ko_130_15_shq.pdf
10. Bejtullah DESTANI, Muhaxherët – Dosja britanike / Spastrimi etnik I Toplicës, Nishit, Prokuplës, Kurshumlisë, Leskocit, Vrajës 1878-1884, Prishtinë 2019, f. 268