Gjykimi i hapur, shqip, do t’na ndihmonte që, ne si shoqëri, t’i thejmë disa prej shablloneve të të menduarit njëtrajtshëm, sidomos në fushën e mendimit ideologjik e politik dhe të çajmë përpara.
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Miku im Dr. Donik Sallova këto ditë publikoi një opinion me një titull provokativ “Gazetari ‘ndërkombëtar’ i Kosovës”. Ishte kjo një ese politike që për shumëçka mund të cilësohet si ligjëratë publike për gazetarinë tonë dhe për mendimin politik përgjithësisht.
Mendësia kolonialiste në gazetari shpesh ka një ndikim të thellë në mënyrën se si përshkruhen popujt që kanë qenë koloni të fuqive të mëdha. Kjo mendësi mund të shfaqet në mënyrën se si këto vende portretizohen, shpesh me nënkuptime nënçmuese ose si subjekte të paaftë për vetëqeverisje apo zhvillim pa mbështetjen e ish-kolonizatorëve. Rasti i Algjerisë dhe Kosovës ofron një pasqyrë të rëndësishme për të kuptuar këto dinamika.
Algjeria ka qenë një koloni franceze për më shumë se 130 vjet dhe lufta e saj për pavarësi (1954-1962) u përshkrua në media perëndimore shpesh me një ton që i nënvlerësonte përpjekjet e lëvizjeve antikoloniale dhe që përqendrohej në dhunën e ushtruar nga kryengritësit, duke e anashkaluar brutalitetin e pushtimit francez. Propaganda franceze në media shpesh përpiqej të justifikonte mbajtjen e Algjerisë nën kontroll me argumente që lidhen me “civilizimin” dhe zhvillimin që kolonizatorët pretendonin se po sillnin.
Kolonizimi dhe dekolonizimi si fenomene politike e shoqërore sipas Frant Fanonit “shënojnë një sfond apo një pikëtakim të dy forcave divergjente njëra me tjetrën, të kundërta në vetë qenësinë e tyre, të cilat para së gjithash i kanë borgj njëra tjetrës origjinalitetin e llojit të pavarësisë së tyre që rezulton dhe derivon si një dhe i vetëm nga situata e krijuar në vendin e kolonizuar.
Pikëtakimi i tyre i parë, është i predestinuar të kalojë si i dhunshëm sepse vetë ko-eksistenca e tyre e përbashkët (që nënkupton eksploatimin e të kolonizuarit nga kolonizuesi) deri në atë moment është vetëm një amputim i dhunshëm i një realiteti social-politik në menyrë imponuese dhe pa çare, me bajoneta dhe topa me të cilat disponon kolonizuesi. Dekolonizimi së këndejmi shtron së pari detyrën e revizionimit të situatës kolonizuese. Kjo për sa i përket rrafshit teorik. Kjo më saktësisht ekstrapolohet nëse do të shërbeheshim me thënjen e njohur: “I dyti duhet të jetë i pari dhe i pari duhet të jetë i dyti”. Dekolonizimi rrjedhimisht është mëtim që kjo maksimë të vihet në praktikë.”[1]
Por nëse ky fenomen është studjuar mirë në rastin e Algjerisë, në rastin e Kosovës ende as bota akademike në Perednim nuk e trajton të tillë – si ishte – koloni e Serbisë dhe rrjedhimisht procesin pasues si dekolonizim.
Këtë shkarje të botës akademike perendimore e ka pranuar si të mirëqenë deri tashti edhe e ashtuquajtura botë akademike shqiptare. Nusprodukt i kësaj “dembelie intelektuale” janë edhe “gazetarët tanë ndërkombëtar” për të cilët flet Dr. Sallova.
Nga ana tjetër, Kosova, njëri prej katër vilajeteve shqiptare, në fakt më i madhi prej tyre, që ka qenë për një kohë të gjatë nën sundimin e Perandorisë Osmane dhe më vonë [nga tetori i vitit 1912] pjesë e Serbisë alias Jugosllavisë, përjetoi një periudhë të gjatë të shtypjes nga Serbia, për shumëçka tipike koloniale, deri me shpërthimin e kryengritjes dhe luftës çlirimtare nga UÇK-ja e vegjëlisë, që imponoi ndërhyrjen ndërkombëtare në 1999. Në këtë rast, narrativat në mediat ndërkombëtare shpesh janë ndarë mes atyre që e përshkruanin Kosovën si një viktimë të agresionit serb dhe të tjerë që i vinin theksin situatës së tensionuar etnike, duke vënë dyshim mbi aftësinë e Kosovës për të funksionuar si shtet sovran. Edhe pas shpalljes së pavarësisë së saj më 2008, disa media perëndimore kanë përdorur një ton skeptik në raportimet e tyre, shpesh duke e portretizuar vendin si të varur nga ndërhyrja ndërkombëtare dhe me vështirësi në arritjen e stabilitetit.
Të dy këto raste tregojnë se si një mendësi kolonialiste në gazetari mund të ndikojë në përshkrimin e vendeve dhe popujve që kanë përjetuar kolonializmin apo dominimin e jashtëm. Narrativa të tilla shpesh nënkuptojnë se këta popuj janë të paaftë për të përparuar pa udhëheqjen ose ndërhyrjen e fuqive të mëdha, duke injoruar historinë e tyre të rezistencës dhe aftësitë e tyre për vetëvendosje dhe qeverisje.
I ashtuquajturi mendim politik i LDK-së, jo vetëm në vitet e apart’heijdit serb në Kosovë [1989-1999], por edhe pas çlirimit, ka kultivuar këtë mendësi varësie nga faktori i jashtëm, që përputhet me paragjykimin kolonial të trajtuar tashmë në rrafshin teorik.
Duke logjikuar vetëm ndërkombëtarisht, gazetari i Kosovës, shprehet Dr Sallova, nuk e sheh si çështje problematike faktin që edhe zgjidhja eventuale e problemit “më të madh” të aleatëve për ta shkëputur Serbinë nga Rusia dhe Kina, nuk do ta zgjidhte fare problemin tonë të brendshëm të cënimit të sigurisë e ligjshmërisë nga strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës.
Shih për këtë, ky rezonim absurd, suksesin e Qeverisë Kurti në procesin e shtrirjes së sovranitetit dhe ligjshmërisë në veri të Republikës e minimizon, duke e cilësuar konform mendësisë koloniale të aplikuar për më shumë se tri dekada.
Rrjedhimisht, presionin e munguar të aleatëve mbi Serbinë, gazetari i Kosovës e interpreton edhe si interes të Kosovës, meqë ky qenka interes i aleatëve, e zbërthen tutje Dr Sallova mendësinë koloniale të “gazetarit kosovar”!
Në këtë rast vërehet qartë se dalja nga shablloni i të menduarit kolonial mbetet proces i vështirë për aq kohë sa në gazetarinë kosovare dominon mendimi kolonial, respektivisht për aq kohë sa ky gjykim nuk i lë vend të menduarit shqip.
Të menduarit shqip duket se mbetet proces që kërkon kohë për tu kultivuar. Sidoqoftë ai po zë vendin e vet ndërkohë dhe gradualisht, madje edhe duke u imponuar nga suksesi i të rinjëve dhe të rejave tona në fusha të ndryshme, nga sporti e deri te shkenca e politika.
***
Nga komuniteti hebrej kudo që ai jeton, jo vetëm nga hapësira ku është ndërtuar shteti-komb hebre Izraeli modern, çdo katër vjet qindra njerëz fitojnë medalje olimpike. Çdo vit një duzinë njerëz fitojnë një çmim Nobel. Megjithatë, më shumë hebrenj fitojnë medalje Nobel sesa medalje ari. Si ka mundësi të ketë një avantazh të tillë për të menduarit hebre,[2] shtron pyetjen rabini Allen S. Maller?
E gjithë kjo, pohon ai tutje në një ese të tij, vjen nga një varg në Librin e Psalmeve: “Një gjë ka thënë Perëndia; dy gjëra kam dëgjuar” (Psalmet 62:12) dhe shkëlqimi i tij në Talmud (Sanhedrin 34a). Me fjalë të tjera, interpretimet e shumëfishta të secilit varg të Shkrimit mund të jenë të
sakta…[3]
Shumësia e interpretimit si mundësi, madje edhe i teksteve të cilësuara si të shenjta, hap horizontin e mendimit, e bën atë më të shlirë, të hapur…
Tradita shqiptare njeh mendimin plural, të drejtën individuale për gjykimin e fenomeneve dhe dinjitetin në mendim e veprim. Kuvendet tradicionale shqiptare e kanë dëshmuar egzistencën e respektimit të gjykimit personal dhe garantimit të të drejtës individuale edhe para se kjo e drejtë të normohet nga organizata me karakter ndërkombëtar dhe e kodifikuar më pas si korpus i të drejtave të njeriut edhe nga OKB-ja. Sipas të drejtës zakonore shqiptare, në librin e tetë të Kanunit të Lekë Dukagjinit, dy paragrafë të veçantë e rregullojnë barazinë para ligjit, me këtë akt edhe mendimin shqip për këtë sferë të jetës, madje në mënyrë eksplicite.
§.593. Kanûni i Malevet të Shqypnis nuk e veçon nierin prej nierit. “Shpirt per shpirt, sè duken e falë Zoti”. §.594. I miri e i keqi kàn nji çmim: Kanûni i mban per burra: “Del i miri prej të keqit e i keqi prej të mirit”. “Në kandàr të vet sè i cilli peshon katerqind derhêm”. [4]
Aftësia për të menduar për disa mënyra të ndryshme në shërbim të vetëvetes, natyrisht edhe në shërbim të Republikës dhe Kombit, i ndihmon njerëzit dhe institucionet të gjejnë zgjidhje më të mira për shumë sfida në jetë; u mundëson atyre të përshtaten më shpejt me situatat e reja; dhe gjithashtu rritë kreativitetin e institucioneve dhe qytetarëve në të menduarit për kulturën dhe shkencën, do të shprehej rabini Allen S. Maller, autor i njërit prej librave bestseller për mistikën hebreje.
Ky gjykim i hapur ndoshta do t’na ndihmonte më drejtpërdrejtë e më qartë që ne, si shoqëri, t’i thejmë disa prej shablloneve të të menduarit njëtrajtshëm, sidomos në fushën e mendimit ideologjik e politik. Tek atëherë, do të mund të rezononim më hapur pse psh. pjesëmarrja e popullit tonë në lufëtn e UÇK-së së vegjëlisë ishte aq e vogël; pse apart’hejdi serb zgjati për një dekadë të tërë; a i ka shërbye imitimi i pluralizmit politik gjatë asaj dekade zgjatjes së gjendjes së amullisë shoqërore, ekzodit masiv të meshkujve të aftë për luftë etj; pse ndodhi përmbysja e vlerave reale gjatë e pas luftës; si ndodhi që Republika të rrëshqasë drejt korridorit të ngushtë “të shtetit në dështim” edhe pas shpalljes së pavarësisë [2008] dhe opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë [2010] …
Kur të fillomë t’ju japim shpjegime këtyre fenomeneve, atëherë mund të themi se kemi filluar të mendojmë shqip dhe t’i shërbejmë më shumë vetëvetes.
__________________
2. https://www.eurasiareview.com/22102024-the-advantage-of-jewish-thinking-oped/
3. Po aty
4. Shtjefën Gjeçovi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, vepër e ribotuar sipas botimit të vitit 1933, shtypur në Shkodër , f.60
[http://www.vatrarberesh.it/biblioteca/ebooks/kanuni.pdf]