Nga Gjeneral Piro AHMETAJ
4 prilli 2024 shënon 75-vjetorin e themelimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, ngjarje që i jep vlera shtesë kombit tonë, pasi mirëpërkon edhe me 15-vjetorin e anëtarësimit të RSH në NATO (4 prill 2009).
Kur 75 vjet më parë, strategu i Luftës së II Botërore, “babai themelues”, Komandant i parë i NATO-s dhe Presidenti i SHBA, Dwight D. Eisenhower, e projektoi NATO-n si “një fuqi politiko-ushtarake për garantimin e mbrojtjes kolektive (vendeve anëtare) në rastet e një sulmi nga Bashkimi Sovjetik, ndoshta as ai vetë nuk e kishte menduar se kishte hedhur themelet e Aleancës me të suksesshme të historinë së njerëzimit.
Në 75 vite, NATO jo vetëm ka përmbushur me sukses “misionin e Gjeneralit Eisenhower”, për paprekshmërinë territoriale të vendeve anëtare, por ka shërbyer edhe si një instrument i fuqisë së pamposhtur ushtarake (deterrance); i besimit te paqja, parimet bazë të demokracisë si dhe për promovimin e vlerave perëndimore.
Pas shpërbërjes së traktatit të Varshavës ndër projektet me peshë thelbësore mbetet politika e “Dyerve të Hapura”, e cila ende shërben si “derë e madhe dhe garanci e shtuar” edhe për integrimin në BE të vendeve të lindjes ish-komuniste. Ndërsa pas shkërmoqjes së BRSS: “NATO ka mbijetuar si dhe dominuar në tregun e sigurisë globale” nëpërmjet një procesi të gjithanshëm transformimi/modernizimi të konceptit, strukturës, armatimit, planifikimit, forcimit të kohezionit si dhe kulturës së bashkëpunimit mes vendeve anëtare.
Sot në hapësirën e Euroatlantike të 32 vendeve të NATO-s jeton një popullsi rreth 1 miliard banorë; mbart ½ e ekonomisë botërore; ka 8 milionë (4 forca aktive dhe po aq rezervë), ndërsa vetëm 3 vende (SHBA, Franca dhe UK) zotërojnë armë bërthamore për ushtrimin e politikës të shkurajimit të armiqve potenciale (deterrence).
Angazhimet në Kosovë, Afganistan, Irak, Libi, etj., provuan fuqinë e pakonkurrueshme ushtarake dhe peshën kritike të NATO-s në dobi të paqes dhe si një “shkollë e vlerave të demokracisë në të gjithë botën”.
Për fatin e kombit tonë, historia 75-vjeçare e NATO-s kulmon/shndrin me ndërhyrjen ushtarake për të ndalur gjenocidin dhe çliruar Kosovën nga makineria kriminale e Millosheviçit (1999), që edhe pse jashtë artikullit 5, e legjitimoi Aleancën si: “Shpresën e paqes dhe të drejtave të njeriun në mbarë globin”. Prandaj nuk do të ishte as fisnike, nëse në çdo 4 prill të mos e përsërisim mirënjohjen mbarëkombëtare ndaj SHBA/NATO.
75 vjet kanë konfirmuar “rolin jetik të SHBA-ve në Aleancën transatlantike”, pasi ajo barrën kryesore të shpenzimeve ushtarake me rreth 1 trilion USD (vitin 2024) ose më shumë se 70% të buxhetit të përbashkët të NATO-s. Gjithsesi, më duhet ta përmend se për shkak të “presionit legjitim të USA/ Trump”, NATO në 2024 shënoi buxhetin me të lartë në histori, 32 vendet arritën shifrën rekord në +1.5 trilionë euro (31 anëtarët e tjerë 500 miliardë euro), me qëllim modernizimin e aftësive ushtarake si dhe rritjen e kredibilitetit të NATO-s.
Ndërsa ky 75-vjetor mbart edhe “mesazhe të forta shpresë” për vendosmërinë e NATOs si dhe fundin që e pret Rusinë-Putiniste e cila: “mbas mbi 25 muaj luftë barbare nuk e pushtoi dot me valle, tanke, dronë dhe raketa Ukrainën martire”, ndërsa në fakt ka humbur me turp 40% të territoreve të pushtuara, iniciativën strategjike të luftës, betejën për të sfiduar rendin e sigurisë globale, interesat dhe fuqinë ushtarake të NATO-s.
Për më tepër që, lufta neonaziste solli zgjerimin me dy vendet nordike (Finlandë dhe Suedi) si dhe mbështetjen me mbi 130 miliardë eruo armatime moderne, përfshi tanke leopard, sistemet Patriot, avionë F-16 etj., të cilat janë prova për kohezionin dhe vendosmërinë e përforcuar të NATO-s, për ta mbështetur Ukrainën deri në fitoren ndaj së keqes të përbashkët (Rusisë Putiniste).
Po ashtu, në kundërpërgjigje të luftës së Rusisë kundër sovranitetit të Ukrainës, rreth 100 mijë trupa aktive, 130 avionë dhe 140 anije luftarake të NATO janë dislokuar në kufijtë lindorë të saj (Poloni, bendet baltike, nordike, Europën Qendrore dhe Juglindore), duke demonstruar fuqinë e pakonkurrueshme ushtarake në mbrojtje të tërësisë territoriale si dhe të interesave gjeopolitike të Aleancës.
Kështu, nuk mbeten më dilema, as për mendjet e ndryshkura jo vetëm në Kremlin, Beograd etj., që falë qëndresës heroike të ukrainasve, por edhe të mbështetjes pa kompromos të NATO-s, Rusia Putiniste gjendet sot më e izoluar/diskretituar se asnjëherë me parë (psh., vetëm Kim-Jongu dhe Vuçiç e uruan për vetëmandatim me bajoneta); rrezikon përjashtimin nga 5-shja vendimmarrëse e KS/OKB dhe siç dihet, Gjykata Ndërkombëtare ka lëshuar “urdhër arresti për krime lufte” ndaj Putinit dhe listën e gjeneralëve zullumqarë rreth tij.
***
15 vjet mbas anëtarësimit në NATO, Shqipëria mbetet edhe më e përkushtuar!
Para së gjithash, përsëris bindjen strategjike, se anëtarësimi i RSH në NATO meriton të mbetet e skalitur në memorien e historisë kombëtare si: “arritja e dytë gjeopolitike pas shpalljes së pavarësisë në 28 Nëntor 1912”.
Si dëshmitar në datën që RSH u ul në tavolinën vendimmarrëse të NATO-s (Samiti i Këln/Strasbourg), sigurisht që e di fort mirë që data zyrtare e pranimit është data 1 prill 2009. Por në 15 vite, vijoj të insistoj fort për t’i “zhvendosur dhe bashkuar celebrimet protokollare nga 1 prilli, më datën e themelimit të NATO-s” (pra 4 prill 1949). Prandaj, 4 prillin e rekomandoj si: “gjetje e mençur”, pasi kapërcen ngarkesat rreth 1 prillit (ditën e gënjeshtrave) si dhe konfirmon një të vërtetë të madhe, që i bën nder kësaj ngjarjeje historike për kombin.
Gjithsesi, duke përsëritur mirënjohjen ndaj SHBA-ve, vijoj të refuzoj “tallavanë populiste” se anëtarësimi i RSH në NATO ishte vetëm një dhuratë! Kjo pasi, si ndër dëshmitarët e këtij udhëtimi jam shumë i bindur që kjo arritje (4 prill 2009) ishte meritë e përpjekjeve 15-vjeçare të Tiranës zyrtare (PfP/1994 – MAP/1999 – NATO/2009) për të përmbushur aspiratën shekullore të shqiptarëve drejt Perëndimit. Pra, anëtarësimi ishte produkt i reformave në fushën e mbrojtjes, i konsensusit të gjerë politik dhe kohezionit kombëtar. Kështu, mjafton të përmendim faktin se nga mëvetësia paranojake me 115 mijë forca aktive dhe marrëzia e gjithë popullit ushtar që konsumonte 25% të GDP-së para 1990 (qasje që e diskretitoi kombin dhe i rraskapiti shqiptarët), me anëtarësimin në mbrojtjen kolektive/NATO, FA kanë +9 mijë, ndërsa shqiptarët shpenzojnë jo më shumë se 2% të GDP-së!
Po ashtu, në këtë udhëtim 30-vjeçar drejt/pas anëtarësimit në Aleancë (1994- 2024), nga konsumatore, RSH është e konfirmuar si kontributore për sigurinë, pasi prej vitit 1996 më shumë se 10.000 ushtarakë kanë kontribuar operacionet e NATO në Bosnjë, Irak, Afganistan, Kosovë, Gjeorgji, Mali etj..
Gjithsesi, përtej “konfliktualitetit ekstrem, për pasojë gjëmave kombëtare (1997, 1998, etj.) nga privatizimi dhe shpërdorimi politiko-elektoral mbi-Pushtetit”, anëtarësimi i RSH në NATO mbetet ndoshta arritja e vetme, në mos e vetmja fare si produkt i vullnetit dhe konsensusit politik si dhe mbështetjes së gjerë mbarëpopullore.
Konsideruar këto, do të ishte e padrejtë që të mos sjellim në vëmendje përkushtimin shembullor të ish-Presidentit/ Kryeministrit Sali Berisha që nga kërkesa zyrtare për t’iu bashkuar aleancës/PfP në 1992, deri në anëtarësimit e plotë në NATO (4 prill 2009), si dhe të mos përsërisim mirënjohjen e thellë ndaj miqve të mëdhenj të Shqipërisë, si Presidentët Bush, Klinton; Sekretarët Baker, Allbright, Powell, Rice, të Mbrojtjes Perry, Rumsfeld, Gate etj., si dhe për gjeneralët e mirënjohur, Clark, Jones, Stavridis, Petraus, etj., për mbështetjen e jashtëzakonshme në përmbushje të aspiratës së shqiptarëve.
Po ashtu, përmendim se në 15 vitet e mbas 2009 deri 2024, Tirana zyrtare ka dëshmuar se anëtarësimi nuk ishte kurrsesi stacion i fundit i Shqipërisë, por një epokë e re, me përfitime, sfida dhe përgjegjësi shtesë. Prandaj kam përshëndetur përfaqësimin dinjitoz në KS/OKB; mbështetjen e pakushtëzuar të vendimmarrjeve në NATO-s; arritjen 2% të GDPsë për 2024, ndërtimin e Bazës Ajrore të Kuçovës, si dhe kontributeve më shumë se modeste që RSH vijon t’i japë jo vetëm Ukrainës.
Por, përtej privatizimit dhe festimeve të tepruara, fatkeqësisht të ndara për këtë arritje gjeopolitike, mbetet e përhershme përgjegjësia shtetërore për ta ngritur edhe më lartë stekën dhe prestigjin e Shqipërisë në NATO si dhe rolin si “vend-Leader” për ta çliruar rajonin nga urrejtja shekullore dhe në udhëtimin euroatlantik të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Nga ana tjetër, është e artikuluar, ndoshta deri në kakofoni se në reformat e sigurisë, kërkohet gjithëpërfshirje dhe konsensus politik! Por, me gjithë vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese (2015) mbetet ende kritike mirëharmonizimi 3 pushteteve kushtetuese mbi vendimmarrjet strategjike në fushën e sigurisë dhe interesave kombëtare.
Ndërsa, si ndër kontribuuesit e udhëtimit 30-vjeçar të Shqipërisë drejt/pas anëtarësimit në NATO (1994 – 2009 – 2024), e çmoj si prioritet transformimin e Sistemit të Sigurisë, pra: “përditësimin e konceptit me atë të NATO-s, modernizimi strukturave, pajisjeve; aftësive operacionale dhe kulturës së bashkëpunimit mes agjencive shtetërore, në interes të sigurisë së jetës, shëndetit, pronës dhe mirëqenies së qytetarëve; rikthimin e besimit në vlerat euro-atlantike; mbrojtjen e interesave kombëtare si dhe përmbushjen e detyrimeve të RSH në NATO”.
Në shtesë, më duhet ta përsëris se në reformat e sigurisë kombëtare, “asnjë groshë nuk vlejnë” privatizimi, politizimi i festës së anëtarësimit; as dalldisjet bollshevike nga fuqia e mbi-Pushtetit si dhe as gajasjet cinike me mjerimin e opozitës të pushtuar nga sekserët dhe egocentrikë të sëmurë, por vetëm… dashuria, përulësia për vendin, përgjegjshmëria e lartë shtetërore si dhe besimi dhe bekimi ndaj partneritetit strategjik me SHBA/NATO.
Për ta përmbyllur: “15 vjet mbas anëtarësimit të RSH në NATO, besoj edhe më fortë se Aleanca më e fuqishme në historinë e njerëzimit do të mbetet e tillë edhe për 75 vitet që vijnë…”!
___________________________________
*Autori, gjeneral Piro Ahmetaj: Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n, Zv.President i Këshillit Atlantikut; ish Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD, Këshilltar i Presidentit, Zv.ShShPFA, Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO