Të hënën, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të zhvillojnë mbledhje të përbashkët ndërqeveritare.
Për këtë dhe zhvillime të tjera në Maqedoninë e Veriut, ka folur zv/kryeministri Izet Mexhiti, i cili tha se mbledhja e përbashkët do të jetë e frytshme, ku si pikë e parë e mbledhjes do të jetë rregullimi i sistemit në kufijtë Bllacë dhe Jazhincë, Shkup-Tetovë, të cilat sipas tij janë pika tejet të rëndësishme për lëvizjen e qytetarëve të të dy shteteve.
Kurse pika e dytë e diskutimit, sipas tij, do jetë për bashkëpunimin në sferën e energjetikës për të ndihmuar njëri tjetrin në rastet kur ka nevojë.
Ndërsa pika e tretë Mexhiti tha se ka të bëjë me rrugën Tetovë – Prizren.
“Së shpejti do të hapet tenderi i tunelit i cili është 6.2 kilometra, pak më i gjatë se tuneli i Kalimashit në Shqipëri dhe më i gjati në rajon. Përveç këtyre tre pikave, do të ketë edhe pika të tjera të cilat janë në interes të dy shteteve dhe qytetarëve”, tha ai.
Sa i përket 100 ditëshit të qeverisë së Maqedonisë, Mexhiti deklaroi se qeveria e Maqedonisë është konform programeve dhe premtimeve dhe se po i zbaton projektet të cilat janë në favor të shqiptarëve.
“Luftë e ashpër po bëhet ndaj biznesit të kazinove për ta reduktuar dukshëm, sepse është i dëmshëm për qytetarët dhe shtetin. Po ashtu po punohet për luftë të pa kompromis ndaj korrupsionit që ka ndodhë në të kaluarën, edhe pse fjalën e fundit ia lëmë drejtësisë”, tha ai.
Tutje Mexhiti deklaroi se është marr vendimi i qeverisë për 35 milionë euro për ndërtimin e kampusit universitar “Nënë Tereza” dhe se të martën do të kalojë vendimi për ta rrumbullakuar sheshin “Skenderbeu” në “Çarshinë e Vjetër” të Shkupit, në vlerë prej 20 milonë euro.
“Në këto 100 ditë ka qenë dukshëm fokusi te fuqizimi i decentralizimit, që është shtyllë e marrëveshjes së Ohrit dhe se qeveria ka hapur procedurën që në këtë gjysmë viti 100 milionë euro ndahen për projekte komunale që kanë të bëjnë më infrastrukturën dhe ngritjen e standardit jetësor dhe po përgatitet për 250 milionë euro tjera prej janarit deri në mars. Brenda gjashtë muajve shkon në gjysmë miliardi euro shuma për realizimin e projekteve, e cila shkon për komunat në përgjithësi dhe 30 për qind e kësaj shume shkon për komunat dhe vendbanimet shqiptare”, shtoi Mexhiti në një intervistë në RTK.
Sipas tij, decentralizimi për shqiptarët në Maqedoni është dy herë më i rëndësishëm për shkak se ka qenë ideja e marrëveshjes së Ohrit, që nëpërmjet fuqizimit të komunave shqiptarët t’i realizojnë shumicën e të drejtave të tyre pa pasur nevojë të drejtohen drejt tek qeveria.
Mexhiti u shpreh i kënaqur për lëvizjet e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe uroj që së shpejti edhe Maqedonia të bashkëngjitet, por sipas tij kjo ngecje e Maqedonisë është rezultat i keqqeverisjes në tetë vitet e kaluara.
Ai deklaroi se prioritet i kësaj qeverie mbetet rruga drejt Bashkimit Evropian.
Prioritetet më i lartë i Bashkimit është gjuha shqipe dhe se do të bëjnë çmos për ta mbrojtur dhe për ta avancuar përdorimin zyrtarë të gjuhës shqipe dhe po punojnë për të pasur ligj të posaçëm për përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në administratë.
“Qeveria ka ndarë mjete për shënimin e festave të nëntorit, festën e 22 nëntorit që lidhet me gjuhën shqipe në mënyrë shtetërore e qeveritare”, tha Mexhiti.
Kurse për ngjarjen që ka ndodhur me presidenten e Kosovës, në aeroportin e Shkupit, Mexhiti tha se nuk ka qenë rasti i parë që ka ndodhur me presidenten Osmani. Ai theksoi se ka pasur edhe dy raste të tjera, me presidentë tjerë, por se nuk janë bërë të ditura nga qeveritë e kaluara. Sipas tij, qeveria i ka marrë masat që tash e tutje, kurdo që presidentja Osmani të udhëtojë nëpër Maqedoni, të ketë angazhim të drejtpërdrejtë që ajo të kalojë sa më mirë. [https://kosovanews.net]