[05 qershor 2024]
Izraeli njoftoi të mërkurën se po kryente një operacion të ri ushtarak kundër Hamasit në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, përpara bisedimeve midis ndërmjetësve të SHBA-ve dhe Katarit, të cilët po përpiqen të finalizojnë një marrëveshje armëpushimi, raporton Reuters.
Mjekët palestinezë thanë se dhjetëra njerëz u vranë në sulmet ajrore në zonë. Krahu i armatosur i Hamasit dhe Xhihadit Islamik njoftoi se ata ishin angazhuar në luftime me forcat izraelite në të gjithë Rripin e Gazës dhe se kishin përdorur raketa dhe granata antitank. Të paktën 44 palestinezë janë vrarë që nga e marta në sulmet ushtarake izraelite në Rripin qendror të Gazës, thanë zyrtarët shëndetësorë në enklavë.
“Bombardimi nuk u ndal gjatë gjithë natës,” tha Aya (30), një mërgimtar në Deir Al-Balah. Mes të vdekurve janë edhe dy fëmijë. Ata vdiqën me nënën e tyre, thanë dëshmitarët okularë. “Kjo nuk është luftë, ky është një shkatërrim që nuk mund të përshkruhet me fjalë”, tha babai i tyre, Ebu Muhamend Ebu Saif.
Sulmet në qendër të Gazës
Ushtria izraelite njoftoi se avionët po synonin objektivat e Hamasit në pjesën qendrore të Rripit të Gazës dhe se forcat tokësore po vepronin në zonën e vendbanimit të refugjatëve Al-Bureija “në një mënyrë të fokusuar bazuar në udhëzimet e inteligjencës”.
“Forcat e Divizionit 98 filluan një fushatë precize në zonën e Bureij Lindore dhe Lindore Deir al-Balah, mbi dhe nën tokë në të njëjtën kohë”, sipas një deklarate nga ushtria izraelite.
Banorët thanë se forcat izraelite kishin dërguar tanke në Bureij dhe se avionët dhe tanket po sulmonin vendbanimet e afërta të Al-Maghazi dhe Al-Nuseirat dhe qytetin Deir Al-Balah, ku tanket nuk hynë.
“Sa herë që flasin për negociata të reja për një armëpushim, forcat pushtuese përdorin një qytet ose një kamp refugjatësh si një mjet presioni. Pse duhet të paguajnë civilët, njerëzit që janë të sigurt në shtëpitë apo çadrat e tyre? Pse arabët dhe bota nuk mund ta ndalojnë luftën”, tha Aya për Reuters.[GN/ISHGJ]