[16 mars 2025]
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov zhvilluan mbrëmë bisedime me qëllim arritjen e qëllimit për një armëpushim në Ukrainë. Të dy ministrat “diskutuan për hapat e ardhshëm pas takimeve të fundit në Arabinë Saudite dhe ranë dakord të vazhdojnë punën për të rivendosur komunikimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë”, thuhet në një deklarate të SHBA, raportoi CNN.
Javën e kaluar, Ukraina dhe SHBA ranë dakord për një propozim për një armëpushim të menjëhershëm. Putini pretendon se në parim është pro paqes, por është pro zgjidhjeve “afatgjata” dhe ka shprehur kujdes për armëpushimin 30-ditor SHBA-Ukrainë. Ndihmësi i Putinit pretendon se këto 30 ditë do të ishin të dobishme për rimëkëmbjen e Ukrainës, sepse ushtria ruse aktualisht po përparon në disa fronte.
Marrëveshja SHBA-Ukrainë erdhi gjatë një takimi në Jeddah të Arabisë Saudite, pasi administrata Trump zhvilloi gjithashtu bisedime me autoritetet ruse në të njëjtin vend në shkurt. Rubio dhe Lavrov në bisedën e së shtunës “diskutuan gjithashtu për aspekte specifike të zbatimit të mirëkuptimit të ndërsjellë të arritur në një takim të zyrtarëve të lartë rusë dhe amerikanë në Riad më 18 shkurt”, sipas një deklarate ruse mbi bisedën, raporton RIA.
Në fund të javës së kaluar, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, u takua me Putinin në Moskë. Gjatë telefonatës së së shtunës, Rubio informoi gjithashtu Lavrovin për sulmet e SHBA-së ndaj objektivave të shumta në Jemen të kontrolluara nga ekstremistët Houthi. Si përgjigje, ministri rus bëri thirrje për “dialog politik për të gjetur një zgjidhje që do të parandalonte gjakderdhjen e mëtejshme”, nënvizohet në një deklarate ruse. [GN/ISHGJ]