Pas dështimit për të avancuar me integrimin në BE kryesisht për fajin e kësaj të fundit, qeveria Rama po ndërmerr një integrim ballkanik alternativ duke nënshkruar marrëveshje të tregtisë së lirë me Serbinë dhe Maqedoninë në Shkup.
Shkruan: Dr Blendi Kajsiu
Tiranë, 3 gusht – Dy janë supozimet mbi të cilat bazohet kjo marrëveshje. Së pari, se tregtia e lirë, apo hapja e tregut të brendshëm ndaj fqinjëve si Serbia automatikisht prodhon zhvillim ekonomik. Supozimi i dytë është që integrimi ballkanik nëpërmjet tregtisë së lirë është njësoj i dobishëm për Shqipërinë edhe pa BE-në.
Të dyja këto supozime janë të gabuara. Tregtia e lirë nuk prodhon automatikisht zhvillim, ajo nuk është një ilaç çudibërës, edhe pse si e tillë është propaganduar nga dogma neoliberale, që tashmë ka hyrë në krizë. Historikisht tregtinë e lirë e kanë propaganduar vendet e zhvilluara për të kapur tregun e vendeve më të pazhvilluara.
Tregu i brendshëm është një pasuri e madhe kombëtare. Hapja e tij nëse nuk bëhet me kujdes dhe në mënyrë graduale, mund të prodhojë shkatërrimin e prodhimit vendas, nga industria deri te bujqësia, sidomos kur ai nuk konkurron dot me prodhimin e huaj. Për këtë arsye, asnjë vend nuk është zhvilluar thjesht duke hapur tregun e brendshëm, por duke mbrojtur dhe stimuluar prodhimin vendas.
SHBA-ja e shekullit të 19-të e zhvilloi ekonominë e saj nën doktrinën e mbrojtjes së industrisë vendase (protection of infant industries) të Alexander Hamiltonit, duke vendosur tarifa prej 40% ndaj produkteve britanike. Këto ishin tarifa tejet të larta po të kemi parasysh edhe tarifën “natyrore” të transportit përmes Oqeanit Atlantik nga Britania në SHBA në shekullin e 19-të.
I frymëzuar nga doktrina e Hamiltonit, ekonomisti nacionalist gjerman George Friedrich List zhvilloi në shekullin e 19-të teorinë e sistemit të ekonomisë nacionale, që argumentonte se përpara se të integrohet në tregun global, një vend duhet të zhvillojë forcat e veta produktive. Ishin pikërisht teoritë e nacionalizmit ekonomik të List, dhe jo teoritë e tregtisë së lirë të David Ricardos, që na ofrohen neve sot, ato që ndoqi Gjermania për të kapur nivelin e zhvillimit të Britanisë së Madhe.
Po kështu, në shekullin XX historitë e suksesit ekonomik si Japonia, Korea e Jugut apo Kina nuk bazohen te hapja totale ndaj tregut të jashtëm, por te mbrojtja dhe zhvillimi i prodhimit vendas nëpërmjet stimulimit të eksporteve. Kina, për shembull, ndonëse ka një ekonomi mjaft të integruar me atë të SHBA-së, nuk e ka hapur tregun e saj të brendshëm ndaj shumë produkteve amerikane, që nga kompjuterët e deri te telefonat celularë.
Kjo nuk do të thotë se tregtia e lirë është e keqe. Problemi është se në mungesë të barazisë në fushën e lojës ekonomike ajo prodhon konkurrencë të pandershme. Ndaj, përpara se të hapësh tregun, duhet të garantosh aftësinë e aktorëve ekonomikë vendas për të konkurruar me të huajt në kushte të barabarta.
Kështu, një fermer shqiptar e ka shumë të vështirë të konkurrojë me një fermer serb, nëse ky i fundit merr më shumë subvencione, kredi dhe mbështetje nga shteti i tij, pa folur për infrastrukturën administrative, fizike dhe teknologjike superiore që ofron Serbia në raport me Shqipërinë.
Ndaj, që tregtia e lirë të funksionojë duhet balancuar më parë fusha e lojës për të krijuar konkurrencë të ndershme, nga ku buron edhe inovacioni dhe rritja e produktivitetit ekonomik. Përndryshe, tregtia e lirë mund të prodhojë thjesht shkatërrimin e prodhuesit vendas.
Në fakt, hapja e tregut tonë pa kriter me Bashkimin Europian fillimisht prodhoi pikërisht këtë: shpartallimin e prodhimit vendas. Aq sa në vitet e para të tranzicionit Shqipëria filloi të importonte edhe ujin, edhe pse një vend me burime të jashtëzakonshme ujore.
Pra edhe hapja jonë totale ndaj BE-së, që më shumë se nga arsyetimi ekonomik, u frymëzua nga trauma jonë me izolimin komunist, e dëmtoi shumë prodhuesin vendas. Pasojë e kësaj ishte, dhe mbetet, braktisja e bujqësisë dhe emigrimi masiv.
Ama në rastin e BE-së dorëzimi i tregut vendas balancohej me tri përfitime ekonomike. Së pari, si pasojë e hapjes me BE-në në Shqipëri erdhi një kapital i madh europian që stimuloi punësimin, know – how, dhe industrinë vendase, si tekstilet që gradualisht kalojnë nga pronësia e huaj në atë shqiptare. Pra, investimet e huaja europiane kompensuan deri diku zhdukjen e prodhuesit vendas.
Së dyti, përballë shkatërrimit të industrisë vendase, BE-ja ofroi fonde dhe mbështetje për ndërtimin e shtetit shqiptar. Ndërkohë që anëtarësimi në BE premton përfitime akoma më të mëdha nga fondet strukturore apo subvencionet që BE-ja ia kalon anëtarëve të saj më të varfër. Pra, në shkëmbim të “dhurimit” të tregut vendas, BE-ja na ofronte ndërtimin e shtetit dhe premtonte fonde që ndihmonin zhvillimin tonë.
Së treti, BE-ja është destinacioni kryesor i emigrantëve tanë. Papunësia që prodhon tregtia e lirë duke shkatërruar prodhuesin vendas në periudhën afatshkurtër transformohet në emigrim që sjell remitancat në Shqipëri. Shpesh emigrantët kthehen me një kapital financiar dhe investojnë në vendin e tyre pasi kanë përfituar njohuri dhe eksperiencë në Europë. Kështu ka ndodhur me shumë emigrantë nga Gjermania, Italia apo Greqia.
Të tre këto faktorë, bashkë me tregun e madh të BE-së, kompensuan humbjet afatshkurtra të Shqipërisë nga hapja e tregut të brendshëm, duke prodhuar premisa për forcimin e ekonomisë dhe prodhimit vendas në terma afatgjatë. Natyrisht, mbetet për t’u analizuar dhe debatuar niveli i kompensimit, pra nëse fituam më shumë se humbëm nga hapja e tregut me BE-në.
Problemi është që në rastin e tregtisë së lirë me Serbinë dhe Maqedoninë mungon BE-ja, ndaj nuk ekziston asnjë nga faktorët e mësipërm. Kështu nëse agroindustria e brishtë shqiptare shkatërrohet nga agroindustria superiore serbe, atëherë ky fenomen nuk kompensohet dot nga Serbia apo Maqedonia.
Këto janë dy vende që mund ta kapin lehtë tregun shqiptar, por që ndryshe nga BE-ja, nuk kanë kapacitetin ta ndihmojnë Shqipërinë me fonde strukturore, me ndërtimin e shtetit apo luftën antikorrupsion, me investime të fuqishme dhe know-how teknologjik si BE-ja, apo me emigracion. Ndaj, integrimi ekonomik i Shqipërisë me Serbinë dhe Maqedoninë nuk është njësoj i dobishëm në mungesë të BE-së.
Për këtë arsye, të deklarosh siç bën Rama dhe Vuçiç, që po bëjmë pikërisht atë që do të bënim brenda BE-së por pa BE-në, nuk ka kuptim, sidomos për Shqipërinë. Për vendin tonë dhe Kosovën integrimi europian pa Europën, por me Serbinë, mund të prodhojë shumë më tepër kosto se sa përfitime ekonomike.
Veçanërisht po të kemi parasysh se Serbia ka një ekonomi shumë më konkurruese se Shqipëria, sidomos në sektorë si agroindustria, që ne duhet t’i mbrojmë dhe zhvillojmë në kuadrin e industrisë së turizmit. Pa përmendur implikacionet politike që mund të ketë penetrimi i kapitalit serb në Shqipëri.
Natyrisht, në këtë pikë lexuesi socialist pasi më ka denoncuar si zagar të Berishës apo Kurtit do të argumentojë se tregtia e lirë me Serbinë do ta shtojë dhe jo reduktojë prodhimin vendas, duke e hapur tregun e madh serb ndaj produkteve shqiptare. Dhe do Zoti që të ndodhë kështu.
Problemi është që nëse prodhuesi shqiptar e ka të vështirë të konkurrojë me produktet maqedonase në Shqipëri, përse do ta fitojë konkurrencën me produktet serbe në Serbi? Ku janë studimet ekonomike apo të fizibilitetit që ka bërë qeveria Rama për të vlerësuar impaktin që tregtia e lirë me Serbinë do të ketë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën?
Ku janë studimet që tregojnë se heqja e tarifave doganore me Serbinë nuk do të bëjë që turistët e huaj në vend të reçelit, salcës apo birrës shqiptare, të konsumojnë në Shqipëri reçelin dhe birrën serbe? Nga e di qeveria Rama se tregtia e lirë nuk do të na sjellë produktet e agroindustrisë serbe, që nxjerrin jashtë loje prodhuesin shqiptar dhe kosovar?
Në mungesë të këtyre analizave dhe duke u nisur nga ajo që dimë mbi ekonomitë dhe tregtinë aktuale midis dy vendeve, është e vështirë të argumentosh që hapja e tregut ndaj produkteve serbe nuk do ta thellojë balancën tregtare negative që tashmë e kemi me Serbinë. Sidomos po të kemi parasysh që Serbia në mars të vitit 2020 adoptoi një politikë industriale ambicioze për periudhën 2021-2030. Ndërkohë në fjalorin e qeverisë Rama, koncepti i politikës industriale ende nuk ekziston.
Marrëveshjet e tregtisë së lirë nuk mund të bazohen në parulla të tipit “hapja është e mirë, mbyllja është e keqe” apo “poshtë nacionalizmi, rroftë globalizmi!”, që ngatërrojnë lëvizjen e lirë të njerëzve me lëvizjen e lirë të mallrave.
Ne e kemi dhe duhet ta thellojmë edhe më tej lëvizjen e lirë të njerëzve me Serbinë, që na sjell turistët e mirëpritur serbë, pa qenë të detyruar të hapim tregun tonë të brendshëm ndaj produkteve serbe. Shqipëria për shumë vite kishte lëvizje të lirë mallrash me BE-në, por jo lëvizje të lirë njerëzish.
Në mungesë të analizës së mirëfilltë ekonomike, marrëveshje si ajo e Shkupit e fundosin balancën tregtare jo vetëm të ekonomisë sonë, por edhe të asaj kosovare, produktet e së cilës mund të dalin jashtë loje në tregun shqiptar përballë produkteve serbe. Ndaj, integrimi ekonomik nuk mund të reduktohet thjesht te vullneti i një individi, sado i gjatë dhe vizionar qoftë ai. [Rruga Press/ ISHGJ]