Nga Shqiprim PULA
Vuçiqi po luan për kohë. Vuçiqi po bën sikur ..!
Të vetmit që e kanë kuptuar se çfarë është vërtet në lojë janë shqiptarët (jo shqipfolësit) dhe udhëheqësit e rendit të parë të Unionit Europian. Që nga dita e parë, ata, e dinin se ky dialog nuk kishte të bënte me pakicën serbe dhe të drejtat e tyre. Ka të bëjë me sovranitetin mbi Republikën e Kosovës. Ka të bëjë me të “drejtën” e Sërbisë për të ekzistuar përmes ‘Kishës’ e ‘Zajednicës’, me mjaftë fuqi, përmbrenda dhe në Kosovë.
Gabimet e Unionit Europian, emisarëve e tij, sot e bëjnë këtë shumë të qartë. Ata, nuk i kuptuan rreziqet. Ata, menduan se Aleksandar Vuçiqi ishte ai, me të cilin mund “të flitet”. Ata, menduan se, naracioni sovietik “normalizim marrëdhëniesh” do ta bënte normalizimin pa Traktat Paqe. Ata, menduan se, lufta e UÇK-së ishte një keqkuptim dhe se statusi – Republika, duhej trajtuar si një kontratë patundshmërie.
Sikur thonin gjë!.
Në fakt, e gjykoj se Vuçiqi do t’a realizoj dështimin e Unionit Europian. Në realitet, është Unioni Europian që po largohet. Po largohet nga parimet mbi paqen e normalizimin. Po largohet nga çdo mësim i nxjerrë nga luftërat në ish-Jugosllavi.
Vuçiqi nuk bën kompromis. Vuçiqi po mbështetet në lodhjen e Unionit Europian. Vuçiqi po mbështetet në dështimin e Unionit Europian. Unioni Europian pothuajse i ofroi atë që donte Sërbia. Republika e Kosovës mjaftë qe e zhveshur nga mbështetja, duke lypur ‘copëza të drejtash’, e detyruar nga UE-ja të pranojë një “normalizim” të serbizuar.
Koha është t’a themi qartë këtë.
Ky dialog mbaron kur Vuçiqi dhe të tjerët si ai, të pranojnë Republikën, jo kur Kosova të sakrifikoj Republikën. Duhet kuptuar saktë, “normalizimi i marrëdhënieve” nuk do të arrihet duke i ofruar copëza të drejtash një vendi të pavarur, nga ish-pushtuesi.
E vetmja rrugë përpara është arritja e paqes, e normalizimi i marrëdhënieve është komponentë e paqes. Nëse, Unioni Europian do të udhëheqë ‘dialogun’ siç duket tani, atëherë duhet hapur t’a deklarojmë të dështuar.