Bajram Kosumi: “Revolucioni 1981”, Brezi ’81 & Embeta, Prishtinë 2025
Shkruan: Bedri Halimi
Në vend të prologut
Studiuesi, shkrimtari, publicisti dhe veprimtari i çështjes kombëtare (ish kryeministër) Bajram Kosumi, këtë vit doli me librin e radhës me titullin tërheqës “Revolucioni 1981”.
Autori duke qenë edhe vetë, jo vetëm pjesëmarrës, por edhe një ndër udhëheqësit e ngjarjeve të vitit 1981, dënohet me 15 vjet burg, ku pjesën më të mirë të rinisë së tij, e kaloi burgjeve serbe.
Kështu, duke i njohur ngjarjet e kësaj periudhe në hollësi, Bajram Kosumi, paraqitet para opinionit lexues dhe studiues, me një libër studimor, kushtuar këtyre ngjarjeve me rëndësi, për historinë më të re të Kosovës në veçanti dhe të popullit shqiptar në përgjithësi.
Rreth ngjarjeve të vitit 1981, janë shkruar, artikuj të shumtë, janë bërë komente të ndryshme, janë thurur poezi e poema, janë shkruar tregime e thurur këngë nga autorë të ndryshëm.
Për këto ngjarje, janë organizuar edhe tribuna të ndryshme politike, kulturore e shkencore.
Por gjithashtu, për këto ngjarje, janë dhënë edhe komente negative, e madje janë shkruar edhe artikuj mohues, rreth karakterit të këtyre ngjarjeve, si në vitin 1981, ashtu edhe në vitet në vijim, duke vazhduar në variacione të ndryshme, nga individ të caktuar deri në ditët e sotme.
Dëshmi të shumta nga dora e parë
Deri më tani, libër i veçantë, me karakter studimor, nga ndonjë autorë, përkatësisht studiues, për këto ngjarje, nuk është bërë. Prandaj ky libër i Bajram Kosumit, nuk paraqet vetëm përpjekje serioze, por edhe realizim i paraqitjes të së vërtetes, në mënyrë të denjë të këtyre ngjarjeve, të kurorëzuara në këtë libër.
Siç shihet, e veçanta shtesë e këtij libri është fakti, se autori edhe vetë është një nga protagonistët kryesorë të këtyre ngjarjeve, si dhe studiues serioz në fushën e letrave shqipe.
Së këndejmi, autori Bajram Kosumi, arrin të tregojë në hollësi, për rrjedhën kronologjike të zhvillimit të ngjarjeve, duke i prezantuar ato nga këndvështrimi i shumë pjesëmarrësve dhe grupeve të ndryshme, që janë marrë me veprimtari të fshehtë atdhetare.
Autori i këtij libri, paraqet deri në hollësi, çdo kontribut të secilit autorë, që është munduar të shkruajë diçka për këto ngjarje, duke e bërë kështu prezantimin e një analize sintetizuese të burimeve të ndryshme, të cilat i citon me pedantëri.
Moszhvillimi ekonomik i Kosovës
Përpos potencimit të pabarazisë së shqiptarëve në Jugosllavi në çdo sferë të jetës, në këtë libër, autori, arrin të sqarojë, se në cilën pozitë të zhvillimit ekonomik ishte Kosova në vite të ndryshme, qysh më 1947 dhe si u bë që nga niveli i zhvillimit të njëjtë me BeH, Maqedoninë dhe Mali i Zi, Kosova të mbetej vendi më i pazhvilluar ekonomik!
Në këtë mënyrë, nga një nivel i produktit shoqëror dhe i të ardhurave kombëtare për frymë 2 herë më i ulët se mesatarja jugosllave në periudhën e pasluftës dytë, Kosova ra në vitet e fundit të viteve 70-ta në një nivel 4 herë më të ulët. Gjatë të njëjtës periudhë 40 vjeçare Kosova, e cila në vitet e para të pasluftës ishte në produktin shoqëror dhe në të ardhurat kombëtare për frymë në nivel të njëjtë me atë të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Bosnjë Hercegovinës, ra një një nivel 2,5 herë më të ulët në krahasim me këto republika. Kurse në krahasim me republikën më të zhvilluar, të Sllovenisë kjo diferencë u thellua, nga 3,3 herë në vitin 1947, në 7,5 herë në vitin 1981 (E. Reuter, Die Albaner in Jugoslaëien, München, 1982, f. 57; “Rilindja”, Prishtinë, 1-2 maj 1987, f. 8; Po aty, 8 nëntor 1987, f. 7).
Rrjedhimisht dallimet dhe prapambetja e Kosovës në krahasim me ekonomitë e republikave jugosllave dhe të Krahinës së Vojvodinës po shkonin duke u thelluar (Kosovo – Past and Present, Belgrade, 1989, f. 183-189, 190-196).
Qasja ndaj mohimit të ngjarjeve të vitit 1981
Më tej, autori Bajram Kosumi, arrin që të prezantojë të dhëna nga burime të shumta edhe nga shtresa e intelektualëve të proviniencës nga Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë, nga Lidhja e Komunistëve të Serbisë, nga Lidhja Komuniste e Kosovës etj.
Përmes shembujve e citateve të shumta, autori, e shkërmoqë mendimin morbid, të klasës politike të proviniencës jugosllave, se, “ngjarjet e vitit 1981, nuk ishin të nevojshme, ishin të dëmshme apo edhe të manipuluara nga shërbime të ndryshme të UDB-së, Rusisë, e deri te akuzat për implikim të Shqipërisë etj”.
Nga të gjitha gjërat që gjenden në libër, jo vetëm studiuesi i mirëfilltë, por edhe lexuesi i rëndomtë, por nuk ka se si mos të pyesë, kush ishin këta përfaqësues të klasës politike shqiptare në Kosovë, të cilët kanë qenë gjallë në të gjitha proceset e periudhave të ndryshme, që nga pas Lufta e Dytë Botërore në Kosovë, në Serbi e në Jugosllavi? Prandaj, rrjedhimisht edhe lindin pyetjet, se sa këta përfaqësues të klasës politike shqiptare, të proviniencës jugosllave, janë bashkëpërgjegjës për mosngritjen e zërit ndaj shpërnguljes së shqiptarëve për Turqi në vitin 1953 me rastin e marrëveshjes famoze turko – jugosllave mes Josip B. Titos e Fuat Kyprilit? Si u bë që këta përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës të mos e ngrisnin zërin ndaj dhunës së egër të periudhës së Rankoviqit, ku pësuan shumë shqiptarë, duke u dëmtuar rëndë fizikisht? Si u bë që kjo klasë politike në vitin 1968 ta përmendë edhe republikën dhe si u bë që po kjo klasë politike më 1981 të hidhet në sulm kundër rinisë dhe popullit të Kosovës, përkatësisht kundër kërkesës Kosova Republikë, duke i dënuar demostratat, njëjtë si Federata Jugosllave, si Republika e Serbisë, me histeri, llahtari e delir?
Për më tepër, dhe për më keq, si u bë, që ndonjë politikan me ndërgjegje të vrarë, apo pa ndërgjegje fare, me paturpësinë më të madhe, të deklarojë se studentët dhe populli shqiptarë në demostratat e vitit 1981 “paskan kërkuar republikë staliniste e enveriste”?
Kush e beson këtë “arsyetim”?
Përderisa dallimet dhe prapambetja e Kosovës në krahasim me ekonomitë e republikave jugosllave dhe të Krahinës së Vojvodinës shkonin duke u thelluar, përse mohuesit e ngjarjeve të vitit 1981, nuk e ngritën zërin dhe nuk ju kundërvunë politikave shfrytëzuese të resurseve të Kosovës?
Prandaj me të drejtë, autori Bajram Kosumi, arsyetimet e qëndrimeve të fundit, pos tjerash i quan edhe ‘enigmatike’, ndonëse vetë sjellja praktike në shoqëri, e individëve të tillë, gjatë tërë periudhës sa kanë qenë nëpër detyra udhëheqëse, në funksione të ndryshme, e kanë treguar qartë, se sa kanë mundur e sa mund të qëndrojnë ‘enigmatike’.
Këtë e dëshmon më së miri, vetë fakti i përfundimit të karrierës së tyre, kur asnjëri nga këta udhëheqës, nuk mbeti i pandëshkuar në forma të ndryshme, madje edhe me burg, nga politika shoveniniste serbe me në krye Sllobodan Millosheviqin.
Matja e kohës me sahatin e prishur të autonomistëve
Në anën tjetër, Bajram Kosumi është objektiv edhe në çështjen e të arriturave që janë bërë, përmes autonomisë së vitit 1974, duke potencuar se ndër të arriturat kryesore të kësaj autonomie janë: pjesëmarrja në unifikimin e gjuhës letrare shqipe, si dhe hapja e universitetit në gjuhën shqipe.
Mirëpo, përmes analizës, Bajram Kosumi, heq edhe dilemat e qëllimta, rreth Kushtetutës së vitit 1974. Ai me argumente të shumta u kundërvihet mendimit të individëve të caktuar, që shkruajnë se Kushtetuta e vitit 1974, sipas tyre, i kishte të gjitha ingerencat shtetërore, e rrjedhimisht sipas kësaj logjike, nuk paska pasur fare nevojë për ngjarjet e vitit 1981! Madje sipas kësaj mendësie, këto ngjarje vetëm sa e paskan shpejtuar procesin e marrjes së autonomisë së Kosovës, përkatësisht Kushtetutës së vitit 1974!
Pikërisht në këtë libër, këto gjëra sqarohen hollësisht, edhe për lexuesit e thjeshtë, duke qartësuar, se ku ishte defekti i Kushtetutës së vitit 1974; në cilën pikë të kësaj kushtetute Kosova ishte e lidhur me Serbi dhe në cilën pikë ishte e lidhur për Federtën Jugosllave. Pikërisht përmes analizës së argumentuar, sqarohet, se përse Kosova ishte pjesë e Serbisë, dhe përse Kosova nuk mundte të shpallte Pavarësinë e vet me rastin e shkatërrimit të mundshëm të Jugosllavisë.
Gjithashtu, autori sqaron, se si dhe përse shqiptarët në ish Jugosllavi administroheshin nga pushteti i Beogradit në krye me Josip Broz Titon, se si shqiptarët i ndanë në disa njësi administrative si në Kosovë, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni. Gjithashtu sqarohet, se përse shqiptarët quheshin kombësi, ndonëse numerikisht ishin popullsia e tretë në përbërje të ish Jugosllavisë, pas serbëve dhe kroatëve.
A mund të ndalej procesi i shpërbërjes së Jugosllavisë, sikur të mos ekzistonin ngjarjet e vitit 1981?
Më tej, në këtë libër, autori sqaron se si do të përfundonin shqiptarët dhe Kosova, nëse nuk do të ndodhnin ngjarjet e vitit 1981, ku rrjedhimisht në këtë rast, të imponohen pyetjet logjike se vërtet çfarë do të ndodhte me shqiptarët në përgjithsi, e me Kosovën në veçanti, sikur mos të kishin ndodhur ngjarjet e vitit 1981. A do të shpëtonte shpërbërja e Jugosllavisë, sikur mos të kishin ndodhur këto ngjarje?
Përdërisa komunizmi u shpërbë në të gjithë Evropën, në radhë të parë në Bashkimin Sovjetik, ku shpërbërja ndodhi fatmirësisht pa gjakderdhje, për shkak të pragmatizmit politik të Mihajl Gërbaqovit, në Jugosllavi ndodhi e kundërta: tendencat e unitarizmit dhe hegjemonisë serbe filluan të paraqiteshin qysh në vitin 1971 – 1972. Pra para se të jepej autonomia e vitit 1974 për Kosovën. Këto tendenca pastaj, shkuan në rritje, gjatë vitit 1978 e tutje.
Po gjatë kësaj periudhe, krahas shqiptarëve edhe boshnjakët e Bosnjës (popullata boshnjake), ishin etnitë më të ngulfatura, si në planin politikë, ashtu edhe në atë nacional.
Prandaj, rezultatet e luftës në Bosnje, dhe pasojat e këtyre rezultateve, për popullatën boshnjake tashmë dihen. Një ndër shkaqet e këtyre pasojave ishte edhe mungesa e homogjenitetit të popullata boshnjake e Bosnjës, e cila kishte arritur gjatë periudhës jugosllave, që të koketonte në përmasa të mëdha me serbët e Bosnjës, si dhe me serbët kudo në nivel jugosllav, ku shumë bishnjak të Bosnjes, gjatë kësaj periudhe, si për shkak të martesave të përziera, ashtu edhe për shkak të bashkëpunimit kulturor, në sferën e letërsisë, muzikës e artit, me ç’rast në disa fusha, një pjesë e kulturës së popullatës boshnjake ishte njëjtësuar me kulturën serbe, ku rrjedhimisht kishin arritur në situatën sa ta quanin vetën, si jugosllav. Dhe pastaj pasojat dihen.
Ngjarjet e vitit 1981 përballë kozmopolitizmit jugosllav
Ngjashëm edhe në Kosovë, para fillimit të ngjarjeve të vitit 1981, disa shqiptarë e kishin përqafuar frymën e kulturës serbe, si në letërsi, muzikë etj., dhe çdo gjë të ‘ndritshme’ për në Evropë, përkatësisht perëndim, këta njerëz e shihnin vetëm përmes dritares së Beogradit.
Kjo shtresë e njerëzve të kësaj mendësie, kishte rrezik të zgjerohej, me rrezikun për ta bërë kështu hibridizimi kulturor e nacional, duke e përqafuar kështu frymën serbe, që përmes eufemizmit, pastaj është të quajtur ‘komb jugosllav’.
Bajram Kosumi, të gjitha këto, i zbërthen në këtë studim, dhe i zbërthen bukur, me shembuj të shumtë, për shtresat e ndryshme të estabilishmentit kulturor dhe politikë në Kosovë dhe te shqiptarët në përgjithësi.
Prandaj me të drejtë, nxjerr konstatimin se ngjarjet e vitit 1981 janë revolucion edhe në planin kulturor, politik e nacional, por edhe në planin ekonomik. Këto ngjarje e ndërprenë procesin e jugosllavizimit të një shtrese të shoqërisë shqiptare, që në emër të liberalizmit, kishte përqafuar frymën serbe, të mbështjellë me amalgamën e kozmopolitizmit jugosllav.
“Prosta rečenica” e pretendimit të mendimit shkencor, për ngjarjet e vitit 1981
Me të dhënat që sjell Bajram Kosumi në këtë libër, arrin ta heq çfarëdo dileme për ndonjë lexues dhe ndonjë studiues, që ka mundur të ketë hamendësime, lidhur me karakterin e këtyre ngjarjeve, duke sjellë argumente të shumta, përmes analizës konkrete dhe shembujve konkretë.
Natyrisht, autori nuk ka se si të qëndrojë indiferent, ndaj tendencave të djeshme, por edhe të sotme, të ndonjë individi, që tenton të vë sadopak hije mbi këto ngjarje. Ai përmes analizës së thellë, ka arritur ta shkërmoqë pikëpamjen edhe të ndonjë intelektuali “modern”, që për shkak të ambicjeve të veta, apo edhe deficiteve të ndryshme në sferën kombëtare apo shkencore, mundohet të shërbehet me brryla, duke tentuar për ta paraqitur mendimin e vet, gjoja serioz dhe origjinal, e që këto qëndrime, i quan qëndrime të ashtuquajtura të “mesit të artë”, por që me të dy këmbët rrëshqet nga mesi, duke rënë kokë e këmbë në mendimin mohues, të cilave mendime e qëndrime, tashmë vetë praktika historike, ua ka dhënë përgjigjen. Por, përgjigja decidive e autorit, nuk mungon as në këtë libër. Thënë ndryshe, këta individ në shkencë me mendime të tilla do t’i quanim, “prosta rečenica” (fjali e thjeshtë).
Bajram Kosumi, nuk polemizon me individin. Ai i kundërvehet, mendimit të paqëndrueshëm, përkatësisht, logjikës së mohimit mekanik, përmes analizës dialektike shkencore.
Në vend të epilogut
Libri ka mbi 500 faqe, me referenca të shumta shkencore, brenda 8 kapitujve. Gjithashtu duhet të potencojmë se libri mund të lexohet si studim në tërësi, ku çdo kapitull është studim në vete, (sikur po lexohej edhe si i vetëm). Edhe në këtë rast, lexuesi nuk mbetet pa përgjigje në dilemat që janë muduar të krijohen nga qarqe të caktuara. Pra, në secilin kapitull, jepet përgjigje për dilemat e veçanta, ndërkaq, në tërë librin, jepet përgjigje për të gjitha dilemat në tërësi.
Titujt e kapitujve janë si në vijim: “Histori e shkurtër politike e Kosovës”; “Çka ndodhi në Kosovë më 1981?”; “Shqiptarët dhe Jugosllavia, pse revolucioni 1981?”; “Klasa e studentëve dhe struktura të tjera sociale e politike në vitin 1981”; “Klasa e inteligjencies në mesin e artë”; “Revolucioni i vitit 1981 dhe proceset shqiptare”; “Revolucioni 1981 dhe reagimi jugosllav”; “Revolucioni 1981 dhe rënja e sovjet – komunizmit”.
Gjithsesi ky libër ja vlen të lexohet nga të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, për t’u njoftuar më hollësisht dhe më denjësisht për periudhën e lavdishme të ngjarjeve të vitit 1981, e që me të drejtë autori Bajram Kosumi e quan: Revolucioni 1981. Ato vërtet ishin Revolucion, që patën ndikim në zhvillimet politike deri në ditët e sotme
Si rrjedhojë, kushdo që të marrë mundimin të shkruaj për këto ngjarje apo për këtë periudhë historike, të dhënat që orfon Bajram Kosumi në këtë libër, nuk mund t’i anashkalojë asnjë studiues serioz.