Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka mohuar pretendimet e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme Ruse (SVR) se kompanitë serbe të mbrojtjes vazhdojnë të furnizojnë me municion Ukrainën, pavarësisht neutralitetit të deklaruar të Beogradit.
“Industria serbe e mbrojtjes po përpiqet të qëllojë Rusinë pas shpine”, thuhet në një deklaratë të agjencisë ruse në fjalë.
Qeveria e Serbisë ka mbajtur marrëdhënie miqësore me Rusinë nën Vuçiqin, i cili ka mohuar pretendimet e mëparshme se Ukraina po furnizohej me armë nga Serbia. Beogradi është pozicionuar si neutral në luftën ruso-ukrainase, duke kërkuar të balancojë pozicionin e tij si kandidat i BE-së me marrëdhënien e tij historike me Moskën.
“Ne punojmë vetëm për Serbinë”
Inteligjenca ruse ka akuzuar kompanitë serbe për orjentimin dhe plasimin e armëve në Ukrainë përmes ndërmjetësve të palëve të treta, përkatësisht vendeve të NATO-s si Republika Çeke, Polonia dhe Bullgaria. “Kohët e fundit, opsionet ekzotike që përfshijnë vendet afrikane janë përdorur gjithashtu për këtë qëllim,” pretendon raporti. Kontributi i Serbisë arrin në “qindra mijëra predha për raketa-hedhës të shumtë dhe obus, si dhe një milion armë të vogla”, thuhet në raportin e inteligjencës ruse.
“Për shembull, ata thonë saktë se ka një kontratë me Republikën Çeke. Por nuk është dhënë leje, nuk është dorëzuar asnjë raketë” në Ukrainë, tha Vuçiqi për RTS të Serbisë. “Ne kemi formuar një grup pune me partnerët rusë për të vërtetuar faktet… ne punojmë vetëm për Serbinë,” shtoi ai.
Financial Times raportoi në qershor 2024 se municionet serbe me vlerë 855 milionë dollarë kishin arritur në mënyrë indirekte në Ukrainë. Kjo nuk është hera e parë që pala ruse akuzon Serbinë për dërgimin e armëve në Ukrainë. [GN/ISHGJ]