Vendet e NATO-s pezullojnë pjesëmarrjen në Paktin e Sigurisë të epokës së Luftës së Ftohtë pas tërheqjes së Moskës

8 nëntor 2023 0 komente
(RFE/RL) – Vendet anëtare të NATO-s që nënshkruan një traktat sigurie të epokës së Luftës së Ftohtë që kufizon kategoritë kryesore të forcave të armatosura konvencionale, më 7 nëntor, pezulluan detyrimet e tyre sipas paktit vetëm disa orë pasi Rusia u tërhoq.
Traktati me objekt trajtimi Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë (CFE), i nënshkruar në nëntor 1990, vendosi kufizime të verifikueshme për kategoritë e pajisjeve ushtarake konvencionale që NATO dhe Pakti i atëhershëm i Varshavës mund të vendosnin. Ai synonte të parandalonte rivalët e Luftës së Ftohtë që të grumbullonin forca në ose afër kufijve të tyre të ndërsjellë.
NATO tha se veprimi për të ngrirë pjesëmarrjen e vendeve anëtare që nënshkruan CFE-në ishte i nevojshëm sepse “një situatë ku shtetet aleate respektojnë Traktatin, ndërsa Rusia jo, do të ishte e paqëndrueshme”.
Moska tha më herët, më 7 nëntor, se kishte finalizuar tërheqjen e saj nga traktati, duke fajësuar Shtetet e Bashkuara për minimin e sigurisë së pas Luftës së Ftohtë me zgjerimin e NATO-s.
Lëvizja e shumëpritur erdhi pasi ligjvënësit në Moskë miratuan një projekt-ligj të propozuar nga Presidenti Vladimir Putin që denonconte CFE-në.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Matthew Miller tha se Shtetet e Bashkuara “bashkohen dhe mbështesin plotësisht” vendimin e vendeve të NATO-s për të pezulluar detyrimet e tyre, duke thënë se kjo është “në përputhje me të drejtat tona sipas ligjit ndërkombëtar”.
Masa është në përgjigje të “një ndryshimi rrënjësor të rrethanave të shkaktuara nga kombinimi i tërheqjes së Rusisë nga Traktati CFE dhe vazhdimit të luftës së saj të plotë të
agresionit kundër Ukrainës, një tjetër Shtet Palë CFE, duke përdorur forcat që Traktati synon të kufizojë,” tha Miller në një deklaratë.
Miller shtoi se tërheqja e Rusisë nga CFE nuk pritet të ketë ndonjë ndikim praktik në qëndrimin e saj të forcës, duke qenë se ajo nuk ka respektuar detyrimet e saj të traktatit që nga viti 2007.
Si Miller, ashtu edhe këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, thanë se veprimet e Rusisë demonstrojnë mospërfilljen e vazhdueshme të Moskës për kontrollin e armëve. Sullivan shtoi se pezullimi i detyrimeve të CFE do të forcojë “kapacitetin parandalues dhe mbrojtës të NATO-s, duke hequr kufizimet që ndikojnë në planifikimin, dislokimet dhe stërvitjet”.
Ministria e Jashtme gjermane kritikoi gjithashtu tërheqjen e Moskës, duke thënë se “Rusia po shkatërron një shtyllë tjetër të arkitekturës sonë të sigurisë evropiane dhe kontrollit të armëve”. Por ajo nënvizoi në një deklaratë se Berlini dhe aleatët e tij nuk po tërhiqen nga traktati dhe tha se në rastin e një “ndryshimi themelor në sjelljen e Rusisë, një zbatim i rinovuar i CFE-së mbetet i mundur”.
Njoftimet për CFE-në vijnë pas veprimeve që dobësuan traktatet e tjera kryesore të kontrollit të armëve.
Putin javën e kaluar nënshkroi një projekt-ligj që revokonte ratifikimin nga Rusia të Traktatit të Ndalimit Gjithëpërfshirës të Testeve Bërthamore, një veprim që ai tha se ishte i nevojshëm për të vendosur barazi me Shtetet e Bashkuara. Në shkurt, Moska pezulloi pjesëmarrjen e saj në Traktatin e Ri START, pakti i fundit i kontrollit të armëve që ka mbetur midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Të dyja vendet u tërhoqën gjithashtu nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF) në vitin 2019, duke fajësuar njëri-tjetrin për shkelje. Traktati INF, i nënshkruar në 1987, ndaloi prodhimin, testimin dhe vendosjen e raketave me bazë tokësore dhe balistike me rreze veprimi nga 500 deri në 5500 kilometra. [Përktheu: ISHGJ]