[06 janar, 2024]
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua sot me liderin e Turqisë, pasuar nga një takim me liderin e Greqisë në fillim të një udhëtimi njëjavor për të qetësuar tensionet që janë rritur në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit. në tetor, raporton Reuters.
Kryediplomati i administratës Biden u takua të shtunën në Stamboll me presidentin turk Tajip Erdogan, një kritik i ashpër i veprimeve ushtarake të Izraelit në Gaza. Blinken dhe ministri i Jashtëm Hakan Fidan diskutuan më parë për luftën dhe krizën humanitare në Gaza dhe ratifikimin e Turqisë të anëtarësimit të Suedisë në NATO, tha Ministria e Jashtme turke.
Çështja e Suedisë në NATO, aeroplanët F-16 …
Zyrtarët amerikanë janë të frustruar nga procesi i gjatë, por të bindur se Ankaraja së shpejti do të miratojë pranimin e Suedisë në NATO pasi vendi fitoi mbështetjen nga një komitet parlamentar turk në dhjetor, tha një zyrtar i lartë i paidentifikuar i Departamentit të Shtetit, i cili udhëtoi me Blinken.
Ligjvënësit amerikanë kanë vonuar shitjen e avionëve luftarakë F-16 në Turqi derisa ajo të ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO. Suedia, së bashku me Finlandën, aplikuan për anëtarësim në NATO pas pushtimit rus të Ukrainës në fillim të vitit 2022. Me anëtarësimin në NATO, ajo do të bëhej anëtari i 32-të i asaj aleance. Finlanda u bashkua vitin e kaluar.
Blinken do të udhëtojë më vonë në Kretë për një takim me kryeministrin grek Kiriakos Mitsotakis. Greqia, anëtare e NATO-s, është në pritje të miratimit nga Kongresi Amerikan për të shitur avionë luftarakë F-35. “Ne do ta diskutojmë këtë çështje. Mendoj se do të ketë zhvillime pozitive”, tha ministri i Jashtëm grek George Gerapetritis për televizionin grek Skai.
Turneu i Blinken
Turneu i Blinken-it do të përfshijë shtetet arabe, Izraelin dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, ku ai do të thotë se Uashingtoni nuk dëshiron një përshkallëzim rajonal të konfliktit në Gaza.
Zyrtari amerikan tha se Turqia ka marrëdhënie me shumë palë në konflikt, duke iu referuar lidhjeve të saj me armiqtë e SHBA-së, Iranin dhe Hamasin. Ndryshe nga SHBA, Turqia nuk e konsideron Hamasin një organizatë terroriste dhe mirëpret disa anëtarë për të vizituar.
Lufta filloi kur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke rrëmbyer 240. Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë 22.700 palestinezë, thonë zyrtarët palestinezë, dhe konflikti është përhapur në Bregun Perëndimor, Liban dhe rrugët ujore të Detit të Kuq.
Blinken shpreson të bëjë përparim në bisedimet se si mund të qeveriset Gaza nëse Izraeli arrin qëllimin e tij për të shkatërruar Hamasin. Uashingtoni dëshiron që vendet në rajon, përfshirë Turqinë, të luajnë një rol në rindërtimin, qeverisjen dhe sigurinë e Rripit të Gazës, i cili drejtohet nga Hamasi që nga viti 2007, tha zyrtari. [GN/ISHGJ]