[07 dhjetor 2023]
Spanja ka dëbuar në mënyrë diskrete të paktën dy punonjës të ambasadës amerikane të akuzuar për ryshfet ndaj zyrtarëve të inteligjencës spanjolle në këmbim të sekreteve shtetërore, raportoi të enjten gazeta El Pais, duke cituar burime qeveritare.
Asnjë vend nuk e konfirmoi menjëherë dëbimin, por ministrja spanjolle e Mbrojtjes, Margarita Robles, e pyetur për këtë rast, hodhi poshtë rëndësinë e tij për marrëdhëniet midis dy vendeve. Ajo konfirmoi se një hetim gjyqësor për “sjellje të parregullta” në shërbimin e inteligjencës spanjolle CNI është duke u zhvilluar, raporton Reuters.
“Spanja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë miq, aleatë dhe partnerë. Kur ka vështirësi që mund të na prekin, ato diskutohen dhe punohen, por kjo në asnjë mënyrë nuk ndikon në marrëdhëniet që kemi”, u tha Robles gazetarëve.
Një zyrtar amerikan në Spanjë tha se ambasadorja e SHBA, Julissa Reynoso, nuk do të komentonte mbi incidentin.
El Pais shkruan, pa përmendur emra apo funksione, se rezultatet e hetimit treguan se dy oficerë të inteligjencës spanjolle dhanë informacione për një “shumë të madhe”. Gazeta shtoi se më shumë se dy “spiunë” amerikanë mund të kenë qenë të përfshirë.
Zyrtari i CNI dhe ndihmësi i tij u arrestuan dy muaj më parë dhe gjykata urdhëroi që çështja e tyre të mbetej sekret, shkruante El Pais.
Qeveria spanjolle njoftoi se një hetim ishte nisur me kërkesë të CNI, por nuk do të jepte detaje të mëtejshme pasi hetimi është i klasifikuar.
Autoritetet spanjolle thirrën ambasadoren Reynoso për një intervistë dhe thanë se ajo nuk dinte asgjë për rastin dhe kërkoi falje, shtoi gazeta.
Më pas Uashingtoni ra dakord me kërkesën e Ministrisë spanjolle të Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme që dy punonjës të ambasadës amerikane të largoheshin nga vendi.
Zëdhënësit e ministrisë së jashtme të Spanjës dhe gjykatës më të lartë nuk pranuan të komentojnë ngjarjen dhe CNI nuk iu përgjigj një kërkese për koment. [GN/ISHGJ]