SHBA-të të shqetësuara për grumbullimin e trupave serbe
Prishtinë, 30 shtator 2023 – Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin për një grumbullim “të paprecedentë” të trupave nga Serbia në kufirin me Kosovën. Presidenti i Serbisë e mohon këtë. Përgjegjësinë për sulmet e së dielës së kaluar ka marrë tashmë një politikan serb i Kosovës. Për shkak të rritjes së tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, SHBA-të i kanë bërë thirrje palës serbe që të deeskalojë menjëherë. Uashingtoni shprehu shqetësimin për një grumbullim të pazakontë të trupave serbe në kufirin me Kosovën. Sekretari amerikan i Shtetit ,Antony Blinken, i telefonoi presidentit serb Aleksandar Vuçiq, njoftoi të premten në Uashington Departamenti Amerikan i Shtetit.
Sipas agjencisë serbe të lajmeve Tanjug, Vuçiq ka mohuar të ketë grumbulluar njësi të mëdha ushtarake në kufirin me Kosovën. Drejtori i komunikimit i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, foli për një grup “të paprecedentë” artilerie dhe tankesh. “Ne i bëjmë thirrje Serbisë që t’i tërheqë këto trupa në kufi”, tha Kirby në Uashington. Pas sulmit të së dielës së kaluar në veri të Kosovës, Blinken kërkoi në telefonatë që përgjegjësit që ndodheshin aktualisht në Serbi të mbaheshin përgjegjës. Blinken përshëndeti faktin që NATO kishte miratuar vendosjen e forcave shtesë në vendin e vogël ballkanik. [https://www.tagesschau.de/]