Një ushtar amerikan duke hedhur një raketë me sistemin kundërtanke, Javelin. Fotografi ilustruese nga arkivi.
[11 janar, 2024]
Shtetet e Bashkuara kanë pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketa kundërtanke, Javelin, i tha ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit të tyre në kryeqytetin serb, më 11 janar.
Departamenti amerikan i Shtetit do ta dërgojë kërkesën e Kosovës në Kongresin amerikan, me çka fillon procedura zyrtare, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Presidenca serbe.
Nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se blerja e raketave Javelin është paraparë në kuadër të ngritjes së kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“FSK-ja është duke i ngritur kapacitetet e saj ushtarake, dhe, në këtë aspekt, ekziston një marrëveshje ushtarake e nënshkruar mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që funksionon në kuadër të programit FMS, që blerjet të realizohen nëpërmjet këtij programi. Dhe, në këtë aspekt, janë të përfshirë edhe raketa Javelin dhe disa sisteme të tjera moderne të armatimit”, ka thënë Liridona Gashi, këshilltare politike e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Programi FMS (shitjet e huaja ushtarake) është një program i ushtrisë amerikane për të ofruar ndihmë të sigurisë dhe është një “mjet thelbësor i politikës së jashtme amerikane”, thuhet në ueb-faqen e Agjecisë amerikane për bashkëpunim në siguri. Sipas këtij programi, Qeveria amerikane dhe një qeveri e huaj mund të arrijnë marrëveshje ndërqeveritare, që quhet Letër e Ofertës dhe Pranimit.
Presidenti i Serbisë e ka quajtur zhgënjim të madh lajmin për kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave, duke shtuar se Serbia, së bashku me SHBA-në, do të punojnë në ruajtjen e raporteve serbo-amerikane.
“Për ne, është shumë e rëndësishme që paqja në rajon të mos prishet dhe që Serbia të vazhdojë të veprojë në mënyrë të përgjegjshme dhe të kontribuojë në stabilitetin në Ballkan”, tha presidenti serb.
Armët e tjera amerikane të FSK-së
FSK-ja – që është në tranzicion për t’u bërë ushtri – edhe më herët është furnizuar me armë amerikane.
Më 2018, pasi Kuvendi i Kosovës mori vendimin për transformimin e FSK-së në ushtri – proces që është paraparë të zgjasë dhjetë vjet – Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar një kontratë me kompaninë amerikane, AM General për pajisjen e FSK-së me 51 automjete të tipit Humvee. [REL]