Sipas revistës serbe Informer udhëheqja shtetërore serbe ka miratuar një dokument strategjik për zhvillimin afatgjatë të ushtrisë. Sipas këtij dokumenti Serbia planifikon një ushtri ‘së paku 10% më të fortë’ se katër vende të rajonit të marrë së bashku.
Prishtinë, 29 nëntor –Udhëheqja shtetërore serbe ka miratuar një dokument strategjik për zhvillimin afatgjatë të ushtrisë. Sipas revistës serbe Informer, kjo strategji për herë të parë në dy dekadat e fundit përcakton drejtimet e zhvillimit të sistemit të mbrojtjes serbe.
“Ushtria jonë duhet të jetë më e fuqishme se forcat e armatosura të Kroacisë, BeH, Shqipërisë dhe shtetit të rremë të Kosovës së bashku, thotë strategjia e re e politikës së mbrojtjes”, citohet teksti i dokumentit nga portali serb Informer.
Në dokument theksohet se “ushtria jonë duhet të jetë më e fortë se të gjitha forcat e tjera të armatosura të vendeve potencialisht armiqësore në rajon të marra së bashku”.
“Analizat tregojnë se tani jemi në rreth 65-70% të fuqisë në raport me forcat e armatosura të kombinuara të Kroacisë, Bosnjës, Shqipërisë dhe Kosovës. Megjithatë, kjo nuk është mjaftueshëm mirë. Strategjia e re synon ta sjellë ushtrinë serbe në të paktën 110% të fuqisë ushtarake krahasuar me këto 4 vende në vitet e ardhshme” – shkruan media që citon dokumentin.
“Vetëm nëse ushtria serbe është në gjendje të neutralizojë me vendosmëri dhe në mënyrë efektive kërcënimet e të gjitha vendeve potencialisht armiqësore në rajon, mund të themi se ekziston një garanci afatgjatë për paqen tonë dhe stabilitetin.
Vetëm nëse këto vende e dinë që një përplasje ushtarake me Serbinë do t’u shkaktonte humbje disproporcionale të mëdha, Serbia mund të planifikojë zhvillimin e saj shtetëror dhe shoqëror në planin afatgjatë.
Prandaj vlerësohet se është e nevojshme që ushtria serbe të arrijë 110% të fuqisë, në teknikë dhe në personel të këtyre 4 forcave të armatosura potencialisht armiqësore në rajon”, thuhet ndër të tjera në draft dokumentin strategjik, publikuar nga Informer.