Samiti i G20-ës në Nju Delhi ka përfunduar; Modi bën thirrje për një takim virtual në nëntor
[10 shtator 2023]
Një samit i Grupit 20 në Nju Delhi përfundoi të dielën me ceremoninë që India i dorëzoi presidencën e bllokut Brazilit, ndërsa si SHBA ashtu edhe Rusia vlerësuan konsensusin që nuk e dënoi në mënyrë eksplicite Moskën për luftën në Ukrainë, por u bëri thirrje anëtarëve të shmangin përdorimin e forcës, raportoi Reuters.
Kryeministri indian Narendra Modi u kërkoi drejtuesve të grupit të zhvillojnë një takim virtual në nëntor për të shqyrtuar përparimin në propozimet e politikave dhe qëllimet e shpallura gjatë fundjavës. “Është përgjegjësia jonë të shikojmë propozimet që janë paraqitur për të parë se si mund të përshpejtohet përparimi,” tha Modi.
Grupi G20 miratoi një deklaratë në samit në të cilën shmangi dënimin e Rusisë për luftën në Ukrainë, por u bëri thirrje të gjitha vendeve që të mos përdorin forcën për të pushtuar territor. Konsensusi erdhi si befasi. Në javët para samitit, pikëpamjet e ndryshme të theksuara mbi luftën kërcënuan të prishnin takimin me vendet perëndimore, duke kërkuar që anëtarët t’i bënin thirrje Moskës për tërheqje nga Ukraina, ndërkaq Rusia duke thënë se do të bllokonte çdo rezolutë që nuk pasqyronte pozicionin e saj.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov e quajti samitin e G20 në Indi një sukses dhe tha se për shkak të pozicionit të konsoliduar të vendeve të Jugut Global, Rusia ishte në gjendje të siguronte që axhenda e takimit të mos errësohej nga konflikti ukrainas. “India me të vërtetë ka konsoliduar anëtarët e G20 nga Jugu Global.”
Lavrov tha gjithashtu se Rusia është e gatshme të kthehet në marrëveshjen e grurit të Detit të Zi sapo të plotësohen kushtet. Ai shtoi se Rusia vlerëson përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për të lehtësuar negociatat për grurin, por se “negociatat janë vetëm me Perëndimin”.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, u tha gazetarëve se deklarata e samitit “përfaqëson shumë mirë parimin se shtetet nuk mund të përdorin forcën për të kërkuar përvetësim territorial ose për të shkelur integritetin territorial dhe sovranitetin ose pavarësinë politike të shteteve të tjera”.
Gjermania dhe Britania e Madhe gjithashtu vlerësuan rezolutën, por Ukraina tha se nuk kishte “asnjë arsye për të qenë krenarë”.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha të dielën se G20, i cili u krijua për t’u marrë me çështjet ekonomike ndërkombëtare, nuk ishte domosdoshmërisht vendi për të pritur përparim diplomatik në luftën në Ukrainë. Megjithatë, ai deklaroi në konferencën për shtyp se deklarata e G20 nuk ishte një fitore diplomatike për Rusinë, e cila, sipas Macron, doli nga samiti e izoluar.
Kryeministri japonez Fumio Kishida tha se agresioni i Rusisë kundër Ukrainës mund të tronditë themelet e G20.
Samiti u shënua edhe nga pranimi i Bashkimit Afrikan, i cili përfshin 55 shtete anëtare, si anëtarë të përhershëm të G20. Lëvizja shihet si një përpjekje nga grupi për të theksuar angazhimin e tij për të përfaqësuar Jugun.
Të dielën, liderët duke përfshirë presidentin e SHBA Joe Biden, kancelarin gjerman Olaf Scholz, kryeministrin britanik Rishi Sunak, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin japonez Fumi Kishida, vizituan një memorial të heroit të pavarësisë së Indisë, Mahatma Gandhi. Shumica e udhëheqësve ishin zbathur teksa ecnin në vendin ku u dogj Gandi pasi u vra nga një ekstremist hindu në vitin 1948.
Biden më vonë u nis për në Vietnam, duke humbur seancën e fundit të samitit. Shtëpia e Bardhë tha se nuk ishte në dijeni të bisedimeve të tij me Lavrov ose kryeministrin kinez Li Qiang, i cili udhëhoqi delegacionet në samit.
Presidenti kinez Xi Jinping dhe ai rus Vladimir Putin e anashkaluan samitin.
“Ky ishte një nga samitet më të vështira të G20 në historinë gati njëzetvjeçare të forumit… u deshën pothuajse 20 ditë për të rënë dakord për një deklaratë përpara samitit dhe pesë ditë këtu në vend,” tha Svetlana Lukash, një zyrtar rus në G20, raporton Interfax. “Kjo nuk ishte vetëm për shkak të disa mosmarrëveshjeve rreth temës së Ukrainës, por edhe për shkak të dallimeve në pozicione për të gjitha çështjet kryesore, mbi të gjitha për çështjet e ndryshimeve klimatike dhe kalimin në sistemet e energjisë me karbon të ulët…”
Një zyrtar i Bashkimit Evropian, i cili nuk donte të identifikohej, tha të dielën se lufta në Ukrainë është çështja më e diskutueshme në negociata. “Pa udhëheqjen e Indisë, kjo nuk do të ishte e mundur,” tha zyrtari, duke shtuar se Brazili dhe Afrika e Jugut gjithashtu luajtën një rol kyç në tejkalimin e hendekut.
Pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 la dhjetëra mijëra të vdekur, miliona të zhvendosur dhe shkaktoi trazira ekonomike në mbarë botën. Moska, e cila pretendon se po kryen një “operacion special ushtarak” atje, mohon se ka kryer ndonjë krim. [GN/ISHGJ]