Zyrtarët qeveritarë nga dhjetë vende të Bashkimit Evropian e konsiderojnë të rëndësishme rritjen e përdorimit të energjisë bërthamore për të mbrojtur konsumatorët evropianë nga paqëndrueshmëria e çmimeve, sipas një dokumenti të përbashkët të botuar në mediat franceze Le Figaro dhe media të tjera lokale. Nga ana franceze, teksti u nënshkrua nga Ministri i Ekonomisë, Financave dhe Rindërtimit, Bruno Le Maire dhe Ministri-Delegat për Industrinë në këtë Ministri, Agnès Pannier-Ryunache… Mbështetur nga kryeministrat, ministrat e ekonomisë dhe energjisë të Rumanisë, Republikës Çeke, Finlandës, Sllovakisë, Kroacisë, Sllovenisë, Bullgarisë, Polonisë dhe Hungarisë.
Ata shprehën besimin se energjia bërthamore do të mbrojë konsumatorët evropianë nga paqëndrueshmëria e çmimeve të energjisë, e cila “aktualisht reflektohet në gjendjen e krijuar rreth gazit”.
Artikulli u botua një ditë para fjalimit të presidentit Emmanuel Macron mbi programin e rigjallërimit “France-2030” për aktivitetet ekonomike dhe shkencore. Sipas informacioneve të rrjedhura në media, Macron do t’i kushtojë vëmendje të madhe zhvillimit të energjisë bërthamore, përfshirë reaktorët e vegjël modularë.
Të kujtojmë se, si pjesë e strategjisë së saj të tranzicionit të energjisë, BE-ja synon që gradualisht, përveç lëndëve djegëse fosile, të zhvendosë, respektivisht ta shmangë shkallë-shkallë energjinë bërthamore, edhe pse është, në fakt, forma më e pastër e energjisë, deri tani me emetimet më të ulëta të gazrave të dëmshëm në atmosferë. Si pjesë e kësaj strategjie, Gjermania ka njoftuar mbylljen e plotë të të gjitha centraleve të saj bërthamore deri në vitin 2030. Megjithatë, jo të gjithë në BE e shikojnë çështjen e energjisë bërthamore në mënyrë të barabartë. Kështu, disa vende, kryesisht Franca, si një vend në të cilin pjesa më e madhe e energjisë vjen nga termocentralet e saj bërthamore, kanë mendimin e tyre që bie në kundërshtim me atë të Brukselit. Polonia mendon në mënyrë të ngjashme, duke njoftuar ndërtimin e termocentralit të saj të ri bërthamor, e i cili gjoja mund të ndërtohet nga francezët, të cilët janë një nga fuqitë kryesore për sa i përket teknologjisë më moderne për ndërtimin e tyre. Hungaria gjithashtu dëshiron të zgjerojë termocentralin e saj bërthamor Paks, të ndërtuar nga Rosatom i Rusisë, gjithashtu një kompani bërthamore me famë botërore, e cila aktualisht po ndërton AC Akkuyu të Turqisë.
Kjo çështje bëhet edhe më e rëndësishme duke pasur parasysh krizën e energjisë në Evropë, e cila u përhap me shpejtësi dhe në vetëm tre muaj vere çoi në një rritje të çmimeve të gazit në sasi astronomike në Evropë, gjë që ndikoi në kërcimin e madh të çmimeve të energjisë elektrike. [geopolitika.news/ ISHGJ]