Kaosi në tregun evropian të gazit, si dhe çmimet e pabesueshme që ka kapur ky burim energjie në fillim të sezonit të ngrohjes dhe mjedise gjysmë të zbrazëta të magazinimit të gazit, po tërheqin shumë vëmendje jo vetëm në BE dhe Mbretërinë e Bashkuar. Skenat mbesin tejet të pakëndshme dhe po ndodhin ndeshtrasha të paimagjinueshme. Bloomberg-u amerikan në një editorial të 6 tetorit komentoi këtë temë, si dhe reagimin e udhëheqjes shtetërore ruse ndaj saj. Krejt kjo për shkak të rritjes dramatike të djeshme të çmimeve të gazit në një periudhë shumë të shkurtër kohore.
Aty theksohet se, tani që dimri po afrohet me shpejtësi dhe çmimet marramendëse të energjisë kanë goditur Evropën, presidenti rus Vladimir Putin, ka zgjedhur momentin e duhur për të përdorur fuqinë e vendit të tij – naftën dhe gazin që ka në dispozicion.
Shih për këtë, në vetëm pak minuta, çmimet e gazit natyror në Evropë u rritën me 40 përqind, sipas Bloomberg-ut. Putin është përpjekur të ulë çmimet duke ofruar për të ndihmuar në stabilizimin e situatës, duke vënë në dukje se Rusia këtë vit potencialisht mund të eksportojë sasi rekord të këtij karburanti kryesor në kontinentin evropian.
Në të njëjtën kohë, Zëvendëskryeministri rus Alexander Novak (në qeverinë e mëparshme ai ishte Ministër i Energjisë), pretendon se certifikimi i shpejtë i tubacionit të diskutueshëm të gazit Nord Stream 2 mund të jetë një nga mënyrat për të arritur atë qëllim, krejt kjo sipas mediave amerikane.
Këtu do të shtonim se certifikimi duhet të miratohet nga rregullatori gjerman dhe se ka një afat prej afro tre muajsh, që do të thotë se tubacioni, nëse certifikimi zgjatet, nuk mund të vihet në punë para vitit të ardhshëm, gjë që, në kushtet aktuale evropiane, kriza e gazit, mund të jetë jashtëzakonisht e pakëndshme dhe e rrezikshme – veçanërisht në rastin e një dimri të ftohtë.
Nord Stream 2, vazhdon Bloomberg, tani është bërë peng i një procesi të gjatë licencimi të komplikuar dhe shumë të politizuar. Edhe pse vetë Putini nuk e lidhi drejtpërdrejt nisjen e furnizimeve shtesë me licencën e funksionimit të gazsjellësit, ai vuri në dukje se një rrugë tjetër e rëndësishme e eksportit rus në Evropë – ajo përmes Ukrainës – është më e shtrenjtë dhe ndot mjedisin.
“Ne po shqyrtojmë një rritje të mundshme të furnizimit në treg, por kjo duhet të bëhet me kujdes,” tha Putin në një takim mbi zhvillimin e energjisë të mërkurën (6 tetor).
Putin tha se Gazprom do të dërgojë më shumë gaz përmes Ukrainës këtë vit, sesa ishte parashikuar në marrëveshjen që skadon në 2023. Ai, ndërkohë, shprehu dyshime në lidhje me përshtatshmërinë e Ukrainës si një vend tranzit, duke vënë në dukje se tubacionet e reja që kalojnë përmes Detit të Zi dhe atij Baltik – përfshirë Nord Stream 2 – janë ekonomikisht dhe ekologjikisht superior.
Sipas Putinit, rritja e vëllimit të furnizimit përmes Ukrainës “është ekonomikisht jofitimprurëse për Gazprom-in”, sepse është shumë herë më e shtrenjtë, siç janë edhe më të larta emetimet e CO2 në atmosferë.
Sidoqoftë, Putini gjithashtu vuri në dukje një “gabim” të bërë nga Komisioni Evropian në kalimin nga kontratat afatgjata, të cilat preferon Rusia, në ato afatshkurtra. “Kjo është arsyeja pse çmimi i gazit tani ka thyer të gjitha rekordet historike: sot është dy mijë dollarë për mijë metër kub – dhjetë herë më shumë se çmimi mesatar që ishte vitin e kaluar,” tha udhëheqësi rus.
Kriza evropiane e energjisë po shkakton trazira serioze në tregjet e aksioneve, duke nxitur frikën e inflacionit dhe duke kërcënuar kolapsin e industrisë në shkallë të gjerë. Qeveritë evropiane po përpiqen të marrin masat e nevojshme, por tani për tani ata mund të shpresojnë vetëm për një dimër të butë që do të zbusë goditjen. [gepolitika.news/ ISHGJ]