[29 janar, 2024]
Presidenti rus Vladimir Putin do të vizitojë Turqinë muajin e ardhshëm në një udhëtim të rrallë të huaj në vendin e NATO-s, sipas një njoftimi nga Kremlini të publikuar sot. Yuri Ushakov, këshilltari kryesor i Putinit për çështjet e politikës së jashtme, i tha agjencisë së lajmeve Interfax se “vizita është duke u përgatitur”. Lidhur me qëllimin e vizitës, Ushakov shtoi: “Mund të them se çështjet e Ukrainës ndoshta do të jenë një nga temat kryesore të negociatave”.
Edhe pse një anëtar ndër kryesorët i NATO-s, Turqia dhe presidenti i saj Recep Tayyip Erdogan, shërbejnë si një urë e rrallë diplomatike midis Kremlinit dhe rivalëve të tij perëndimorë. Që nga marshi pushtues i përgjithshëm i Rusisë në Ukrainë, në shkurt 2022, Ankaraja e ka mbështetur Ukrainën me furnizime ushtarake, por gjithashtu ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës. Turqia, ndonëse nominalisht pjesë e NATO-s dhe në proces të anëtarësimit në BE, nën Erdoganin vazhdimisht dhe relativisht me mjeshtëri zgjedh palët mes superfuqive për çdo çështje të vetme. Tregton me aq mjeshtëri, shpesh sipas parimit “kush na ofron më mirë”.
Turqia si ndërmjetëse
Turqia e ka pozicionuar veten si ndërmjetëse midis dy kombeve, duke organizuar dy raunde bisedimesh paqeje në Antalia dhe Stamboll në vitin 2022. Turqia ishte gjithashtu e rëndësishme në Iniciativën që kishte të bënte me grurin, respektivisht kalimin e tij nëpër Detin e Zi, e cila lehtësoi përkohësisht eksportet bujqësore nga portet jugore të Ukrainës mes bllokadave detare ruse.
Pas një bisede telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në fillim të këtij muaji, Erdogan tha se Ankaraja mbetet e gatshme të ndihmojë “në vendosjen e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të qëndrueshëm në rajonin tonë”. “Ne kemi vepruar si një vend pritës për bisedimet e drejtpërdrejta midis palëve në konflikt,” tha Erdogan. “Ne, si më parë, jemi gati të bëjmë më të mirën për këtë çështje dhe të veprojmë si ndërmjetës…Ukraina, për të ndërmarrë hapa të përbashkët me Rusinë, duhet patjetër të zbusë pozicionin e saj”, pohoi ai.
Putin e vizitoi për herë të fundit vendin e NATO-s në vitin 2020, kur udhëtoi në Gjermani për të takuar kancelaren e atëhershme Angela Merkel. Aftësia e presidentit për të udhëtuar në Perëndim është e kufizuar nga një urdhër-arrest i lëshuar për të nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në vitin 2023 për krime të dyshuara që përfshijnë transferimin e fëmijëve ukrainas.
Takimi është planifikuar prej kohësh
Udhëtimi i Putinit në Turqi po përgatitet prej disa muajsh. Në gusht 2023, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se tashmë kishte “një mirëkuptim që ky takim do të zhvillohet së shpejti”. Peskov shtoi: “Ne së shpejti do të njoftojmë se kur dhe ku do të mbahet.” Takimi është duke u përgatitur, dhe ai është shumë i detajuar”.
Muajin pasardhës, Erdogan vizitoi qytetin rus të Detit të Zi të Soçit për t’u takuar me Putinin për të diskutuar çështje të veçanta, duke përfshirë eksportet bujqësore të Ukrainës në Detin e Zi, nga të cilat Moska deri atëherë ishte tërhequr si përgjigje ndaj sulmit detar me dron të Kievit në urën e Krimesë.
Vetë Putin foli për një vizitë të mundshme në Turqi në dhjetor gjatë konferencës së tij tradicionale për shtyp, të fundvitit. “Jemi dakord. Kjo vizitë [në Turqi] mund të bëhet në fillim të vitit të ardhshëm. Mendoj se mund të takohemi. Unë planifikoj për këtë, me të vërtetë. Në fakt e kam planifikuar këtë kohët e fundit, por nuk funksionoi për Presidentin Erdogan për shkak të orarit të tij. Edhe pse isha gati të fluturoja për në Turqi”, pohoi Putin. [GN/ISHGJ]