Pas dorëheqjes së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, opozita po forcon përpjekjet për të ardhur në pushtet. Kreu i saj, Hristjan Mickoski thotë se kemi shumicën parlamentare.
Shkup, 5 nëntor- Drejtuesi opozitar maqedonas, Hristijan Mickovski, shkroi në rrjetin Facebook se është arritur marrëveshja për një shumicë të re parlamentare. Ai nxori edhe një fotografi ku duken së bashku me Sekretarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi, kryetarin e partisë E Majta, Dimitar Apasiev dhe Sekretarin e Lëvizjes Besa, Arianit Hoxha.
Një zhvillim i beftë ka ndodhur në politikën maqedonase, ku LSDM-ja e Zoran Zaevit, pas humbjes së zgjedhjeve lokale dhe dorëheqjes së këtij të fundit, tashmë mund të humbë dhe qeverisjen. Kjo pasi disa forca shqiptare, mes tyre Alternativa, i janë bashkuar VMRO-së në opozitë, pra partisë së Gruevskit, e cila tashmë drejtohet nga Mickovski. Ka qenë pikërisht ky i fundit që ka dhënë lajmin e sigurimit të një shumice qeverisëse.
“Po vjen një e ardhme e re, një kohë e re dhe shpresë e re. Na presin sfida të forta; të vetëdijshëm për mbështetjen, së bashku do t’ia dalim”, shkroi ai në postimin e tij.
Shumica e pjesëmarrësve në këtë takim kanë pohuar po ashtu arritjen e marrëveshjes. Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate dhe BDI-ja ende nuk kanë bërë komente.
Gjatë ditës së premte, kreu i VMRO-së, Mickovski kishte njoftuar se po mblidhte nënshkrimet e deputetëve për shumicën e re. Aleanca dhe Alternativa (ASH-A), të cilët dolën në koalicion me VMRO-në në zgjedhjet e fundit lokale, patën pohuar që në kohën e fushatës se “do të formonin një shumicë të re parlamentare pa Bashkimin Demokratik për Integrim”. ASH-A kanë 12 vende në parlament; Lëvizja Besa, 3. E majta ka 2 ligjvënës, ndërsa VMRO-ja, 44.
Këto zhvillime janë rrjedhojë e dorëheqjes së paralajmëruar nga kryeministri Zoran Zaev, menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, më 31 tetor, megjithëse, ai ende nuk e ka dorëzuar atë në parlament.
Kabineti i Presidentit të vendit, Stevo Pendarovski, u ka thënë para pak ditësh mjeteve të informimit se Presidenti, në rast se miratohet dorëheqja e zotit Zaev në parlament, do t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë atij që garanton formimin e shumicës parlamentare (prej 61 deputetësh në parlamentin me 120 vende).
Nga ana tjetër, një pjesë e ekspertëve dhe analistëve vlerëson se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të pashmangshme.
Me gjithë fitoren e thellë të VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet e fundit lokale, partitë e koalicionit qeveritar kanë më shumë vota në shkallë vendi. Vetëm BDI-ja mori mbi 105 mijë vota për listat e anëtarëve të Këshillave Komunalë, ndërsa Aleanca me Alternativën pak mbi 50 mijë sosh. [VoA/ISHGJ]