Një tentativë për grusht shteti të stilit Maidan po planifikohet në Beograd, pohon ambasadori rus

Zagreb/Prishtinë, 31 maj 2023 – Kundërshtarët e presidentit serb Aleksandar Vuçiq po përpiqen të organizojnë një grusht shteti në stilin e Maidan-it (Sheshi qendror i Pavarësisë në Kiev, ku filluan trazirat antiqeveritare), tha ambasadori rus në Serbi, Aleksander Botsan Harchenko.
“Kjo është pjesë e luftës hibride. Dëshiroj të theksoj se forcat antiqeveritare vepruan pothuajse të sinkronizuara dhe po veprojnë në dy fronte – kjo është situata në Kosovë dhe tentativa për grusht shteti në Maidan këtu në Beograd”, tha ai, përcjellë TASS-i rus. Më 28 maj në Beograd u mbajt njëri nga tubimet më të mëdha antiqeveritar në vitet e fundit. Protestuesit u mblodhën pranë ndërtesës së Televizionit Kombëtar të Serbisë. Ishte protesta e katërt në muajin e fundit.
Duke pasur parasysh se Moska vazhdimisht pretendon se protestat e vitit 2014, kur Ukraina filloi t’i kthente shpinën Moskës, në fakt ishin të orkestruara nga Perëndimi, është e lehtë të merret me mend se ambasadori rus beson se protestat aktuale në Serbi kanë një sfond të ngjashëm.
Demonstratat nën slloganin “Serbia kundër dhunës” paraprakisht u mbajtën në Beograd më 8, 12 dhe 19 maj pas dy të shtënave me armë zjarri që ndodhën në ditë radhazi në vend më 3 dhe 4 maj. E para ishte të shtënat në një shkollë në Beograd, dhe më pas të nesërmen, kur një njeri i armatosur vrau tetë dhe plagosi 14 vetë në Mlladenoc. Qytetarët kërkuan dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bratislav Gashiq [në detyrë që nga 26 tetori 2022] dhe shefit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion, Aleksandar Vulin. Përveç kësaj, protestuesit këmbëngulën që disa media pro-qeveritare që propagandojnë dhunën dhe urrejtjen, duhet të mbyllen.
Tubimi i parë ishte mjaft paqësor, pa shumë sllogane kundër qeverisë. Njerëzit thjesht u mblodhën në heshtje para ndërtesës së parlamentit. Gjatë tubimit të dytë, protestuesit bllokuan urën mbi lumin Sava dhe brohoritën parulla kundër qeverisë. Demonstrata e tretë kishte karakter antiqeveritar. Edhe kjo e fundit u shqua për frymën e saj antiqeveritare. [GN/ISHGJ]