Ministri i Jashtëm turk do të shkojë në Kiev, pastaj në Moskë

[24 gusht 2023]
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, do të vizitojë Moskën në shtator për të diskutuar për ringjalljen e marrëveshjes së grurit, njoftoi gazeta turke Milliyet, duke cituar burimet e saj.
Gjithashtu, shkruan gazeta, në Stamboll mund të zhvillohen negociata për grurë mes zyrtarëve rusë, OKB-së dhe turqve, gjë që është një skenar për ringjalljen e nismës. Nëse ato janë të suksesshme, një takim në Stamboll, që do të përfshinte Ukrainën, mund të pasonte më vonë. Sipas gazetës, kryekëshilltari i presidentit turk, Cagatay Kilic, vizitoi Kievin më 23 gusht ndërkaq Fidan-i do të udhëtojë nesër për në kryeqytetin ukrainas. Axhenda e zyrtarëve të lartë turq përfshin përpjekjet për të rinovuar zbatimin e marrëveshjes së grurit të Nismës së Detit të Zi.
Kontrata e grurit përfundoi në korrik. Presidenti rus Vladimir Putin tha më herët se Moska fillimisht kishte rënë dakord të merrte pjesë në marrëveshje me kusht që të respektoheshin kushtet e tyre për heqjen e pengesave të paligjshme për furnizimin e tregjeve botërore me grurë dhe plehra nga Rusia. Por asnjë nga këto kushte nuk është përmbushur, pretendon Moska. Udhëheqësi rus ka thënë vazhdimisht se ndërsa marrëveshjet e Stambollit synonin të siguronin sigurinë ushqimore për vendet më në nevojë, duke përfshirë Afrikën, shumica e drithit të Ukrainës në fakt shkoi në vendet e pasura perëndimore. [GN/ISHGJ]