“Nuk është as pro-europian, as stabilizues i rajonit”, KOSOVA zyrtarisht kundër Mini-Shengenit: “Proces i rrezikshëm, rikthen kohët e vjetra”
Prishtinë, 23 korrik – Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla është shprehur hapur kundër Mini-Shengenit, duke e cilësuar atë si një proces që pengon stabilitetin dhe paqen në Ballkan.
E ftuar në një takim jozyrtar mes ministrave të Jashtëm dhe për Çështjen Evropiane të BE-së dhe vendeve të Ballkanit të mbajtur në Slloveni nga sekretari i shtetit slloven, Gashper Dovzhan, Gërvalla i ka bërë thirrje BE-së ta ndalë sa më shpejt këtë proces.
“E quajnë ‘Mini-Shengen’ dhe na thonë vazhdimisht që ky nuk është në kundërshtim me rrugëtimin drejt BE-së. Por kjo nuk është e vërtetë. Na thonë që i shërben bashkëpunimit rajonal. As kjo, nuk është e vërtetë”, ka thënë Gërvalla.
Ajo i ka bërë thirrje BE-së që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për ta ndalur këtë proces para se të jetë vonë. “Ky proces mund të jetë shumë i rrezikshëm për stabilitetin dhe paqen në Ballkan”, ka shpjeguar ajo më tej.
Lidhur me bashkëpunimin rajonal, Gërvalla foli për idenë e një tregu të përbashkët rajonal si plan e strategji për bashkëpunim dhe zgjidhe të konflikteve.
Sipas saj, ka disa aktorë në Ballkan të cilët po mundohen ta minojnë këtë koncept duke bërë çdo përpjekje për ta rikthyer në kohët e vjetra, ku përplasjet politike dhe ekonomike ishin të ndërthurura. [ISHGJ]