[16 shkurt, 2024]
Serbia nuk po bën një luftë hibride, por një rrëmujë politike, sepse nuk mund të vendosë nëse do të jetë pro-evropiane apo pro-ruse, tha të premten presidenti Zoran Milanoviç, duke komentuar mundësinë që Kroacia ta vendosë këtë temë në rendin e ditës në Samitin e radhës të NATO-s, transmeton Hina.
Ministri i Mbrojtjes Ivan Anushiç tha të enjten se Kroacia dëshiron të flasë për luftën hibride dhe veprimet e aleatëve rusë në Evropën Juglindore në samitin e ardhshëm të NATO-s në korrik në Uashington, duke aluduar qartë për Serbinë si aleate të Rusisë në fqinjësinë e Kroacisë. “Në samitin në Uashington, ne duam të vendosim në tryezë dhe të ndërgjegjësojmë të gjithë anëtarët e NATO-s për temën e luftës hibride, aleatët e deklaruar dhe të padeklaruar të Rusisë që funksionojnë dhe ekzistojnë në Evropën Juglindore,” tha Anushiç në një deklaratë për gazetarët pas takimit të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s dhe në Bruksel.
“Është në kompetencën time, që të mos ofendohet askush. Unë duhet të shkoj në atë samit”, u tha Milanoviç gazetarëve të premten. “Serbia vetë nuk e di se çfarë dëshiron. Nuk është një luftë hibride, është një lloj llumi i politikës. Për shumë vite, ata kanë bërë politikë në një mënyrë jashtëzakonisht pro-evropiane, pastaj jashtëzakonisht pro-ruse, dhe populli po i mbanë veshët. Fatkeqësisht, kështu është”, theksoi presidenti kroat.
Ai shtoi se kjo është një temë që normalisht diskutohet në samitet në Bruksel, por se kjo nuk do të jetë në samitin e NATO-s. “Kjo sigurisht që nuk do të diskutohet në samitin e NATO-s sepse kushdo mund të thotë çfarë të dojë dhe vendimet merren shumë përpara ose paralelisht me samitin. Askush nuk na pyet asgjë”, tha Milanović. [GN/ISHGJ]