Medvedev: Do të duhet të përdorim armë bërthamore në rast të suksesit të ofensivës ukrainase
Zagreb/Prishtinë, 30 korrik 2023 – Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev, i cili shpesh ngre mundësinë e një konflikti bërthamor për Ukrainën, tha të dielën se Moskës do t’i duhej të përdorte armë bërthamore në rast të suksesit të kundërofensivës aktuale të Kievit, raporton Reuters.
Medvedev, i cili është nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, një organ i kryesuar nga presidenti Vladimir Putin, tha në një mesazh në llogaritë e tij zyrtare në mediat sociale se, Rusia do të detyrohej të përdorte doktrinën e saj bërthamore në një skenar të tillë.
“Imagjinoni nëse… ofensiva e mbështetur nga NATO-ja do të ishte e suksesshme dhe ata do të merrnin një pjesë të vendit tonë, atëherë ne do të detyroheshim të përdornim armë bërthamore sipas rregullave të dekretit të presidentit rus.” “Thjesht nuk do të kishte alternativë tjetër. Prandaj, armiqtë tanë duhet të luten për suksesin e luftëtarëve tanë. Ata po përpiqen të parandalojnë një zjarr global bërthamor”, tha ai.
Medvedev, një nga luftënxitësit më të zëshëm të Moskës, duket se po i referohej një pjese të doktrinës bërthamore të Rusisë që thotë se armët bërthamore mund të përdoren si përgjigje ndaj agresionit kundër Rusisë që kryhet duke përdorur armë konvencionale dhe kërcënon ekzistencën e shtetit rus.
Ukraina po përpiqet të rimarrë territorin që Rusia aneksoi në mënyrë të njëanshme dhe shpalli pjesë të territorit të saj, gjë që Kievi dhe shumica e Perëndimit e dënuan.
Putin tha të shtunën se nuk kishte pasur ndryshime serioze në fushën e betejës ditët e fundit dhe se Ukraina kishte humbur sasi të mëdha të pajisjeve ushtarake që nga 4 qershori. Kievi pretendon se forcat e tij po bëjnë njëfarë përparimi në përpjekjet e tyre për të rimarrë territorin, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë se sa dëshirohej.
Kritikët e Kremlinit në të kaluarën e kanë akuzuar Medvedevin për deklarata ekstreme në përpjekje për të bindur vendet perëndimore që të vazhdojnë të furnizojnë Ukrainën me armë. [GN/ISHGJ]