Kina do t’i përgjigjet Shteteve të Bashkuara me masa të njëjta

Prishtinë, 21 dhjetor – Qeveria kineze do të përdorë kundërmasa në përgjigje të presionit nga Shtetet e Bashkuara, tha të martën (21 dhjetor) zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian (info: TASS).
Për këtë qëllim, Kina thuhet se ka miratuar së fundmi një ligj për të luftuar sanksionet e njëanshme.
“Shtetet e Bashkuara, nën pretekstin e të ashtuquajturit problem i shkeljeve të të drejtave të njeriut në Xinjiang, po aplikojnë sanksione të paligjshme kundër zyrtarëve kinezë. Në lidhje me një keqbërje të tillë nga pala amerikane, Kina ka vendosur të zbatojë masa identike ndaj Shteteve të Bashkuara në bazë të ligjit për shtypjen e sanksioneve të huaja”, tha diplomati kinez.
Sipas tij, Uashingtoni po i neglizhon parimet bazë të zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke i dhënë goditje kontakteve kinezo-amerikane.
“Veprime të tilla janë një ndërhyrje serioze në politikën e brendshme të Kinës. Në këtë drejtim shprehim protestën tonë të fortë”, shtoi Zhao Lijian.
Ju kujtojmë: Shtetet e Bashkuara, ose Perëndimi në tërësi, akuzojnë Kinën për gjendjen e të drejtave të pakicave kombëtare. Kina akuzohet për ngritjen e një rrjeti kampesh korrektuese në rajonin autonom ujgur të Xinjiang-ut të Kinës, ku dyshohet se janë mbajtur deri në një milion ujgurë, por edhe për përdorimin e punës nga pozicioni i skllevërve nga njerëzit në ato kampe.
Pekini i ka mohuar vazhdimisht akuzat, por nuk ka ndihmuar, pasi Perëndimi vendosi sanksione të përbashkëta ndaj zyrtarëve kinezë në pranverën e këtij viti, e për të cilët ai tha se ishin të përfshirë në shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave ujgure. Kjo është pikërisht ajo që e shtyu Kinën të hakmerrej. [GN/ISHGJ]