Duke komentuar MiniShengenin ose Open Ballkan-in, Andrej Nikolaidis, shkrimtar dhe publicist malazez thotë se ideja se “bashkëpunimi ekonomik” do t’i pacifikojë nacionalizmat ballkanikë është sa e rrezikshme aq edhe qesharake.
“Hyrja në “Open Balkan” do të thotë “mirupafshim BE”. Mediat europiane kanë shkruar tashmë për këtë. T’i flakim tej të gjitha dhe të përfundojmë në mejhanen e vjetër balkanike tashmë të zbukuruar me një tabelë të re neoni në gjuhën angleze? – pyet Nikolaidis dhe shton:
“Open Balkan” është kopja e procesit ekzistues të Berlinit, vetëm se këtë bllof-iniciativë nuk e udhëheq Berlini. “Open Balkan” është “Shengeni i vogël” i riemërtuar, bash njëlloj sikurse fraza e sotme “Bota serbe” është riemërtimi i asaj të dikurshmes “Serbia e Madhe”.
Idea se “bashkëpunimi ekonomik” do t’i pacifikojë nacionalizmat ballkanikë është gjithashtu sa e rrezikshme aq edhe qesharake në idiotizmin e saj. E rrezikshme mbi të gjitha sepse shpërbërja (jo dhe aq e largët) e paevitueshme e kësaj bashkësie do të thoshte një luftë të re.
Përfaqësuesit e “shkollës së mendimit” sipas së cilës ekonomia dhe tregu i lirë është ilaçi kundër nacionalizmit përpiqen të na e mbushin mendjen se konfliktet lindin për shkak të varfërisë, ndërsa zhvillimi i ekonomisë nxit stabilitet.
Po ju a kujtoj: Jugosllavia e Titos u shpërbë dhe kasaphana filloi jo atëherë kur ishim të varfër, por pikërisht atëherë kur ishim më të pasur se kurrë më parë në historinë tonë.
“Ballkani i hapur”, idetë shtetmëdha, të veshura me ekonominë dhe fqinjësinë e mirë, nuk janë gjë tjetër veçse truke amatorësh të denja për panairet e fshatrave, – përfundon shkrimtari malazez artikullin e botuar në faqen “cdm.me” më 4 gusht 2021. [DITA/ISHGJ]