Fundoset kryqëzori i Moskës
Prishtinë, 15 prill – Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi të enjten se kryqëzori raketor Moska, anija kryesore e flotës ruse në Detin e Zi, u mbyt derisa po kthehej në port në mot të stuhishëm, për shkak të një shpërthimi dhe zjarri, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha më herët, po të enjten, se një anije e epokës sovjetike u dëmtua rëndë nga një zjarr.
Kievi deklaron se zjarri ka ndodhur pasi forcat ukrainase qëlluan me një predhë atë anije.
Maksim Marchenko, udhëheqësi i rajonit të Odesas, tha se kryqëzori Moska u godit nga dy raketa Neptun.
Kryqëzori Moska mori pjesë në ditët e para të pushtimit në një sulm në ishullin e gjarpërinjve, në Detin e Zi, pranë kufirit rumun, me ç’rast u zunë rob 19 anëtarë të marinës ukrainase, të cilët më vonë u shkëmbyen me të burgosur rusë.
Moska thotë se 510 anëtarë të ekuipazhit janë evakuuar nga kryqëzori. [ISHGJ]