[07 dhjetor 2023]
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan premtoi sot se do të hapë një “epokë të re” në marrëdhëniet me rivalin historik Greqinë teksa hapi vizitën e tij të parë zyrtare në Athinë që nga viti 2017. “Unë besoj se takimi i bashkëpunimit strategjik Turqi-Greqi do të çojë në një epokë të re” në marrëdhëniet tona, tha ai. Erdogan për presidenten greke Katerina Sakellaropoulou, duke shtuar se “ne duhet të jemi optimistë dhe ky optimizëm do të jetë i frytshëm në të ardhmen”, raporton AFP.
Erdogan tha se nuk ka një problem të tillë që të dy vendet nuk mund ta kapërcejnë, ndërsa Greqia njoftoi sot se shtetasit turq do të përjashtohen nga regjimi i vizave deri në shtatë ditë nëse duan të vizitojnë ishujt grekë. “Është krejt e natyrshme të ketë probleme mes dy vendeve, sidomos kur bëhet fjalë për vendet vëllazërore. Bëhet fjalë për vullnetin për zgjidhjen e këtyre problemeve”, tha Erdogan në mënyrë pajtuese, raporton TRT turke.
Në takimet me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidentin Sakelaropoulou dhe gjatë vizitës pesë-orëshe, lideri turk pritet të diskutojë për tregtinë, për çështjet rajonale dhe çështjen shumëvjeçare të emigracionit. Turqia ka shërbyer si një mburojë kundër migracionit të paligjshëm që nga një marrëveshje e vitit 2016 me Bashkimin Evropian, të cilën Mitsotakis dhe liderë të tjerë të BE-së shpresojnë ta përditësojnë. Turqia mbante shumicën e emigrantëve në kampe dhe në këmbim merrte shuma të mëdha parash nga BE-ja.
Enturazhi diplomatik që shoqëron Erdoganin në vizitë po diskuton gjithashtu çështjen e kahershme të mosmarrëveshjeve territoriale greko-turke në Detin Egje me homologët e tyre grekë. Erdogan ka vënë në pikëpyetje traktatet shekullore që vendosin sovranitetin e Detit Egje dhe avionët luftarakë turq dhe grekë angazhohen rregullisht në përballe të vështira ajrore në hapësirën e diskutueshme ajrore. Vitin e kaluar, Erdogan akuzoi Greqinë për “pushtim” dhe “militarizimin” e ishujve të Egjeut dhe kërcënoi: “Siç themi, një natë mund të vinim papritmas”.
Por marrëdhëniet janë përmirësuar që nga shkurti, kur Greqia dërgoi me shpejtësi punonjës shpëtimi dhe ndihmë të konsiderueshme në Turqi pas një tërmeti të fuqishëm që vrau të paktën 50,000 njerëz. Në fakt Greqia ishte vendi i parë që ndihmoi dhe ministri grek mbërriti shumë shpejt në zonën e prekur në Turqi. Ndihma e ndërsjellë gjatë tërmeteve, ndaj të cilëve janë të ekspozuar të dy vendet, është aq e zakonshme sa që ekziston një shprehje “diplomacia greko-turke e tërmeteve”. [GN/ISHGJ]