Blinken: Rusia nuk tregon asnjë qëllim për të ndryshuar qëndrimin e saj ndaj luftës në Ukrainë

[14 korrik 2023]
Rusia nuk tregon shenja të ndryshimit të drejtimit në luftën e saj kundër Ukrainës, tha të premten Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ndërsa ministrat e jashtëm nga rreth dy duzina vende u takuan në kryeqytetin indonezian për një mbledhje vjetore të Azisë Juglindore të fokusuar te siguria, raportoi Reuters.
Diplomatët kryesorë nga Kina, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ishin midis atyre që udhëtuan në Xhakartë për Forumin Rajonal të ASEAN (ARF). Planet e diskutuara në forum zakonisht janë nën hijen e konflikteve dhe çështjeve gjeopolitike. Pavarësisht gamës së gjerë të temave që zakonisht trajtohen në forum, fokusi tenton të zhvendoset drejt tensioneve gjeopolitike midis vendeve si Kina, SHBA dhe Rusia.
Blinken tha pas bisedimeve se nuk kishte asnjë tregues se Rusia ishte e gatshme të angazhohej në diplomaci të rëndësishme në luftë, të cilën Moska e quan një “operacion special ushtarak” të nisur në shkurt 2022 për të “denazifikuar” fqinjin e saj. “Unë nuk kam dëgjuar asgjë nga ministri i Jashtëm (Sergei) Lavrov që do të sugjeronte ndonjë ndryshim të drejtimit, kur bëhet fjalë për atë që Rusia po bën në Ukrainë,” tha Blinken. Ai shtoi se Rusia është e fokusuar të fajësojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për problemet botërore.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha veçmas se Lavrov kishte refuzuar “në mënyrë agresive” thirrjet për tërheqjen e trupave nga Ukraina.
Lavrov tha në fillim të kësaj jave se lufta nuk do të përfundojë derisa Perëndimi “të heqë dorë nga planet e tij për të ruajtur dominimin e tij”, duke përfshirë “dëshirën obsesive” për të mposhtur strategjikisht Rusinë. Ai nuk kishte në plan të kontaktonte me kolegët amerikanë ndërsa ishte në Xhakartë, sipas zëdhënëses së tij Maria Zakharova. Por Lavrov u takua me diplomatin kryesor kinez Wang Yi. Të dy palët duan të “forcojnë komunikimin dhe koordinimin strategjik”, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës.
Çështje të tjera që dominuan bisedimet në Indonezi ishin lëshimet e raketave të Koresë së Veriut, rivaliteti SHBA-Kinë dhe kriza e vazhdueshme në Mianmar.
Ministri i Punëve të Jashtme të Indonezisë, Retno Marsudi, tha se në forum u ra dakord për “forcimin e diplomacisë parandaluese”. “Rivalitetet në rritje vazhdojnë të ndajnë rajonin. Rajoni ynë është gjithashtu mikpritës i shumë pikave të nxehta të mundshme. Kjo sfidë po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar”, tha ajo.
FSHF mbledh me dyer të mbyllura ministrat e Jashtëm të Australisë, Japonisë, Mbretërisë së Bashkuar, Indisë, Koresë së Jugut, Kinës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të tjerë. [GN/ISHGJ]