[Në foto: Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Tiranë, 15 shkurt 2024]
[15 shkurt, 2024]
Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë janë më të fuqishme se “kurrë më parë”, ka thënë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të enjten gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Tiranë, të cilën kryeministri shqiptar Edi Rama e cilësoi si “ditë të shënuar” në historinë e Shqipërisë.
Duke folur në një konferencë për media me Ramën, Blinken e falënderoi Shqipërinë për rolin e saj në NATO, si dhe për mbështetjen e Ukrainës dhe dënimin e agresionit rus.
“Siç e dini, Shqipëria ka qenë nga dita e parë mbështetëse e fuqishme e Ukrainës. Ishte ndër vendet e para që i dërgoi municion Ukrainës, armë, municion dhe automjete rezistente ndaj minave. Tani është në top 10 vendet për kokë banori që e mbështet Ukrainën ”, tha ai
Prej shkurtit 2022 kur nisi pushtimi rus i Ukrainës, Shqipëria – anëtare e NATO-s që nga viti 2009 – është rreshtuar me këtë aleancë ushtarake dhe me Bashkimin Evropian në mbështetjen e Ukrainës.
Ajo gjithashtu kanë përkrahur një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënon pushtimin rus të Ukrainës dhe ka ndërmarrë një iniciativë për dokumentimin dhe hetimin e krimeve të luftës në Ukrainë, përmes OKB-së.
“Përgjatë 15 vjetëve të saj në NATO Shqipëria ka dhënë kontribute domethënëse për aleancën tonë. Trupat shqiptare ndihmojnë për të ruajtur paqen në Kosovë, për të frenuar agresionin e Rusisë në krahun lindor të NATO. Muajin e ardhshëm do të përurojë bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë. Ne jemi falënderues që Shqipëria po bën pjesën e saj dhe është e angazhuar për të mbajtur detyrimet e saj”, tha Blinken.
Ai tha se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështetë Shqipërinë në arritjen e reformave në sistemin e drejtësisë, të cilat janë të rëndësishme për rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian.
“Reformat në drejtësi nuk kanë qenë të lehta, por po tregojnë rezultate të vërteta. Sot u takova me gjykatës dhe prokurorë të lartë që po ndihmojnë në përpjekjet për reforma. Zyrtarët e korruptuar po mbahen përgjegjës. Anëtarët e krimit të organizuar po shkojnë në burg dhe po i humbin asetet e tyre. Ky është proces i fuqishëm”, tha Blinken.
Në dhjetor të vitit 2019, Shqipëria e krijoi Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), me qëllim të hetimit të korrupsionit në nivelet e larta dhe krimin e organizuar. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se e mbështesin punën e SPAK-ut.
Së fundi është krijuar edhe një ministri e re, ajo për Administratë dhe Anti-Korrupsion, e cila është përgjegjëse për aktivitetet kundër korrupsionit.
Në dhjetor, SPAK-u e vendosi nën arrest shtëpiak ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, i cili është duke u hetuar nën dyshimet për korrupsion.
Ai dyshohet për korrupsion në një rast bashkë me dhëndrin e vet, Jamarbër Malltezi, për privatizimin e paligjshëm të kompleksit sportiv Partizani.
Blinken arriti në Shqipëri të enjten në mëngjes, dhe zhvilloi disa takime me krerë shtetërorë dhe personalitete të tjera, para se të largohej në mbrëmje. Ai u përcoll në aeroportin “Nënë Tereza” nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Gjatë vizitës së tij, kryediplomati amerikan falënderoi Shqipërinë për strehimin e afër 2.500 afganëve, që ikën nga Afganistani pas rikthimit në pushtet të talibanëve gushtin e vitit 2020.
Ai u takua më herët gjatë ditës me disa prej këtyre familjeve afgane, që po presin të shkojnë në SHBA.
“Udhëtimi i tyre nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e Shqipërisë. Nuk është vetëm fakti që po i prisni ata, por edhe mënyra se si po e bëni këtë”, tha Blinken.
Blinken tha se gjatë mandatit të tij në krye të diplomacisë amerikane ka gjetur një partner të besueshëm te kryeministri Rama, duke theksuar se ai ka qenë “pranë nesh dhe vështirësitë e kemi tejkaluar së bashku”.
Kryediplomati amerikan vlerësoi lart lidhjet mes popullit amerikan dhe atij shqiptar.
Blinken nisi vizitën në Shqipëri duke takuar stafin e Ambasadës amerikane në Tiranë, dhe është takuar me kreun e shtetit shqiptar, Bajram Begaj.
Gjatë vizitës njëditore, Blinken mori pjesë një ceremoni për nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi për programin e këmbimit të studentëve Fulbright dhe në nënshkrimin e një memorandumi kundër manipulimit informativ nga një shtet i huaj. [REL]