Nga Kadrush RODOGOSHI, shkrmtar
Termin tragjikomedi e ka krijuar dramaturgu romak Plauti në shekullin e tretë para epokës së re dhe nënkupton një zhanër mikst dramaturgjik sepse në të gërshetohen tiparet e të dy zhanreve dramaturgjike: tragjedisë, dhe komedisë.
Pos martesave dhe lindjeve në veprat tragjikomike përdoren shpeshherë edhe identitetet e gabuara, lojërat e fjalëve dhe talljet siç po përdoren edhe në tragjikomedinë politike të Kosovës.
Ideja e vdekjeve reale ose simbolike në përfundim si tipar i tragjedive është i dukshëm në tragjikomedi. Ajo gjithashtu përfshin gabime të rënda gjykimi, të shkaktuara shpesh nga papërsosmëritë njerëzore si krenaria ose zemërimi, me pasoja potencialisht të pariparueshme brez pas brezi. Poashtu edhe këto tipare të tragjikomedisë klasike janë prezente edhe në tragjikomedinë politike kosovare.
Seanca për konstituimin e Parlamentit të Kosovës, 33 ndërprerjet dhe 34 vazhdimet e pasuksesshme të saj paraqesin tragjikomedinë unikale të politikës kosovare, e cila po shfaqet para syve tanë dhe tërë botës. Skena e tragjikomedisë politike është ndërtesa e Parlamentit të Kosovës, por edhe studiot televizive me aktorë analisto-banalistë, të cilët hedhin gurë e dru mbi heroin apo bartësin e kategorisë estetike të fajit tragjik apo bukurisë tragjike. Autori dhe regjisori i shfaqjes gjysmën e trupit apo njërën këmbë e ka në Serbi ndërsa gjysmën tjetër apo këmbën tjetër e ka në Kosovë dhe në asnjë moment nuk e pranon autorësinë e regjisë. Përkundrazi autorësia e kësaj tragjikomedie politike me paturpësi, me kërcënime, me shantazhe, me zhurma e britma të paartikuluara i mveshet bartësit të fajit tragjik Albin Kurtit, i cili sipas Korit të bretkocave të Komedisë së Aristofanit me të njëjtin emër është mashtruesi i 400.000 kosovarëve, të cilët ia paskëshin dhënë votën e tyre, prandaj është i rrezikshëm dhe duhet larguar nga skena tragjikomike e politikës Kosovare.
Kur Lëvizja Vetvendosje e propozoi deputeten Albulena Haxhiu (femrën më të votuar) për kryetare të Parlamentit, Kori i bretkocave të skenës tragjikomike gjuajti me të gjitha shigjetat e mllefit, shpifjeve e satanizimit, por e vërteta e tyre nuk ishte deputetja e propozuar, por ishte Albin Kurti, kryeministri në detyrë dhe kandidati për kryeministër (njeriu më i votuar në historinë e shtetit të Kosovës), të cilin me të gjitha mjetet, kuptohet edhe ato jolegale, po përpiqen ta mënjanojnë nga skena politike, ndonëse i ka fituar zgjedhjet me rezultat më të lartë se partia e dytë dhe e tretë së bashku. Këtë qëllim përfundimtar për mënjanimin apo zhdukjen e Albin Kurtit nga skena politike e ka pohuar në një emision televiziv Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së, e cila ndër të tjera tha: “Nuk jemi të interesuar ta mënjanojmë Albin Kurtin përkohësisht që të na kthehet prap, por përgjithmonë”. Poashtu edhe deputeti i PDK-së Abelard Tahiri disa herë ka deklaruar se duhet ta krijojmë qeverinë pa Albin Kurtin. Po kështu ka deklaruar edhe kryetari i AAK-së dhe deputeti Ramush Haradinaj. Deklarimet e këtyre deputetëve, të cilët populli i ka votuar për të qenë në opozitë, po dëshmojnë se realisht nuk janë duke e pranuar rezultatin e zgjedhjeve, prandaj janë duke e bllokuar konstituimin e Parlamentit.
Njëri nga spekulimet e stërpërseritura të korit të bretkocave të tragjikomedisë politike të Kosovës (partive politike, që i kanë humbur zgjedhjet dhe mediave të shndërruara në sektor propagandistik të tyre) është edhe arsyetimi i mosnjohësve të rezultatit zgjedhor dhe bllokadës së përshtatshme për Librin e Ginisit se, Komisioni parlamentar i propozuar për udhëheqjen e votimit të fshehtë (njëra nga dy format kushtetuese të votimit) nuk bën të ndryshohet gjatë seancës sepse 34 vazhdimet e derisotme formalisht konsiderohen një seancë është i paqëndrueshëm në radhë të parë në aspektin logjik e palogjikshmërinë nuk mund ta legalizojë Gjykata kushtetuese. Se sa parimorë janë aktorët e tragjikomedisë kosovare të titulluar “Bllokada” e tregon kushtëzimi i paskrupullt i kryetarit të Nismës Socialdemokrate, i cili për të bashkëpunuar me Vetvendosjen në formimin e institucioneve e kërkon pozitën e kryeparlamentarit, ndonëse i ka vetëm tre deputetë.
Kori moçalik apo i bretkocave të Aristofanit në Parlamentin e Kosovës për mbështetje e ka në prapavi edhe grupin e gjarpijve helmues, të cilët janë krijesat e dashura të regjisorit të tragjikomedisë kosovare të titulluar “Bllokada”.
Si përfundim apostrofojmë faktin se fituesi i zgjedhjeve po akuzohet pa të drejtë për shkelje kushtetuese duke bërë duplifikim apo kolizion funksionesh, sepse sipas tyre po e mban edhe postin e Kryeministrit në detyrë e edhe postin e deputetit. Këtu kemi të bëjë me një spekulim idiotesk sepse Parlamenti ende nuk është konstituar dhe Albin Kurti me bashkëpunëtorët tij të Qeverisë në detyrë, nuk është duke marrë dy rroga dhe posa të konstituohet Kuvendi i Kosovës ai do të zgjedhet kryeministër për herë të tretë dhe ata deputetë, që do të zgjedhen anëtarë të Qeverisë Kurti 3, do të zëvendësohen me përfaqësues tjerë nga Lista zgjedhore e VetëVendosjes, në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjdhje të reja sepse shpirtërat moçalor duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë se nuk mund të merret pushteti në Kosovë pa i fituar zgjedhjet e lira e demokratike apo pa u respektuar vullneti i sovranit gjegjsisht popullit të Kosovës së lire e demokratike.