Nga Lirim GASHI
Kudo që ideologjia islamike ka lëshuar rrënjë të thella, aty nuk ka lulëzuar qytetërimi, por është shtrirë një shkretëtirë shumëdimensionale – ekologjike, shpirtërore, trupore, arsimore, shkencore e kulturore. Nuk është fjala për fenë si përvojë intime, por për islamin politik, për atë teokraci totalitare që, me anë të spekulimeve teologjike dhe edukimit represiv, ka prodhuar individin e paditur, të përulshëm dhe të gatshëm për bindje kolektive pa asnjë reflektim personal.
Kjo ideologji ka futur hundët jo vetëm në jetën private të individit, por e ka përpirë edhe sferën publike, duke u shndërruar në një aparat shtetëror të pashpirt, të dhunshëm, ku mendimi i lirë ndalohet me ligj, ndërsa frymëmarrja kritike dënohet me vdekje. Edukimi i brezave të rinj, në vend që të orientohet kah dija dhe kuraja intelektuale, është shndërruar në një lavazh truri masiv që krijon robotë të nënshtruar dhe masë të lehtë për manipulim nga pushtetet e mullahëve dhe të ajatollahëve.
IRANI – SHTETI I TERRORIT DHE I PERVERSITETIT TEOLOGJIK
Shembulli më radikal i këtij regresi është Republika Islamike e Iranit – një regjim kriminal, një diktaturë theokratike që nuk njeh asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare, asnjë standard të të drejtave të njeriut dhe asnjë respekt për jetën e tjetrit.
Pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, Irani e ka kthyer shtetin në një platformë të eksportit të ideologjisë radikale dhe të terrorizmit global. Nga Hezbollahu në Liban, tek Houthit në Jemen e deri te milicitë shiite në Irak dhe Siri – të gjitha janë satelitë të sponsorizuar nga Teherani me një qëllim: të shkatërrohet Izraeli dhe të zhduket populli hebre nga faqja e dheut.
Ky antisemitizëm patologjik, i ushqyer nga një teologji e deformuar dhe një propagandë shtetërore gjenocidale, është vazhdim i urrejtjes shekullore ndaj qytetërimit hebraik, i cili është, paradoksalisht, një nga themelet më të lashta të vetë Lindjes së Mesme dhe burim i paçmuar i kontributit në shkencë, art, filozofi dhe drejtësi universale.
IZRAELI – KUJTESA E GJALLË E DINJITETIT NJERËZOR
Në të kundërt, Izraeli është një shtet demokratik, pluralist dhe i vetmi në atë rajon që garanton liritë themelore, barazinë gjinore, fjalën e lirë dhe inovacionin shkencor. Është i vetmi vend në Lindjen e Mesme ku një arab, një i krishterë apo një hebre mund të debatojnë publikisht pa frikë se do burgosen apo varen. A mund të ndodhë kjo në Teheran? A mund të kritikosh Ajatollahun pa u zhdukur?
Kundërshtia midis Iranit dhe Izraelit nuk është thjesht politike apo ushtarake. Është një përplasje filozofike mes jetës dhe vdekjes, mes lirisë dhe skllavërisë, mes qytetërimit dhe errësirës. Irani nuk e urren Izraelin për territore, por për vetë ekzistencën e tij – sepse Izraeli është pasqyrë që tregon çka do të mund të ishin vetë ata po të mos ishin robër të teologjisë vdekjeprurëse.
PSE SERBIA E SULMOI TOLERANCËN TONË NDËRFETARE ?
Ne shqiptarët kemi ruajtur për shekuj me radhë një vlerë të rrallë: aftësinë për të dalluar nevojën e brendshme për besim nga përdorimi politik i fesë. Besimi ynë nuk është shndërruar kurrë në armë kundër tjetrit – as kundër fqinjit, as kundër vëllait. Lutjet tona janë bërë në arabisht, latinisht apo shqip, por zemrat tona kanë rrahur gjithmonë shqip.
Kjo pjekuri shpirtërore – një pasuri e rrallë mes kombeve – na ka dhuruar një tolerancë fetare që nuk ishte thjesht bashkëjetesë, por lidhje e gjallë e unitetit kombëtar.
Siç thoshin të parët tanë: “Feja e shqiptarit është shqiptaria.”
Në fshatrat dhe qytetet tona, xhamitë, kishat dhe teqetë nuk jetonin thjesht pranë njëra-tjetrës, por me njëra-tjetrën. Një hoxhë dhe një prift pinin të njëjtin kafe, qanin në të njëjtat mortje dhe bekonin të njëjtët fëmijë. Kjo nuk ishte një shfaqje politike, por shprehje e një kulture të lashtë të zemrës.
Dhe pikërisht këtë vlerë – forcën tonë më të thellë shpirtërore – e sulmoi Serbia.
Jo fillimisht me tanke, por me ide të importuara.
Që nga vitet ’90, shërbimet sekrete serbe, në bashkëpunim me forca të jashtme, filluan të importojnë e të financojnë në Kosovë rrymat më radikale të islamit. Jo për devotshmëri, por për strategji: që shqiptari të përçahej dhe të thyhej.
Dërguan imamë pa atdhe, pa dashuri për gjuhën, pa respekt për tokën që i ushqente. Në vend të frymës shqiptare, ata predikonin një islam të shkretëtirës, që s’kishte asgjë të përbashkët me historinë, kulturën apo shpirtin tonë.
Dhe kështu, nga një popull i njohur për harmoninë fetare, u portretizuam në Perëndim si “afganët dhe çeçenët e Evropës”.
Ky nuk ishte sulm ndaj islamit – por ndaj islamit tolerant shqiptar. Ndaj atij besimi që gjyshet tona e bartnin në lutje, ndërsa piqnin bukë dhe mbillnin paqe.
Serbia nuk synoi armët tona, por vlerat tona. Nuk qëlloi mbi kufijtë tanë, por mbi lidhjet tona.
Sepse, siç thotë fjala e urtë shqiptare:
“Kur armiku nuk të qëllon me plumb, të godet me fjalë.”
Sot, detyra jonë nuk është vetëm të mbrojmë trupin e kombit, por edhe shpirtin e tij: atë që beson shumëfish, por dashuron njëzëri. Shpirtin e shqiptarëve që e quajnë Zotin ndryshe, por e duan Shqipërinë njësoj.
PËRFUNDIM: LIRIA SI MËKAT NË TEOLOGJINË E ERRËSIRËS
Islami politik nuk ka sjellë emancipim, por poshtërim. Nuk ka sjellë dije, por dogmë. Nuk ka sjellë drejtësi, por hakmarrje të përjetshme. Ka krijuar shtete ku shpirti është nën arrest, mendja në zinxhirë dhe ku liria është mëkati më i madh.
Prandaj, sot më shumë se kurrë, bota duhet të bëjë dallimin mes fesë si përvojë shpirtërore personale dhe islamit politik si një makineri pushteti dhe terrori. Dhe ajo që përfaqëson Irani është më shumë se një kërcënim për Izraelin – është një rrezik për vetë njerëzimin.