Nga D. Gurakuç KUÇI
Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), si organi më i lartë juridik i Kombeve të Bashkuara, gjykoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Ky gjykim, i kërkuar pikërisht nga Serbia, përbën aktin më të rëndësishëm juridik lidhur me statusin e Kosovës dhe i dha fund spekulimeve mbi paligjshmërinë e shpalljes së saj.
Menjëherë pas këtij vendimi, më 9 shtator 2010, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, organi më përfaqësues ku çdo shtet ka votë të barabartë, miratoi Rezolutën A/RES/64/298, e cila:
– E pranon opinionin e GJND-së dhe e ka parasysh përmbajtjen e mos-shkeljes të së drejtës ndërkombëtare nga shpallja e pavarësisë nga Kosova;
– Mirëpret angazhimin e Bashkimit Evropian për të ndërmjetësuar dialogun Kosovë–Serbi;
– Fton palët të angazhohen për çështje praktike dhe stabilitet rajonal.
Ky akt e transferoi zyrtarisht procesin e dialogut nga forumi global te një organizatë rajonale, BE-ja, në përputhje me Kapitullin VIII të Kartës së OKB-së, që i lejon organizatat rajonale të veprojnë në ruajtjen e paqes, me dijeni të OKB-së. Për pasojë, që nga viti 2010, dialogu nën ndërmjetësimin e BE-së ka qenë pjesë e arkitekturës ndërkombëtare, jo një zëvendësim i saj.
Pikërisht në këtë kontekst, pretendimi i David Stokinger se dialogu duhet “të kthehet në OKB” sepse “Rezoluta 1244 është baza”, është jo vetëm i tejkaluar, por në kundërshtim të drejtpërdrejtë me realitetin juridik dhe diplomatik të OKB-së. Nëse ai do të kishte ndjekur zhvillimet bazike në të drejtën ndërkombëtare, do ta dinte se vetë OKB-ja e ka tejkaluar Rezolutën 1244 përmes legjitimitetit që i dha gjykimi i GJND-së dhe rolit të BE-së.
Për më tepër, cilësimi i Kosovës si “projekt i Perëndimit” dhe jo si realitet shtetëror i ndërtuar mbi parimin e vetëvendosjes dhe ndërhyrjes humanitare për të ndalur gjenocidin, përfaqëson një nivel të ulët të kuptimit juridik dhe etik të proceseve ndërkombëtare.
Në vend se të ndërtojë narrativë mbi bazën e vendimeve të organeve të Kombeve të Bashkuara, David Stokinger zgjedh t’i injorojë ato, duke i shërbyer diskurseve të njohura politike që synojnë ta mbajnë peng Ballkanin në të kaluarën. Dhe ky, për një aktivist që flet në emër të paqes, është paradoksi më i madh.
Qasjet e tij publike, të përqafuara nga media që promovojnë narrativën serbe kundër Kosovës, e vendosin atë objektivisht në një linjë politike që i shërben agjendave që nuk përkojnë me të drejtën ndërkombëtare. Madje, edhe vendi i prononcimit dhe pamja pas tij japin të njëjtin kuptim.
Nëse z. Stokinger dëshiron të ballafaqohet me fakte, ai është i mirëseardhur në një debat publik mbi bazat e së drejtës ndërkombëtare dhe zhvillimeve reale të pas-vendimit të GJND-së.