Nga Lirim Gashi
Në një univers, jo shumë larg prej nesh, në një planet të quajtur Terra Moralia, jetonte një racë njerëzish që e donin atdheun vetëm kur i urrenin fqinjët.
Stema e tyre kombëtare nuk ishte as shqiponja, as luani, as dega e ullirit – por një grusht i shtrënguar, i drejtuar kah kufiri.
Quheshin “atdhetarë të vërtetë”, por zemra e tyre nuk rrihte për popullin e vet, por kundër një tjetri. Çdo himn që këndonin tingëllonte si britmë lufte, çdo flamur që valonin ishte i ngopur me ankthin se “tjetri” mos bëhej “njësoj si ne”.
Filozofët e Terramoralisë predikonin:
“Që të dimë kush jemi ne, duhet ta dimë mirë kush nuk jemi!”
Dhe kështu ata e ndërtuan identitetin kombëtar si një pasqyrë urrejtjeje – çdo akt dashurie ndaj atdheut duhej të kishte hijen e përçmimit ndaj tjetrit.
Në planetin tonë të dashur, në Tokën reale, kjo sëmundje është më e sofistikuar, por po aq e rrezikshme. Atdhedashuria që nuk ushqehet me kulturë, dije, mirësi, krijimtari – por me urrejtje, frikë e mitologji primitive – nuk është tjetër veçse një sëmundje autoimune e një kombi.
Është si të kesh një sistem imunitar që sulmon zemrën e vet, duke besuar se po mbron trupin.
Vështrimi psikologjik:
Urrjetja ndaj një kombi tjetër si themel i dashurisë për vendin tënd është si një hormon stresi – të mban zgjuar, por të djeg ngadalë. Këta “patriotë” ecin nëpër botë si zombi emocionalë: bërtasin parulla, por fytyrat i kanë të zbrazura; valojnë flamuj, por sytë u janë bosh – të mbushur vetëm me frikën se dikush, diku, po gëzon më shumë privilegje se ata.
“Ne”-ja e tyre ekziston vetëm si pasojë e një “ata” të urryer. Dhe në këtë obsesion për të përjashtuar tjetrin, ata humbin veten – sepse çdo mendim nis me “le të shkatërrohen ata” e jo me “le të ndërtojmë ne”.
Urrjetja ndaj tjetrit nuk ndërton atdhe – ajo vetëm ngre një burg mendor, ku kombi bëhet i burgosuri i vetes.
Neuroshkenca e patriotizmit:
Truri që ushqehet përditë me urrejtje ndaj tjetrit, zvogëlon ndjeshmërinë ndaj dhembshurisë, arsyes morale dhe kreativitetit. Thënë më qartë: njerëzit që “e duan” vendin përmes urrejtjes, nuk mund të krijojnë – as poezi, as ura, as bashkëjetesë.
Në rastin më të mirë, mund të ndërtojnë ndonjë përmendore të një vrasjeje të vjetër.
Dhe tani filozofia:
Atdhedashuria e vërtetë është si drita – nuk i duhet errësira e tjetrit për të ndriçuar vetë.
Nëse e dua nënën time, kjo nuk do të thotë që duhet të shaj nënat e të tjerëve.
Nëse e dua vendin tim, kjo nuk do të thotë që dua t’i shoh të tjerët duke u djegur.
Në çastin kur ke nevojë për një armik që ta duash vetveten – ti nuk e do vetveten. Ti thjesht urren tjetrin. Dhe ky nuk është patriotizëm. Kjo është një varfëri shpirti e veshur me kostum flamuri.
Ndaj le të jetë përfundimi i këtij eseu i prerë si drita e zgjimit:
Atdhedashuria nga urrejtja nuk është dashuri – është tradhti në petkun e atdhedashurisë.
Është si të përpiqesh të ujisësh një lule me benzinë – me shpresën se do të lulëzojë në flakë.
E vërteta është e thjeshtë:
Të duash kombin tënd nuk do të thotë të urresh të tjerët.
Kjo do të thotë të jesh njeri.
Dhe njeriu i mirë – çfarëdo kombësie që të ketë – e di mirë:
Dashuria s’ka kufij.